Berisha në Synej: Do të bëjmë studim gjeologjik të zonës

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rrugës hyrëse të Kavajës në kuadër të turit “Shqipëria po Ndryshon”. Rruga, me gjatësi 1.5 kilometër, është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, me katër korsi, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim.
Më fjalën e tij, drejtuar banorëve të Kavajës, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo qeveri i ka mbajtur të gjitha premtimet dhe nuk i’a kërkon askujt votën për këto që ka bërë, por e kërkon votën për ato që do të bëjë në katër vitet e ardhshme. “Unë kam bindjen se mençuria e shqiptarëve është e tillë, që, midis ndryshimit bosh dhe ndryshimit me vepra, ndryshimit me fjalë dhe ndryshimit me rrugë, ndryshimit me mashtrime dhe ndryshimit me ura, shkolla e kopshte, ndryshimit me trillime dhe ndryshimit me paga dhe pensione të larta, ndryshimit me fantazira dhe anëtarësimit në NATO, dhe kandidimit për në Bashkimin Evropian, atij ndryshimi do t’i thonë ndryshkim. Atij ndryshimi do t’i thonë kthim mbrapa. Majtas, do të thotë kthim mbrapa. Ora e shqiptarëve është orë e djathtë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në këtë vizitë, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioni, z. Sokol Olldashi, drejtues të pushtetit vendor, deputetë të zonës, etj.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh
“Unë, kam kënaqësi të veçantë, që sot së bashku me ju të inaugurojmë fillimin e punimeve për hyrjen moderne, për hyrjen që qyteti i Kavajës meriton të ketë. Gjatë këtyre katër viteve, qeveria që ju votuat ka investuar në qytetin e Kavajës mbi 12 milionë euro. Ka investuar në tërësi në rrethin e Kavajës 2.5 miliardë lekë. Ka investuar në rindërtimin e plotë të infrastrukturës së brendshme të këtij qyteti, për shkollat, spitalet, Pallatin e Kulturës dhe unë ju ftoj ju, autoritetet vendore, të gjeni truallin për të menduar edhe për dy projekte të tjera të mëdha; Pallatin e Sportit dhe tregun e qytetit.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kavajës,
Një tjetër premtim imi shumë i rëndësishëm është që ju të keni ujë 24 orë. Shpimet janë bërë dhe rezultati shpimeve të puseve tyre dëshmon se cilësia e ujit është e shkëlqyer, dhe se produkti i tyre është plotësisht i mjaftueshëm që Kavaja të ketë ujë 24 orë. Fjala ime e dhënë është që projekti do të fillojë sa më shpejtë ndërtimin dhe të përfundojë brenda një kohe sa më të shkurtër, në mënyrë që Kavaja të furnizohet me ujë 24 orë.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kavajës,
Katër vite të këtij mandati po plotësohen. Ju jeni dëshmitarë se këto katër vite Shqipëria ka ndryshuar më shpejtë dhe më shumë se kurrë. Ju e prekni këtë ndryshim në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tuaja. Ju e prekni këtë ndryshim në shkollat e fëmijëve tuaj, tek mësuesit e fëmijëve tuaj. Ju e prekni këtë ndryshim në mbarë vendin tuaj që është shndërruar në një kantier të vërtetë. Shqipëria në këto 3 vitet që vinë do të jetë vendi me rrjetin rrugor më të ri dhe ndër më të mirët në Evropë. Ju e prekni këtë ndryshim sepse kjo qeveri rriti pensionet në qytet, dhe nga 1 maji që vjen, ato do të rriten nga 38 në 70 %.
Unë ju informoj ju se në mënyrë absolute nuk ka qeveri tjetër që bën një rritje të tillë pensionesh. E kundërta po ndodh. Për shkak të klimës financiare dhe ekonomike, vende të tjera po ngrinë pagat dhe pensionet, ndërsa ne jo vetëm që nuk do ti ngrimë, por në datën 1 maj do të bëjmë rritjen më të madhe në krahasim me katër vitet që shkuan. E prekin ndryshimin të gjithë pensionistët e fshatit që me datën 1 maj i shohin të dyfishuara pensionet e tyre. E prekin ndryshimin të gjithë qytetarët shqiptarë në mbarë kombin sepse në 3 prill, Shqipëria, pas përpjekjeve të përbashkëta dhe shumë të mëdha, anëtarësohet në Aleancën e Atlantikut të Veriut, aleancën më të madhe të lirisë, të të gjitha kohërave, trashëgiminë më të madhe që ne shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre.
