E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nga Bathorja Opozita kerkon te bllokoje integrimin e vendit

Kryeministri Sali Berisha ka përuruar sot shkollën 9 vjeçare Ahmet Zogu në Bathore të kryeqytetit.
Gjatë fjalës së tij kryeministri akuzoi opozitën se kërkon të bllokojë integrimin e vendit dhe u bëri thirrje nxënësve të ndjekin punimet e parlamentit dhe të shohin sesi deputet e opozitës duan të rrënojnë ëndrrën evropiane.

“Ju bëj thirrje të ndiqni punimet e parlamentit, tempullit të demokracisë së kombit dhe do shihni se çdo ditë një grup i vogël deputëtsh largohen nga salla për të mos votuar ligjet e integrimit. Por me karriget bosh ata duan të rrënojnë ëndrrën tuaj evropiane”- deklaroi nga Bathorja kryeministri Berisha i cili i bëri thirrje nxënësve që prindërit e tyre të votojnë rrugën e të ardhmes evropiane në 2013.
“Ndaj ju bëj thirrje që me votën e tyre prindërit tuaj të votojnë. jo vetëm për ju, por për të ecur të sigurtë drejt të ardhmes evropiane”- vijoi kryeministri.

Duke konsideruar arsimin përparësi madhore për vendin dhe shtëpinë e dytë të fëmijëve, Berisha u shpreh se janë ndërtuar 1300 shkolla në vend, ndërkohë që vetëm në kryeqytet janë gjetur troje dhe do të ndërtohen 10 shkolla të reja, ndërsa akuzoi Ramën se në 11 vite ndërtoi vetëm 7 shkolla të reja.

Gjithashtu shefi i qeverisë përmendi edhe rritjen e pagës së arsimtarëve në këto vite të qeverisjes së tij dhe premtoi se do të bëjë gjithçka për një sistem arsimor modern dhe me standarde të larta.

Sipas tij zhvillimi i vendit nis nga cilësia në arsim, ndërsa renditi se vetëm në Kamzë u ndërtuan 23 kopshte dhe shkolla.

Shkolla e përuruar sot në Bathore ka 24 klasa dhe me një kapacitet prej 1400 nxënësish.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›