E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në SHBA, u ftua nga VATRA, do takohet me Hillary Clinton

Kryeministri Sali Berisha

Faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave ka zbardhuar axhendën e kryeministrit Berisha gjatë vizitës së tij në SHBA. Sipas kabinetit të kryeministrit, Berisha do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Kongres në Washington DC, si dhe takime e aktivitete në New York.

Berisha do të zhvillojë të mërkurën një takim me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, në përfundim të të cilit do të ketë një konferencë të përbashkët për median.

Kryeministri do të takohet me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është dhe njëkohësisht kreu i Kongresit të SHBA, John Boehner.

Gjithashtu, kryeministri do të ketë në Washington DC, takime me personalitete të tjera si senatorja Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit për Çështjet Europiane, Richard Morningstar, i Dërguari i Posaçëm i Sekretares së Shtetit për Energjinë në Euroazi, etj..

Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Berisha është i ftuar në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar Besa, me producente Johanna Neumann, në Holocaust Memorial Museum, në Washington DC, ku Berisha do ti drejtohet audiencës me një fjalë, si dhe do ti akordojë zonjës Neumann çmimin e mirënjohjes.

Një moment të veçantë në axhendën e Kryeministrit është pjesëmarrja si i ftuar nderi në kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës VATRA, në New York. Me këtë rast, do të zhvillohet konferenca shkencore Federata Pan-shqiptare e Amerikës VATRA, 100 Vjet në shërbim të kombit, ku krahas fjalës së kryeministrit, do të mbajnë kumtesa studiues e akademikë shqiptarë.

Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit në Washington DC, do të vizitojë shtëpinë muze të Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetësit të madh të pavarësisë së Shqipërisë, Woodrow Wilson. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›