E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Sarandë: Taksa e sheshtë, taksa e drejtësisë së Zotit

SARANDE - Partia Demokratike prezantoi mbrëmjen e së dielës kandidatët për deputet në Sarandë. Gjatë një mitingu elektoral në këtë qytet, kryeministri Sali Berisha siguroi qytetarët se në katër vitet që vijnë qeveria e tij do të bëjë që Saranda, Delvina, Vlora dhe Shqipëria të krijojë qindra e mijëra vende pune.

"Me uljen e taksave, me përgjysmimin e taksës për industrinë turistike, do të dyfishohet potenciali turistik. Jemi të vendosur të inkurajojmë biznesin dhe investimet e huaja dhe do të bëjmë gjithçka për projekte që do të thithin investime dhe vende pune, dy nga të cilat do të jenë Kaskada e Devollit, investim prej 1 milion euro dhe gazsjellësi TAP prej 1,5 miliardë euro", - tha kryeministri.

Berisha tha se "këto 8 vite nuk kanë qenë të lehta, por të mbushura me vepra, në të cilat, nga Orikumi në Konsipol, kemi ndërtuar rrugë, në mbarë Shqipërinë. Kemi ndërtuar nga Vlora në Konispol një infrastrukturë ujore, ujësjellës e kanalizime. Në këto vite nga Mifoli në Konsipol kemi ngritur mbi 80 shkolla, universitete. Vetëm në vijën bregdetare Orikum-Ksamil janë investuar në infrastrukturë mbi 50 milionë dollarë”.

Duke u ndalur tek taksa e sheshtë kryeministri tha se "ajo është taksa e librave të shenjtë, e drejtësisë së zotit. Kjo taksë bëri të mundur që Shqipëria të dyfishojë të ardhurat, se u shumëfishuan bizneset, investimet, rrogat, pensionet, rrugët, etj".

Berisha shtoi se “sot çdo mësues, mjek, infermier, merr jo një, por merr së paku 14 rroga më shumë në vit se në 2005. Zhvillimi nuk është rritje e taksave, por zhvillimi vjen nga liria e qytetarëve, liria ekonomike, liria e biznesit dhe liria në tërësi",- përfundoi ai.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›