E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do i ul sërish taksat. Ndërtuesit të ulin çmimet e apartamenteve

Share

Një tryezë ku biznesi u duk i heshtur duke mos u ankuar as për referencat siç ndodhi në tryezën e Ramës. Berisha u tha atyre se jemi ndër 10 vendet e para në planet për klimën e biznesit. Berisha tha se opozita u ofron shqiptarëve komunizmin

Kryeministri Sali Berisha deklaroi përpara përfaqësuesve të biznesit se do të ulë taksat sërish. Berisha tha se Shqipëria është ndër 10 vendet e para në planet për klimën e biznesit.

Në një hark kohor të shkurtër, ne ia dolëm që me reformat e ndërmarra bashkërisht ta bëjmë ekonominë shqiptare një ekonomi kompetitive, të bëjmë që kjo ekonomi, në kohërat më të vështira për ekonominë europiane dhe atë botërore, të trefishojë eksportet dhe të rrisë mbi tre herë investimet e huaja. Me këto reforma, ne bëmë që Shqipëria në disa nga treguesit e klimës së biznesit të qëndrojë në 10 vendet e para të planetit dhe në disa të tjerë të qëndrojë në 20 vendet e para të tij. Sikundër në ndonjë prej tyre të gjendet në pozicionet më të papërshtatshme, tha Berisha.

Kryeministri tha se botës kriza i vjen nga taksat e larta.

Sot është jetike një paketë e re reformash, është vendimtare një përpjekje e re për ta bërë edhe më kompetitive ekonominë shqiptare. Ne jemi qeveri e përcaktuar për taksën e ulët, ne jemi të vendosur ta konsolidojmë atë dhe ju garantojmë juve se jo vetëm se nuk do të ketë rritje taksash, por po studiohet e do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme për shoqërinë, sesa taksat e larta. E vërteta është se bota përjetoi krizën më të thellë, pas viteve 30 të shekullit të kaluar, jo se ajo u gjet me taksa të ulëta, por se ajo u gjet me taksa të larta, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, opozita po i ofron vendi si alternativë komunizmin. E vërteta tjetër shkencore është se studime shumë të besueshme të grupeve të universiteteve më serioze të botës si Oxford kanë faktuar se çdo dollar i ulur nga tatim fitimi apo taksa e të ardhurave personale, 0.54 përqind i shkon punëtorit dhe punonjësit me shtim të vendeve të punës, me rritje të pagave, me përmirësimin e kushteve të punës. Ata që mendojnë se do ta shërojnë ekonominë duke shkatërruar të pasurit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan më rrënimtaret në historinë e njerëzimit. U rikujtoj këtyre zotërinjve se komunizmi ka filluar me NEP-in dhe thirrjet e tyre të kujtojnë kohërat e NEP-it, por ajo që është faktuar në mënyrën më të sigurt është se të varfrit nuk ndihmohen kurrë duke shkatërruar të pasurit, në një vend të lirë. Ndaj, ne nuk besojmë në dogmën marksiste të taksave të larta. Ne jemi e do të bëjmë gjithçka për të ruajtur pozicionin e nivelit të vendit me taksa ndër më të ulëtat në botë, tha Berisha.

Kryeministri u kërkoi biznesmenëve që të ulin çmimet e apartamenteve, pasi nuk po ua blen kush. Edhe pse biznesi ankohet se ka rënë fuqia blerëse dhe çmimet janë në nivele të pranueshme, Berisha tha se duhet marrë një nisëm e tillë për të nxitur edhe të huajt që të blejnë apartamente.

Në përgjithësi biznesi u ankua për burokracitë në administratë. Ata kërkuan uljen e TVSH-së për makineritë dhe paketat turistike, por nuk u ndjenë për çështjen e referencave, siç ndodhi në tryezën e Ramës.

Propozimet e Berishës për biznesin

Regjistrimi i biznesit. Në Shqipëri për të filluar biznesin nevojiteshin deri tani 5 procedura. Ne mendojmë se këto të thjeshtohen në dy procedura, do të eliminohet noterizimi i dokumenteve, vula e kompanisë dhe parapagesa e taksave në bashki. Ne presim me interes sugjerime të tjera nga ju.

