Batutat e 4 orëve debat, Kryemadhi: Detajoni investimet
adi shkembi
Këshilli bashkiak i Tiranës dështoi për të tretën herë të miratonte buxhetin e vitit 2009. Katër orë debat nuk ishin të mjaftueshme, që në Këshill të arrihej konsensusi për zhvillimin e një votimi normal dhe të vlefshëm. Gjatë gjithë këtij debati, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama mbrojti buxhetin e propozuar nga Bashkia, duke e konsideruar atë si buxhetin më të konsultuar me komunitetin. “Mbledhja e të gjitha të dhënave që ka ky buxhet, rezulton se mali i miliardave të humbura u kthye në një kodër të vogël disa milionësh. Ky është një hap i mirë përpara. Ky është buxheti më i konsultuar dhe më i debatuar që ne miratojmë. Ky është buxheti i qytetarëve”, u shpreh kryebashkiaku Rama. Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike kundërshtuan ashpër mënyrën se si është paraqitur buxheti, por edhe disa zëra të veçantë të tij. Kryetarja e këshilltarëve të LSI-së, Monika Kryemadhi theksoi se buxheti nuk është i detajuar në disa prej pjesëve të tij. Sipas saj “projektet në vazhdim i keni detajuar, projektet e reja nuk i keni detajuar. Kemi dy javë që ia kërkojmë zonjës Dhimitri, pse nuk i keni? Të dalë të kundërshtojë Ahmetaj dhe Kodheli. Unë dua kanalin e “Misto Mame”-s, Komunën e Parisit, “Arkitekt Sinani”-n, “Ibrahim Barra”-n. Unë kërkoj që të detajohen investimet, ul shpenzimet operative sepse pse të kesh ti gati 2 miliardë lekë investime operative, ose më thuaj çfarë janë shpenzimet operative”. Në të njëjtën kohë, kryetari i këshilltarëve demokratë, Ferdinand Pone u shpreh se buxheti nuk është transparent, duke shtuar se fjalimi i kreut të bashkisë ishte i njëjtë me atë të mbajtur para pak ditësh në Pallatin e Kongreseve. “Ky buxhet nuk respekton parimet e përgjithshme të buxhetimit, ai nuk është as solid, as transparent as i shëndoshë, as i vërtetë në disa nga parametrat e tij, që në mënyrë krejt paradoksale u bë sikur u lexua në atë fjalimin, që ka pasur për Policinë Bashkiake kryetari aty përpara, sepse nuk janë në dokumentet buxhetorë që jemi këtu”, theksoi Pone. Në gati dy orë debate, PD e LSI kundërshtuan buxhetin si dhe propozuan disa ndryshime për të, ndërsa grupi i këshilltarëve socialistë kërkoi, që procedurat e mbledhjes së Këshillit të vazhdonin me miratimin e buxhetit. Debatet e shumta detyruan kryetarin e Këshillit, Sokol Dervishi të ndërpriste mbledhjen për një takim me krerët e grupeve. Me nisjen e mbledhjes, LSI paraqiti disa propozime për të rishikuar buxhetin kryesisht në uljen e shpenzimeve për administratën dhe rritjen e shpenzime për investime. “Kemi programin e investimeve në shërbimet publike, që është 430 milionë lekë. Kërkojmë një shtim të zërit. Në total kemi për programin e strehimit. Propozojmë të ulen shpenzimet administrative të bashkisë dhe për të ulur shpenzimet operative të ndërmarrjeve për personelin, ju propozojmë të hiqni 50 milionë lekë dhe të kalojnë në fond investimet”, deklaroi Kryemadhi. Gjithashtu, pas kontestimeve të shumta të buxhetit, edhe grupi i këshilltarëve demokratë kërkoi bërjen transparent të buxhetit si dhe uljen e shpenzimeve të personelit. “Ne duam një listë të investimeve të plotë, të qartë, me shpenzimet për çdo investim t’i bashkëngjitet si pjesë përbërëse këtij buxheti. Ne duam ta shtojmë volumin e investimeve. Duke zvogëluar shpenzimet e personelit dhe shpenzimet operative kanë një kosto 536 milionë lekë. Buxheti mund të shtohet në pikën e të ardhurave”, propozoi Pone. Por megjithë propozimet e dy forcave politike, ato nuk u morën parasysh dhe votimi i bllokua që në momentin e parë, kur u hodh në votë varianti i propozuar nga kryebashkiaku Rama.
Pikat kryesore të vendimit
Edi Rama: Një akuzë tjetër që ka qenë transversale, në përgjithësi ajo që është për të ardhur keq është, që këto janë akuza transversale. Ishim mësuar që këto akuza të na i bënte njëri krah, tani del se na i bën edhe njëri gisht i krahut tjetër. Ku kanë shkuar 13 milionë euro në vitin 2008? Unë nuk e di për cilat janë këto 13 milionë euro që nuk i gjeni dot në buxhetin voluminoz që keni përpara, të cilin ose nuk e keni lexuar, ose nuk e keni kuptuar.
