Berisha në SHBA, i ftuar në Mëngjesin e Lutjeve
adi shkembi
Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, që mbahet për në 57-ën herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i qeverisë është ftuar në këtë ceremoni nga Komiteti Kongresional, i cili merret edhe me organizimin e përvitshëm të kësaj ngjarje. Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të Ministrave “Me ftesë të Komitetit Kongresional, që përbëhet nga 36 senatorë dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA dhe nga anëtarët e Kongresit Vernon J. Ehlers dhe Heath Shuler, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten, u nisën sot, për të marrë pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve”. Në Mëngjesin e Lutjeve marrin pjesë të ftuar nga rreth 160 vende të botës si dhe kongresmenë, senatorë dhe administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Kjo ceremoni do të mbahet ditën e enjte, më datë 5 Shkurt në Uashington D.C. Në këtë mëngjes kombëtar lutjesh marrin pjesë kongresmenë, senatorë, drejtues të Kongresit dhe administratës së Presidentit Barak Obama, si dhe liderë dhe të ftuar nga 160 vende të botës. Pjesëmarrësit në këtë ceremoni do t’i luten Zotit për të forcuar marrëdhëniet dhe për të çuar më tej frymën e bashkëpunimit dhe shpirtit të miqësisë”, thuhet më tej në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Gjatë kësaj vizite, e cila pritet të zgjasë pesë ditë, kreu i qeverisë pritet të zhvillojë takime me kongresmenë e senatorë të rëndësishëm, si dhe përfaqësues të lartë të administratës amerikane. Në samitin e fundit në Davos të Zvicrës, kryeministri Berisha pati një takim me këshilltaren speciale të presidentit të SHBA-së, Valerie Jarrett. “Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Jarrett, se qeveria që ai kryeson është shumë e vendosur të punojë ngushtë me Presidentin Obama dhe administratën e tij për të çuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Zonja Jarrett pranoi me kënaqësi ftesën e Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë”, bëhet e ditur në faqen e Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, në nisje të samitit të Davosit kreu i qeverisë u takua edhe me Drejtoreshën e Përgjithshme të Financave në stafin elektoral të Presidentit Obama, Penny Pritzker. “Pritzker shprehu vlerësimet e saj pozitive për ecurinë e reformave dhe zhvillimin e Shqipërisë në vitet e fundit. Zonja Pritzker shprehu bindjen se administrata e re është e gatshme të bashkëpunojë me Shqipërinë në të gjitha projektet e reformat në vend”, bëhet e ditur nga njoftimi për shtyp.