Leja e ndërtimit. Në Shqipëri, lejet e ndërtimit kanë qenë në krye të shtyllës së turpit në botë dhe kjo jo për shkak të Shkodrës a Vlorës, sepse këto bashki, sipas Bankës Botërore, kanë qenë në standardet ndërkombëtare të Londrës e Parisit, por për shkak të kryeqytetit. Për lejen e ndërtimit duheshin 436 ditë. Në një kohë që Singapori e ka 36 ditë. Nuk kishte dhe nuk ka mesazh më negativ për investitorët, kur ai mendon se për të marrë një leje ndërtimi duhet të harxhojë një vit e gjysmë dhe kur e mendon këtë për Tiranën, mendoni se çfarë mund të imagjinojë për periferitë e Shqipërisë, çka, në fakt, ishte e kundërta. Kështu, nga 23 procedura do të mbeten vetëm 5 dhe afati i lejes së ndërtimit do të jetë 35 ditë. Bashkitë do të ngrenë One stop shop për marrjen e lejes dhe do të jenë ato që do të garantojnë lejet për energjinë, ujësjellësin, linjat telefonike dhe të gjitha burokracitë e tjera. Nuk do të jetë më ndërtuesi, ai që do të vrapojë pas këtyre zyrave. Bashkia disponon të gjitha hartat. Natyrisht, ajo duhet të paguajë dy apo tre punonjës më shumë në shërbim të ndërtuesve, biznesmenëve.

Furnizimin me energji. Pas lejes së ndërtimit, edhe këtu shënohet një rekord tjetër negativ. Për tu lidhur me energji, biznesit shqiptar i duhet rreth 6 muaj. Një qëndrim tërësisht i papranueshëm. Në Task Force u diskutua që procedurat të reduktohen nga 6 në 4 dhe ditët nga 177 në 45, ndërsa kostoja nga 585 përqind e Prodhimit të Brendhshëm për frymë në 233 përqind. Përsëri Task Force ka qëndruar larg, pasi nuk duhet të pranojmë që Gjermania, vendi më industrial ta ofrojë këtë shërbim për 17 ditë dhe Shqipëria ta ofrojë këtë shërbim, siç vendosi Task Force, për një afat 45 ditor. Ndaj them këtu se ka mundësi e potencial që të zbresim në nivelin e Islandës, Gjermanisë apo Tajvanit.

Regjistrimi i pronësisë. Edhe ky është një proces hektik, i mundimshëm. Edh ky proces i kërkon biznesit 33 ditë. Task Force ka vendosur ta reduktojë atë në 13 ditë. Ndonëse potenciali për ta ulur më tej është real. Le të diskutojmë këtu për mënyrat e rrugët e uljes së tij.

Marrja e kredisë. Shqipëria ka një pozicion të lakmueshëm në këtë aspekt. Sidoqoftë duhet përmirësuar. Nga vlerësimi në tërësi, del si një domosdoshmëri të ngremë një agjenci jo shtetërore, private, e cila të regjistrojë borxhlinjtë dhe kjo të notifikojë bankat në mënyrë që ato të mos riskojnë kreditë e tyre aty ku nuk duhet.

Mbrojtja e investitorit. Pozicioni është i lakmueshëm. Shqipëria qëndron në vendin e 15 në botë. Por ka vend për të ecur më tutje, ndaj në këtë aspekt, ne presim mendimet tuaja.

Pagesa e taksave. Edhe ky është një proces i mundimshëm për ju. Ne kemi vendosur barrën fiskale më të ulët, por ne nuk ia kemi dalë ende të vendosim barrën burokratike më të ulët. Por shpresojmë e jemi të sigurt se me një seri masash shumë të afërta, ne do të kalojmë në standardet më të mira të barrës burokratike. Do të heqim pagën referuese. Me masat që do të marrim, numri i pagesave të tatim fitimit do të ulet nga 13 në 5. Me përfundimin e plotë të sistemit online, ne do të adaptojmë standardet burokratike më minimale në vjeljen e taksave. Ky sistem përfundon në muajin qershor të këtij viti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›