Shqipëria do të ketë një të ardhme të sigurt, në liri. Shqiptarët do mund të kapin me shpejtësi kohën e humbur.
Së shpejti, ne do të nisim procesin e kandidimit për në Bashkimin Evropian. Ne shkojmë ballëhapur në Strasburg sepse 26 Parlamente të NATO-s, 26 qeveri të NATO-s, kanë votuar duke e cilësuar më fjalët më të mira votën e tyre për Shqipërinë anëtare të NATO-s. Ne nisim të sigurt procesin e kandidimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sepse 27 vende anëtare të BE-së për shkak të vlerësimit të reformave tona kanë votuar në Parlamentet dhe qeveritë e tyre Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Shqipërinë.
Ju, të rinjtë, burrat dhe gratë e Kavajës, jeni dëshmitarë se në vitet ’90kishim vetëm një lajtmotiv “Shqipëria si Evropa”, “Shqipëria në NATO”. Kjo është Shqipëria si Evropa. Ndaj, dhe ju ftoj a kalojmë shndërrojmë këtë pranverë, në pranverën e një fushate festive dhe të fuqishme elektorale. Dhe, të mos harrojmë se kjo qeveri nuk ia kërkon askujt votën për këto që ka bërë, por e kërkon votën për ato që do të bëjë.
Por, kemi të drejtën morale t’ju kërkojmë besimin sepse i kemi mbajtur premtimet tona. Në qoftë se katër vite më parë, unë, të dashur qytetar dhe qytetare të Kavajës, kam renduar nëpër Shqipëri me premtime, të cilat në atë kohë ishin vetëm një shpresë, ndjej mirënjohjen më të thellë të atyre që na besuan. Sot këto premtime janë një realitet i prekshëm nga qytetarët shqiptarë. Ndaj dhe katër vitet që vinë, ne do të bëjmë që të përfundojnë të gjitha akset më të shkurtra rrugore, të bëhen me katër korsi arteriet më kryesore të vendit, do të përfundojmë boshtin e Jugut, rrugën e Abrti, rrugën e re Tiranë-Elbasan dhe Qafë Plloç-Qukës etj.
Shqiptarët nuk do të udhëtojnë më në rrugë që kanë trashëguar nga pushtimet dhe pushtuesit, të cilat i sillnin e i përcillnin majë maleve dhe kodra pas bregut, por në akse më të shkurtra dhe si qytetarë evropian. Katër vitet që vinë do të jenë vitet e rritjeve të mëdha të pagave dhe pensioneve. Në këto katër vite ne ia dolëm të lëmë pas për paga dhe pensione, për frymë të popullsisë, disa vende të Bashkimit Evropian. Në katër vitet që vinë ne do të lëmë pas për rroga dhe pensione, vende të tjera të Bashkimit Evropian. Qëllimi ynë është që shqiptarët të shpërblehen sa më mirë për punën që bëjnë dhe për njersën që kanë derdhur.
Vëllezër dhe motra
Ne ju kemi premtuar ju se në fund të 2007 nuk do të ketë më ndërprerje të programuara të energjisë elektrike. Së bashku jemi krenarë, sepse përveç efekteve të papërgjegjshmërisë njerëzore, në mënyrën më absolute, nuk ka pasur asnjë orë ndërprerje të energjisë elektrike nga fundi i 2007 e deri më sot. Kjo nuk ka ndodhur se ka patur shira, përkundrazi, prodhimi i përgjithshëm në vitin 2008 ka qenë gjithsej 3.2 miliardë kilovat/orë, kundrejt 3.8 miliardë kilovat/orë që është prodhimi mesatar, por kjo ndodhi sepse ne u zotuam përpara jush dhe kemi blerë përgjatë vitit të kaluar 12 herë më shumë sec kanë blerë qeveria e mëparshme në dy vite të marra së bashku. Por, a është vetëm kjo? Jo, të dashur vëllezër. Ne jemi të vendosur të blejmë të gjithë energjine elektrike që duhet për ju, në mënyrë që të mos e pësojnë shqiptarët nga ndërprerjet e saj. Kur ne, një vit e gjysme më parë deklaruam se do ta bëjmë ketë vend një superfuqi të vogël energjetike në Ballkan, nuk qenë të paktë ata, sidomos në kampin opozitar, që për qeshën dhe protestuan. Sot, ju mund të më thoni se ku jemi? Unë ju ju them se ne kemi firmosur rreth 50 kontrata koncesionare për hidrocentrale nga të cilat është dhe projekti më i madh në Evropë, Kaskada e Devollit, e cila fillon punimet në këto 2-3 muajt që vinë. Ne kemi firmosur për mbi 40 hidrocentrale të tjera. Kemi firmosur kontrata për parqe të mëdha të erës për prodhimin e energjisë. Kemi firmosur mbi 3 miliardë euro kontrata në fushën e energjisë. Pra, po hedhim themelet e një Shqipërie, e cila do të shndërrohet në një eksportues të fuqishëm energjie në Ballkan dhe me gjerë.
