Fituesit e zgjedhjeve në Maqedoni do t’i nënshtrohen Ligjit të Dosjeve

Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia ka vendosur të verifikojë dosjet e fituesve te zgjedhjeve, pas përfundimit të procesit, meqenëse komisioni nuk mundi ta fillonte punën para 22 marsit, për shkak të polemikave të shumta politike
Klasa politike në Maqedoni duket e vendosur për t’u shkëputur njëherë e mirë nga e kaluara komuniste, titiste, nacionaliste apo edhe e korrupsionit. Komisioni për hapjen e dosjeve pas zgjedhjeve shpallil sot se do të verifikojë personalitetet do të dalin fitues në zgjedhjet presidenciale dhe vendore të 22 marsit. Kjo është bërë e ditur nga përfaqësues të këtij komisioni, që tashmë janë të vendosur në zyrat e punës në një hapësirë prej 350 metra katrorë në katin e 17 të RTM-së. Komisioni për hapjen e dosjeve u përball me polemika të shumta dhe nuk mundi ta niste punën para zgjedhjeve, megjithatë drejtuesit e tij janë të vendosur ta vënë në zbatim Ligjin e Lustracionit (një term shumë i njohur edhe për klasën politike në Tiranë) “a posteriori”. Të gjithë kandidatët për president, kryetar komune dhe këshilltarë kishin deponuar pranë komisioneve zgjedhore komunale dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) deklaratat e tyre të verifikuara në noterë, se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete policore. Kryetari i Komisionit për dosjet, Agim Mehmeti ka theksuar se së shpejti anëtarët e komisionit do t`i rreken punëve dhe sipas tij fillimisht do të verifikohen deklaratat e funksionarëve të zgjedhur në zgjedhjet presidenciale dhe vendore. “Nëse dikush nga funksionarët e zgjedhor do të dalë se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete, atëherë ai patjetër duhet të braktisë funksionin. Sipas Ligjit për lustrim, për dhënien e deklaratës së rrejshme, gjithashtu funksionarët do të dënohen me dënim me burg prej një viti”, ka theksuar për mediat, Agim Mehmeti.