E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleatët e PD-së bashkohen me Ramën, anulohet votimi

 

zirina llambro

Përfundon në kaos total votimi i buxhetit të 2009-ës në mble-dhjen e Këshillit Ba-shkiak. Aleatët e PD-së i japin votat pro  Ramës . Më shumë se katër orë debate, akuza e replika pa arritur asnjë konsensus. Madje, gjithçka mori përmasat e një shou për t’u pasur zili. Si asnjëherë tjetër kryebashkiaku qëndroi deri në fund të mbledhjes. U duk se pas pushimit për rreth 30 minuta, gjithçka do të shkonte drejt një zgjidhjeje. Gjatë kësaj kohe kryetarët e grupeve diskutuan veçmas për ndryshimet e mundshme. Me rinisjen e mbledhjes, kryetari i grupit të PD-së Ferdinand Poni dhe ajo e LSI-së Monika Kryemadhi, dhanë propozimet e tyre qetësisht, në këmbim të votës pro. Por i vendosur për të mos hequr asnjë presje ka qenë kryebashkiaku. “Buxheti nuk do të ndryshojë”, insistoi Rama deri në fund. Më tej vijuan kundërpërgjigjet nga anëtarët e këshillit dhe gjithçka degjeneroi në të bërtitura, batuta e thumba pa fund. Kryetari Sokol Dervishaj, duke u përpjekur të sheshonte debatet propozoi hedhjen në votë. Por pasi u ngritën kartonët jeshilë “de facto” drejtimin e votimit e mori tërësisht kryebashkiaku Rama, duke numëruar me zë të lartë, edhe votat, që sipas tij ishin 29 pro buxhetit. Por menjëherë pas kësaj, bashkë më këshilltarët e PS ai la sallën. Me gjithë zallamahinë e të bërtiturat e anëtarëve të tjerë nuk u arrit të numëroheshin as votat kundër e as ato abstenim. Për rrjedhojë kryetari i këshillit Sokol Dervishaj, e shpalli votimin të pavlefshëm. Ajo që u duk qartazi edhe pse u përpoq të kalohej shkarazi ishte vota e aleatëve të Partisë Demokratike. Të gjithë votuan pro buxhetit bashkë me anëtarët e Partisë Socialiste dhe disa prej partive të vogla të majta. Kështu, votave të 21 anëtarëve të PS iu bashkuan ato të PR, PDK, PAD, PDI, PSD, LZHK e PPDNJ. Njësoj si në mbledhjen e kaluar, pika kyçe e kundërshtisë, ku PD e LSI nuk pranuan të tërhiqeshin ishte detajimi i investimeve. Sipas tyre, Bashkia në buxhet ka listuar elementët e investimeve në vazhdim që kanë nisur që në 2008, por nuk e ka bërë këtë gjë me investimet e reja. Për t’i dhënë votën pro, LSI propozoi uljen e shpenzimeve për administratën me rreth 50 milionë lekë, zë ky që do t’u bashkëngjitej investimeve. Po kaq, kërkoi të zbriteshin edhe nga fondi i shpenzimeve operative. Këtë propozim e mbështeti edhe kreu i PD Ferdinand Poni. Gjithaq, u kërkua që për disa zëra të buxhetit të kishte shtesa fondesh. U insistua gjithashtu, edhe për taksën e pasurisë, e cila arkëtohet në nivele qesharake. E vetmja zgjidhje që dha kryebashkiaku ishte ndryshimi i agjentit fiskal, pra duke e transferuar nga njësitë bashkiake drejt një tjetër mbledhësi. Për vitin 2008 taksa mbi pasurinë është vjelur për 27 mijë familje, ndërsa për këtë vit është parashikuar që të ardhurat prej saj të vilen nga rreth 120 mijë familje. Pra, rreth 4 herë më shumë. Por me ndryshimin e vetëm se fondi në lekë i  llogaritur është gati i njëjtë me atë të vitit të shkuar. Kjo pjesë është cilësuar si evazion fiskal nga anëtarët e PD.

raundi i trete

Petraq Simo             PSD

Andrea Marto             PBDNJ

Arben Demeti             PAD

Armando Ruço             LZHK

Geront Selenica         PDK

Tahir Muhedini             PDI

Agron Jaupllari             PR

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›