E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në konferencë për raportin e ndërkombëtarëve

TIRANË- Objektiv dhe karakterizuar nga një vërtetësi e madhe. Kështu e ka cilësuar kryeministri Sali Berisha raportin final të OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet në parlamentare në vendin tonë, publikuar sot pasdite.
Gjatë një konference për shtyp, posaçërisht për këtë raport Berisha ka cituar pjesë të raportit ku nënvizohet progresi i bërë në zgjedhje, duke pranuar edhe rekomandimet për të metat dhe problemet e konstatuara.
"Ky raport karakterizohet nga një vërtetësi e madhe, vlerësim objektiv. Në fillim të këtij raporti theksohet se zgjedhjet shënuan progres thelbësor me regjistrimin e zgjedhësve, votimin, numërimin dhe shqyrtimin e ankesave. Ai thekson se zgjedhjet përmbushën shumicën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe thekson se nuk ka pasur prova për numërim të parregullt apo manipulim të rezultateve"- tha Berisha.
Ai deklaroi se raporti është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe në Evropë, duke pranuar se "natyrisht evidenton një seri të metash, shprehet qartë se zgjedhjet nuk shfrytëzuan përmbushjen e standardeve më të larta demokratike. Të gjithë rekomandimet do të shikohen me seriozitetin më të madh në programin e qeverisë sime, do konsultohen një nga një për të dhënë përgjigjen më të mirë"- tha më tej ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha ftoi liderin socialist Edi Ramën të heqë dorë nga bojkoti, pasi vendi i partisë së tij është në parlament.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›