E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Parlamenti, aty ku e vërteta zbulohet lakuriq



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri dje të ditur se rezoluta e PE-së mbi strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian ishte një apel ndaj opozitës për të ndalur bojkotin. Topalli u kërkoi deputetëve të majtë të rikthehen në sallën e seancave plenare, ndonëse deklaroi se do të zbatojë Kushtetutën mbi afatet e vlefshmërisë së mandateve të tyre. Ajo komentoi edhe akuzat e Berishës ndaj kryesocialistit Rama

Mazhoranca shpreson në arritjen e një konsensusi me opozitën, me qëllim dhënien fund të bojkotit dhe vijimësinë e reformave integruese për vendin. Por gjithnjë brenda kuadrit ligjor. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri dje të ditur se rezoluta e Parlamentit Evropian mbi strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian ishte një apel ndaj opozitës për të ndalur bojkotin. Në kushte të tilla, Topalli u kërkoi deputetëve të majtë të rikthehen në sallën e seancave plenare, ndonëse deklaroi se do të zbatojë Kushtetutën mbi afatet e vlefshmërisë së mandateve të tyre. “Në këtë vendim të Parlamentit Evropian, duke i kërkuar opozitës që të ndalë bojkotin e të hyjë në Parlament, i kërkon kësaj të fundit të vijojë punën, bazuar në zgjedhjet e fundit në Parlament; ajo vë në dukje se Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe se këshilli ka marrë vendim për të ftuar komisionin të përgatisë opinionin e vet mbi aplikimin e vendit; inkurajon autoritetet shqiptare që të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën e reformave në shërbim të progresit ekonomik dhe social të qytetarëve të saj, në mënyrë që vendi të përparojë në rrugën e tij të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, - deklaroi ajo. Znj. Topalli vijoi më tej: “Me këtë rast pas kësaj rezolute tjetër, mbështetësve të PE-së, dua t’u them deputetëve të opozitës se ne i mirëpresim ata në Parlament, se kemi detyra të shumta për të kryer së bashku”. Ajo u shpreh e sigurt teksa përmendi: “Se ashtu siç e kemi arritur konsensusin për shumë ligje të rëndësishme, siç kemi bërë kodin elektoral, siç dëshironin ata, ne do të vazhdojmë të punojmë siç dëshirojnë ata, për të bërë amendamente për kodin zgjedhor, për përmirësimet, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it”. E pyetur mbi deklaratat e Kryeministrit Berisha, në seancën e së enjtes ku lëshoi dhe një sërë akuzash për jetën personale të kundërshtarit tij politik, Edi Rama, kryetarja Topalli tha se Kuvendi është tempulli i të vërtetave, të cilat duhet të thuhen pa frikë. Ndërsa për fjalimin e Kryeministrit Berisha dje në Kuvend, Topalli u përgjigj: “Fondamentale është etika familjare. Parlamenti është tempulli i të vërtetave të pafshehura. Unë prej muajsh, ose më saktë janë bërë vite, që shkoj fshat më fshat, e qytet më qytet të Shqipërisë, duke i kërkuar zonjave, motrave që të thyejnë murin e heshtjes, që të kenë kurajo të thonë të vërtetat, faktet, ashtu siç e tha Kryeministri. Ashtu siç janë, ashtu siç ndodh me dhunën në familjen e tyre. Nuk mund t'ia kërkojmë vetëm zonjave familjare, grave të thjeshta, përgjegjësia jonë është për t’i thënë të vërtetat ashtu siç janë. Në fakt zërin për të thënë këto fakte të rëndësishme, këto fakte të forta, duhet ta kishim ngritur më përpara. Dhe Parlamenti është tempulli i të vërtetave lakuriq. Nuk mund t’i fshehim. Janë fakte të forta, para të cilave, nuk mund të heshtim”, - theksoi znj. Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›