Unë kam bindjen se mençuria e shqiptarëve është e tillë, që midis ndryshimit bosh dhe ndryshimit me vepra, ndryshimit me fjalë dhe ndryshimit me rrugë, ndryshimit me mashtrime dhe ndryshimit me ura, shkolla, kopshte, ndryshimit me trillime dhe ndryshimit me rroga dhe pensione të larta, ndryshimit me fantazira dhe në anëtarësimit në NATO, dhe kandidimit për në Bashkimin Evropian, shqiptarët atij ndryshimi do t’i thonë ndryshkim. Atij ndryshimi do ti thonë kthim mbrapa. Majtas, do të thotë kthim pas. Ora e shqiptarëve është orë e djathtë.
Vëllezër dhe motra,
Së fundi, ju ftoj ju, i ftoj të gjithë të gjithë qytetarët shqiptarë që të marrin letërnjoftimet elektronike sepse janë dokumenti personale të identitetit tuaj dhe janë, absolutisht dokumentat e teknologjisë më të lartë që përdoren sot në Evropë dhe në botë. Janë dokumente, me të cilat ju do të mund t’i përdorni për dhjetëra e dhjetëra shërbime. Janë dokumenta, me të cilat ju do të mund të udhëtoni në të katër anët e Evropës si qytetarë të saj. Janë dokumenta, me të cilat ne do të paraqitemi në kutinë e votimit dhe do t’i tregojmë mbarë Evropës se do të votojmë në mënyrë të qytetëruar dhe do të korrim fitoret që do të meritojmë.
Ju faleminderit!”
Vizita në fshatin Synej
Pas inaugurimit të rrugës hyrëse të Kavajës, kreu i qeverisë zhvilloi edhe një vizitë në fshatin Synej, ku tre ditë më parë për shkak të rrëshqitjes së dheut 7 familje mbetën të pastreha. Berisha u shpreh se pas studimit gjeologjik, i cili do të bëhet shumë shpejt, qeveria do të marrë të gjitha vendimet e duhur dhe do të jetë tërësisht në mbështetjen këtyre banorëve.
Kryeministri Berisha u prit nga kryetari i Komunës së Synejit, Përparim Çaça , një grup familjarësh që humbën banesat në këtë ngjarje të rëndë, si dhe me qindra banorë të tjerë, të cilëve u premtoi se rasteve të tilla ne do t’i japim patjetër një zgjidhje. Më pas, Kryeministri Berisha u ndal në oborrin e banesës së Gëzim Muçës dhe bisedoi me banorët.
Nga ana e tyre, banorët e zonës e falënderuan Kryeministrin Berisha për vizitën, si dhe vlerësuan se ndihma e menjëhershme e qeverisë bëri që kjo ngjarje të mos kthehej në një katastrofë të vërtetë dhe të mos humbin jetë njerëzish.