Sokol Dervishi: Në mbledhjen e dhjetorit përpara zhvillimit të kësaj mbledhje, duke qenë se qyteti i Tiranës ka edhe të zgjedhur në nivelin e njësive bashkiake, është zhvilluar një mbledhje me kryetarët e njësive bashkiake dhe me shumë keqardhje konstatoj braktisjen e mbledhjes nga zv/kryetarja juaj dhe nga drejtorët e bashkisë.
Edi Rama: Nëse është ky problemi (detajimi i investimeve) në sytë e të gjitha kamerave, të fotokopjohen në të gjitha kopjet e nevojshme për të gjithë këshillin dhe ju e merrni kopjen e dytë meqë të parën e mohoni.
Monika Kryemadhi: Unë s’po kërkoj kush ka fituar tenderët dhe kush ka të drejtat ekskluzive për gjëra të tjera. Por ama kur njerëzit marrin miliarda për bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, unë ndihem e fyer kur shoh punëtorët e bashkisë që në orën 1 të natës rikonstruktojnë edhe njëherë rrugën. Çfarë është ajo, të hedhësh rërë për të mbajtur pllakat se lëvizin që të gjitha?
Genc Strazimiri: Sqaro qytetarët e Tiranës, çdo bësh ti me 16 milionë euro që i mban të padetajuara me fondin për komunitetin, kur ke mbledhur 200 petrita këtu. Mos bëj shakaxhiun këtu. Orë boll tani, sqaro këtë pikë. Të duket gjë jo serioze kjo?
Edi Rama: Ky zotëria këtu (drejton dorën nga vetja) prej 9 vjetësh ju tregon se si bëhet puna dhe prej 9 vjetësh u tregon se me këtë mënyrë qasje që keni ndaj Bashkisë së Tiranës dhe punëve të saj do vazhdoni të jeni në opozitë.
Genc Strazimiri: Prej 9 vjetësh vetëm vjedh dhe e ke në prokurori dosjen.
Rama Pones: Pse ta harxhojmë bojën e fotokopjes, ti prapë dëm do na e çosh. Vazhdo bëj detyrën që të ka dhënë partia, mbylle këtë punë, mos na i shto shpenzimet e bashkisë.
Pone: Në administratë ke 756 punonjës. Administratë e vogël, transparente e pangarkuar, sa 6 ministri. Ju keni administratë të gatshme për ta përdorur për qëllime elektorale.
Rama: Ju thoni që ne kemi një aparat në bashki më të madhe se sa 6 ministri. Këtu për fat të keq numëroni edhe policët bashkiakë, që nuk janë pjesë e aparatit por paguhen në atë zë. Aparati ynë përbëhet nga 456 vetë.
Kryemadhi: Pak qenkan. Pse pak ju duken ju?
Flamur Noka: Mos i thuaj më këtu që ke thënë me stafin e Policisë Bashkiake. Po të jetë ashtu vëmë kasetën dhe e dëgjojmë pesë herë ne. Ne na kthe përgjigje për propozimet tona.
Edi Rama: Ata nuk janë Policë Bashkie. Flamur të lutem se e para nuk ishe prezent, e dyta është radha ime për të folur. O Flamur mos u valvit kot tani, po valëvitesh pa erë, s’ka erë fare. Se më duket se edhe ai që duhet të të shohë u nis te Mëngjesi i Lutjeve. Mos spekulo me faktin që quhesh Flamur. Po valëvitesh pa shkop.
Sokol Dervishi: E lëmë gallatën tani. Po flasim për të tjera gjëra. O Flamur lërë shkopin tani.
Petrit Vargu: Ke rrit buxhetin e pastrimit me 70%. Ti do me ja nda privatëve, prandaj e rrite 70%. Pse nuk e rrite 70% tani që e shite te shokët e tu. Ju kemi ngritur problemin e thertores për ata veterinerë që ti i quan malësorë. Ti sajove buxhet 25 milionë euro një thertore.
Strazimiri: Buxheti nuk është kthyer për një kaldajë, por është kthyer ekzaktësisht për 1.6 miliardë që i mban të detajuara. E dua këtu vendim unë.
Rama: Aty e ke mo, ato e ke.
Strazimi: Nuk është jo, gënjen. Ta harrosh ti se do marrësh buxhet me 1.6 miliardë lekë të padetajuara. 14 milionë euro për ty mund të jenë një kodër e vogël. Filozofia jonë është tjetër të fusim në burg për 14 euro. Këto janë paret e Tiranës. Të të vijë turp rrugaç. Ato veprime që kryen ata që ishin këtu e panë, se di të flas edhe ndryshe me ty unë.