E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli i jep Greqisë vetëm 2 vjet kohë për stabilizimin e ekonomisë, ndryshe do të shpallet falimentimi i shtetit dhe përjashtimi nga KE-ja

Zyrtarizohen njoftimet për falimentimin e ekonomisë së shtetit grek. Pas deklarimeve të ministrit gjerman të financave dhe përgënjeshtrimeve jo fort të besueshme të kryeministrit grek në detyrë, Kosta Karamanlis, sot ka ardhur edhe verdikti final i Brukselit. Komisioni Evropian i ka dhënë Greqisë një afat prej vetëm dy vitesh për ta zvogëluar deficitin buxhetor nën tre për qind të BPV, nga rreth 9 përqind që mbërriti në mënyrë surprizë në semestrin e shkuar ekonomik. Ultimatumin e ka zbuluar sot e përditshmja "Elefteros Tipos" e Athinës, e cila ka shtuar në komentin e vet se Greqia pat kërkuar një periudhë trevjeçare për zvogëlimin e mungesës së tejkaluar në buxhetin. Ministrat e financave të eurozonës pritet të shpallin nesër edhe rekomandimet për shtetet anëtare me deficit tepër të lartë buxhetor. Krahas Greqisë, pranë falimentimit ekonomik është edhe ekonomia irlandeze, ndërkohë që problemet ekonomike janë të thekshme edhe për ekonomitë e Spanjës dhe Francës. Gjithmonë, sipas gazetës së Athinës, prej 6 prillit do të nisë procedura për mbikëqyrje të ekonomisë greke, ndërsa në tetor Komisioni Evropian do të shqyrtojë masat që ka ndërmarrë Greqia për zvogëlimin e deficitit buxhetor nën tre për qind. Edhe më herët, qeveritë greke ishin akuzuar prej specialistëve të Brukselit si hileqare dhe që kishin raportuar bilance dyfishe, prandaj duket se këtë herë gjatë testimit dhe çertifikimit të falimentimit të ekonomisë greke, nuk do të ketë rast për marrëveshje besimi, por veç për çertifikime të kontrolluara

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›