Reformat integruese, Berisha siguron mbështetjen e Papandreut
Kryeministri Papandreu i shprehu dje z. Berisha mbështetjen e tij të plotë dhe të qeverisë greke për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Dy kryeministrat ranë dakord të punojnë ngushtësisht së bashku për fuqizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në veçanti bashkëpunimin në fushën ekonomike, në fushën e turizmit, në fushën e bujqësisë, nxitjen e investimeve greke në Shqipëri etj. Z. Berisha e ftoi z. Papandreu të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën Kryeministri grek e pranoi me kënaqësi.
Kryeministri Sali Berisha ka mundur të sigurojë mbështetjen e fortë të kryeministrit të ri të Greqisë Giorgos Papandreu për reforma të gjithanshme dhe në mënyrë të veçantë ato që kanë të bëjnë me procesin integrues të Shqipërisë. Krerët e dy shteteve do të punojnë ngushtësisht së bashku për të thelluar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Siguria e të gjitha këtyre rrjedh nga një takim mjaft i rëndësishëm i Kryeministrit shqiptar me Kryeministrin Papandreu, që vjen vetëm pak javë pas mandatimit të qeverisë së majtë greke. Në qytezën Pyli të Bashkisë së Prespës, në Greqi, u zhvillua dje takimi trepalësh me Kryeministrin grek z. Papandreu dhe Kryeministrin maqedonas z. Gruevski, një takim miqësor dypalësh me Kryeministrin e Greqisë z. Giorgos Papandreu. Ky i fundit e uroi Kryeministrin Berisha për festën e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe festën e Kurban Bajramit. Gjatë takimit, dy kryeministrat diskutuan gjerësisht për marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehën vendosmërinë e tyre për promovimin e mëtejshëm të tyre, si dhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Papandreu për mbështetjen dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm që Greqia fqinje i tregoi Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, duke mbështetur fuqishëm pranimin e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE në mbledhjen e 16 nëntorit 2009 të ministrave të Jashtëm të Bashkimin Evropian, ku u vendos të pranohej shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe u ftua Komisioni për hapat e mëtejshëm. Kryeministri Papandreu i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e tij të plotë dhe të qeverisë greke për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Dy kryeministrat ranë dakord të punojnë ngushtësisht së bashku për fuqizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në veçanti bashkëpunimin në fushën ekonomike, në fushën e turizmit, në fushën e bujqësisë, nxitjen e investimeve greke në Shqipëri etj. Në takim u vlerësua fakti që investitorët grekë zënë vendin e parë për sa u përket investimeve të huaja direkte në Shqipëri dhe të dy Kryeministrat vlerësuan ecurinë dhe suksesin e investimeve të firmave serioze të kompanive të rëndësishme dhe prestigjioze greke në shumë fusha në Shqipëri. Kryeministri Papandreu e siguroi Kryeministrin Berisha se do të bëjë çdo përpjekje për të nxitur investitorët grekë që të vijnë në Shqipëri për të investuar dhe për të zgjeruar investimet e tyre në fusha të rëndësishme si turizmi, bujqësia etj.
Papandreu, Berishës: Do të njohim patentat e emigrantëve shqiptarë
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi homologut të tij grek, z. Papandreu, që qeveria e Greqisë të njohë lejet e drejtimit të automjetit (patentat) shqiptare për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, çka do të ishte ndihmesë dhe kontribut i jashtëzakonshëm për të gjithë ata emigrantë shqiptarë që përdorin automjete për transport në jetën e tyre të përditshme në territorin grek. Kryeministri grek Papandreu e siguroi Kryeministrin Berisha se do të bëjë çdo përpjekje që, sa më shpejt, të hiqen burokracitë dhe të njihen patentat shqiptare për emigrantët që jetojnë në vendin fqinj, në Greqi. Dy kryeministrat ranë dakord për të punuar ngushtësisht dhe për të forcuar më tej miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy popujve. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin Papandreu të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën Kryeministri Papandreu e pranoi me kënaqësi. Gjatë takimit, Kryeministri Papandreu i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë së tij dhe të vendit fqinj për përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar sa më shpejt në familjen evropiane.
