E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend vijon diskutimi per pr/ligjin e Gjykates se Larte

Kuvendi vijon diskutimet për pr/ligjin e Gjykatës së Lartë, të cilat u shoqëruan me akuza dhe debate të ndërsjellta mes PD dhe PS. Deputeti demokrat Alibeaj akuzoi të majtët se po e mbajnë peng këtë ligj për pazare, dhe jo thjesht për Këshillin e Qarkut të Fierit. Sipas tij çështja e ligjit të Gjykatës së Lartë nuk ka të bëjë me çështjen e kryetarit të qarkut Fier.
“Ju keni për qëllim një pazar, doni të kapni copëza nga Gjykata Kushtetuese nga Gjykata e Lartë, doni të merrni Prokurorinë. Ju tregoheni lakuriq para moralit të vendit. Ligjin e Gjykatës së Lartë vetë e kërkuat, rasti i Gjykatës Administrative. Ju doni një pazar tjetër, doni këshillin e qarkut të Fierit. Ju nuk pranoni votën e qytetarëve të Fierit”, tha Alibeaj.

Në replikë, deputeti socialist Taulant Balla tha se Alibeaj nuk foli si deputet i Fierit, por si djali i Ali Beut. “Një be mund të flasë si ty, ndërsa populli i Fierit është shprehur me votë edhe në 8 maj, duke e dhënë vullnetin për këshillin e qarkut Fier, asgjë nuk do ndryshojë në sistemin e drejtësisë nëse miratohet ligji”, shtoi ai.
Deputeti i majtë tha më tej se ligji nuk mund të votohet, pasi nuk është i plotë

Ndërkaq Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi iu përgjigj akuzave të socialistëve, duke i ftuar ata të bëjnë publike para qytetarëve vendimet për qarkun e Fierit dhe “jo të spekulojnë, e të fshihen me retorika boshe”.

"Nxirrni ndonjë nga vendimet që thoni se nuk janë respektuar e mos gënjeni popullin. Nxirrini qytetarëve të Fierit ndonjë vendim dhe thoni se ky është vendim që nuk na lejon 'x' zyrtar i këtij vendi, por mos u fshihni pas retorikave boshe", - tha ministri i Drejtësisë sot në Kuvend.
Halimi tha gjithashtu se ky ligj është kërkuar nga Brukseli, por opozita, po e fut në axhendën e Fierit.
“Kjo është axhenda e Brukselit, por ju po e bëni në axhendën e Fierit”- deklaroi Halimi.

Deputetët socialistë e kanë kushtëzuar miratimin e këtij pr/ligji të rëndësishëm me plotësimin e tre kërkesave të tyre, që kanë të bëjnë me reformën parlamentare, zhbllokimin e financimeve për bashkitë e drejtuara nga opozita dhe zgjidhjen e problemit për drejtimin e qarkut të Fierit.

Ndërkombëtarët kanë apeluar që ndryshimet në ligjin "Për Gjykatën e Lartë" të miratohen sa më shpejt, në mënyrë që të bëhen pjesë e vlerësimit që komisioni pritet të japë për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE.

Në seancën e sotme u diskutua pr/ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore", për të cilin ministri i Brendshëm Flamur Noka deklaroi se është një ligj që i shërben administratës, dhe që është hartuar sipas standardeve të BE.
Por deputeti i PS-së Blendi Klosi tha se ky ligji nuk zgjidh asgjë për administratën publike, por i shërben qeverisë.

Axhenda e sotme e Kuvendit përfshin dhe shqyrtimin e pr/ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore", disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për profesionin e avokatit", si dhe interpelancën me Ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, kërkuar nga deputeti socialist, Albert Çaçi.

Vijon...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›