Imeraj: “Shpifjet dhe intrigat, janë për fshehjen e krimit në kutitë e 28 qershorit”
Pas deklaratës së kryetarit të grupit të këshilltarëve demokratë, Ferdinand Poni, ka reaguar selia rozë, duke i cilësuar të gjitha akuzat si shpifje për të fshehur krimin që qëndron në kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, gjatë një deklarate për shtyp bëri të ditur se PD-ja duhet të ketë parasysh se ndaj kryetarit të PS-së dhe njëkohësisht kryeministrit të vendit, Sali Berisha, janë depozituar 20 padi. “Karagjozllëku me të vërtetën e me opinionin publik s’ka të sosur. Del Poni i listave të manipuluara e kutive të mbyllura dhe kërkon shkarkimin e Ramës si kryetar Bashkie me akuzat që Edi Rama i ka çuar në gjykatë e në prokurori! Këta zotërinj janë kapur mat te kutitë e mbyllura dhe çfarë nuk hapin e përhapin për të shpërqendruar vëmendjen. E kanë të kotë, nuk i shpëtojnë dot ballafaqimit me të vërtetën duke ngritur një mal shpifjesh e intrigash për t’i larguar sytë e shqiptarëve nga krimi i fshehur në kutitë e 28 qershorit. Sa për akuzat ndaj Ramës janë dhjetë padi në gjykatë e dhjetë padi në prokurori që e presin Sali Berishën. Le të bëhet burrë e t’i faktojë ato akuza të turpshme për çdokënd, jo më për një kryeministër”, - theksoi Imeraj.
Sipas deklaratës së PS-së, ndaj kryeministrit Berisha aktualisht rëndojnë 10 padi civile në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe 10 padi penale në Prokurorinë e Tiranës. Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në një deklaratë të bërë dy ditë më parë theksoi se Berisha duhet të përballet me organet e Drejtësisë dhe paditë që janë depozituar kundrejt tij për shpifje ndaj tij dhe Bashkisë së Tiranës. Madje edhe punonjësit e Bashkisë kanë reaguar gjatë ditëve të fundit, duke iu drejtuar edhe ndërkombëtarëve për përbaltjen që po u bëhet punës së tyre.
14 Dhjetor 2009