E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Vatikan, takim me Papa Benediktin XVI



Kryeministri Sali Berisha dhe zonja e tij Liri Berisha, gjatë ditës së djeshme zhvilluan një takim në Vatikan me Papa Benediktin XVI. Në po të njëjtën ditë të vitit 1466, Skënderbeu takoi Papa Palin II. “Sot e 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu, u prit në Vatikan nga Papa Pali II. Ai erdhi këtu për të kërkuar dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha të Perëndimit në rajon kundër invadorëve. Nuk besoj se do të mund të ishte gjetur gjë e më e bukur, gjë më domethënëse në jetën time, për mua dhe shqiptarët, sesa kjo audiencë, kjo pritje që më akordohet më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë. Edhe një herë, një mirënjohje shumë të thellë Atit të Shenjtë për audiencën që më akordoi”, - theksoi Berisha gjatë takimit me Papa Benediktin XVI. Kryeministri i shprehu Papa Benediktit XVI mirënjohjen e thellë të tij, qeverisë shqiptare dhe mbarë kombit shqiptar për mbështetjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë konsolidimit të demokracisë në Shqipëri, zhvillimit ekonomik dhe kulturor të saj, që nga fillimet e demokracisë dhe deri sot.
Kryeministri Berisha i dorëzoi Papa Benediktit XVI ftesën për një vizitë në Shqipëri vitin e ardhshëm, në 100-vjetorin e lindjes së shqiptares së madhe Nënë Tereza. Papa Benedikti XVI u shpreh se, Selia e Shenjtë do të mbështesë plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zhvillimin e Shqipërisë në të gjitha fushat. Kryeministri Berisha falënderoi Vatikanin për mbështetjen që ka dhënë për popullin e Kosovës për daljen nga kthetrat e Millosheviçit. Në kuadër të vizitës zyrtare në Vatikan, kryeministri Berisha zhvilloi edhe një takim me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Tarcisio Bertone.

14 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›