Fjala e kreut të qeverisë
Ne do të bëjmë studimin gjeologjik të të gjithë kësaj zone, në mënyrë që të shmangen fatkeqësi të këtij lloji. Ka qenë nj fat i madh që banorët kanë dalë nga shtëpitë e tyre në kohë, sepse në rast të kundërt do të kishim shumë jetë të humbura si pasojë e kësaj katastrofe. Por, rasteve të tilla ne do t’i japim patjetër zgjidhje. Për këtë arsye dhe studimi gjeologjik, i cili do të bëhet shumë shpejt, është shumë i nevojshëm dhe pas këtij studimi ne do të marrim të gjitha vendimet e duhura. Qeveria do të jetë tërësisht në mbështetjen tuaj. Ju duhet të keni prioritet të madh fëmijët, gratë dhe të moshuarit, të cilët duhet të vendosen në një nga hotelet e Kavajës. Atyre që do të qëndrojnë për t’u kujdesur për bagëtitë dhe për tokat, kjo do të kthehet në një pikë sociale dhe do t’u jepen të gjitha ndihmat e nevojshme. Ndërkohë do të bëhet studimi gjeologjik dhe ne do të marrim një vendim të fuqishëm, sepse këto shpi janë shembur, por e vërteta është që kjo kodër nuk është e premtuese.
Ju zoti Kryetar i Komunës , së bashku me autoritetet e tjera duhet të përcaktoni zonën e trojeve të reja ku do të bëhet postimi i kësaj zone, sepse kjo zonë nuk ka garanci. Kjo është një shembje shumë e madhe, është një shembje që mund të tërheqë pjesë të tjera të kodrës. Prandaj ne duhet të veprojmë fuqishëm dhe në kohë. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit duhet të sistemohen patjetër në kushte normale jetese, ndërsa atyre që do të kujdesen për tokat apo për bagëtitë duhet t’u jepen disa ambiente për të pasur nga afër prodhimet e tyre.
Ne shqiptarët e kemi një parim të rëndësishëm solidaritetin. Ne vërtet nuk jemi një vend i pasur, por nuk jemi më ai vend i varfër që kemi qenë. Ndaj, solidaritetin e kemi parësor dhe ne kemi mundësi të ndihmojmë në një rast si ky. Ne kemi mundësi të ndihmojmë çdo familje shqiptare në nevojë.
Ndaj, unë përgëzoj mediat që në këtë aspekt kanë bërë një punë të shkëlqyer. Ata janë bërë zëdhënësit më të ndjeshëm të atyre që janë në nevojë. Dhe nga kjo media duhet të mësojnë të gjithë zyrtarët, të jetë një zë i hapur, një zë që dëgjohet dhe që oshtin në të gjithë pushtetin dhe qeverinë. Ne nuk jemi më një vend që s’kemi mundësi dhe që ti zgjasim dorën njeriu. Ne i kemi mundësitë për të ndihmuar ndjeshëm njëri-tjetrin dhe familjet në nevojë. Këtë ne jemi shumë të vendosur ta bëjmë. Përsëri në Shqipëri ka qytetarë në mjerim, por ne nuk do të lëmë më qytetarë në mjerim, sepse në mjerim nuk duhet të jetë më askush. Ne i kemi mundësitë që të mos lëmë më njerëz në mjerim. Jemi duke bërë një kuadër të dytë ligjor, për ti dhënë mbështetje specifike njerëzve në nevojë. Ka nëna me disa jetime, ka baballarë që janë në nevojë. Pra, të gjitha këto aspekte ne duhet t’i përparësojmë dhe duhet t’i përparësojmë. Por, duhet që qeveritarët vendorë t’i bëjnë sytë katër dhe të shohin se ku janë, ku ndodhen dhe çfarë bëjnë këto familje në nevojë. Nuk rrihet indiferent ndaj dhimbjeve të njerëzve. Njeriu në mjerim, mjerimin e ka gjithë ditën, nga mëngjesi në darkë. A kanë tre vaktet për t’u ushqyer, a kanë ilaçe apo nuk kanë mundësi t’i marrin ato? Pra, duhet të ecim, duhet ta ndërtojmë gjithnjë e më shumë këtë solidaritetin social. Një gjë e keni bërë, keni rritur në mënyrë të jashtëzakonshme faturën sociale, por do ta rrisim sërish sepse nuk them që kemi arritur përsosjen. Por, përsëri ne po punojmë. Ne po 2-fishojmë rrogat dhe po përgatisim një kuadër të ri ligjor,por, sërish, edhe ky kuadër ligjor duhet të konsiderohet me një ndjeshmëri të lartë ndaj shtesave në nevojë. Duhet të jemi akoma dhe më solidar me njëri-tjetrin”.
...