“Prespa”, Papandreu, Berisha dhe Gruevski, projekte të përbashkëta
Kryeministrat Papandreu, Berisha dhe Gruevski angazhohen për shndërrimin e Parkut të Prespës në shembull të suksesit të politikave mjedisore dhe destinacion turistik për mbarë rajonin e më gjerë. Ata do të punojnë së bashku për një zhvillim të qëndrueshëm në përputhje me politikat për ruajtjen e mjedisit. Kryeministri Berisha mori pjesë dje në takimin e tre kryeministrave, të Shqipërisë, të Greqisë dhe të Maqedonisë, i cili u zhvillua me nismën e Kryeministrit grek, z. Papandreu, në qytezën Pyli, buzë Liqenit të Prespës, në Bashkinë e Prespës, në Greqi, takim i cili kishte për qëllim promovimin e përpjekjeve të përbashkëta në fushën e ruajtjes së mjedisit për sa i përket Liqenit dhe Parkut të Prespës. Kryeministri Papandreu e vlerësoi këtë takim si një ngjarje shumë të rëndësishme, e cila tregon edhe një herë vendosmërinë e të tri qeverive për çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe të ekosistemit, në një kohë kur sfida e ndryshimeve klimaterike është një çështje mbarë globale. Njëkohësisht, ky takim shërben edhe një herë si tregues i marrëdhënieve shumë të mira e miqësore dhe i bashkëpunimit të tri vendeve në shërbim të paqes. Duke e falënderuar Kryeministrin Papandreu për nismën e qeverisë greke për të vendosur një afat përfundimtar kohor për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2014, në përputhje me axhendën e samitit të Selanikut, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Gruevski vlerësuan gjithashtu se takimi i djeshëm, si një shembull i ndërveprimit dhe bashkëpunimit të ngushtë rajonal, do të sjellë një kontribut të ri në përshpejtimin e përpjekjeve të përbashkëta për integrimin e këtyre vendeve në BE. Kryeministri Papandreu i siguroi dy kryeministrat se Greqia do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm përpjekjet e dy vendeve fqinje për integrim sa më të shpejtë në BE. Në vijim të nismës së ndërmarrë në vitin 2000 për mbrojtjen e ekosistemit të Liqenit dhe Parkut të Prespës, të tre kryeministrat, duke i vlerësuar veçoritë e ekosistemit të Liqenit dhe Parkut të Prespës si unik në rajon, shprehën vendosmërinë e të tri qeverive për të bashkëpunuar ngushtësisht për mbrojtjen e mjedisit dhe vlerave të veçanta të këtij parku, si dhe promovimin e politikave “të gjelbra” miqësore ndaj mjedisit, si prioritet të punës së këtyre tre qeverive. Për këtë qëllim tre kryeministrat ranë dakord dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët për mbrojtjen e Parkut të Prespës dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të tij, duke u angazhuar njëkohësisht që ta kthejë këtë rajon në një shembull mbarë botëror për bashkëpunimin fushën e mjedisit, por edhe për të bërë çdo përpjekje për të promovuar zhvillimin e zonave që kufizohen nga ky park në të tre vendet dhe nxitjen e turizmit lokal dhe ndërkombëtare për shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme natyrore që ky park ofron. Të tre kryeministrat ranë dakord që një kopje e deklaratës së përbashkët dhe angazhimi i marrë dje prej tyre t’u dërgohet si një gjest simbolik në vigjilje të samitit për ndryshimet klimaterike të Kopenhagenit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Ban Ki-moon, Komisionit Evropian dhe Presidencës së radhës së BE-së, si dhe Kryeministrit mikpritës të Danimarkës. Në deklaratën e tyre të tre kryeministrat ranë dakord që në shkurtin e ardhshëm, në Ditën Ndërkombëtare të Pasurive Ujore, të nënshkruhet marrëveshja e përbashkët e të tri vendeve dhe Komisionit Evropian si palë e katërt për “Mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës së Parkut të Prespës” për të vënë në jetë objektivat e deklaratës së vitit 2000 dhe kësaj deklarate për Parkun Natyral të Prespës. Të tre kryeministrat u angazhuan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë mes tri vendeve. Gjithashtu, të tre kryeministrat ranë dakord të bashkëpunojnë për nxitjen e investimeve të ndërsjella dhe tërheqjen e investimeve nga BE-ja, por edhe nga fonde të tjera, në fushën e politikave të ruajtjes së mjedisit dhe projekteve “të gjelbra”.