E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani takon anetare te Dhomes se Tregtise Shqiptaro-Amerikane

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një bisedë të detajuar me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Amerikane, me fokus në çështjet e ndryshme që lidhen me ekonominë, reformat ligjore që përmirësojnë klimën e biznesit dhe investimeve, luftën kundër krimit ekonomik dhe krimit të organizuar.

Anëtarët e saj e njohën Presidentin Nishani me dëshirën e tyre për të investuar në ekonominë shqiptare, duke e vënë në dijeni edhe për kërkesat e tyre në këtë drejtim.

Përfaqësuesit e Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë kërkuan më shumë transparencë dhe efektivitet në mbrojtjen dhe sigurinë e investitorëve të huaj në Shqipëri, që do të mundësonte më shumë investime në fusha prioritare në vendin tonë.

Pasi i njohu anëtarët e kësaj dhome dhe dëgjoi me vëmendje kërkesat e tyre, Kreu i Shtetit i garantoi se reformat e ndërmarra ligjore kanë rritur sigurinë në vend për investitorët e huaj.

Presidenti Nishani i inkurajoi përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Amerikane të investojnë në vendin tonë duke i siguruar për mbështetjen e institucioneve shqiptare.
Presidenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar për zhvillimin dhe demokratizimin e Shqipërisë.

Kryetari i Shtetit vlerësoi edhe mbështetjen e madhe që SHBA-të i dhanë Kosovës për Pavarësinë e saj, rolin e Shqipërisë në rajon, duke nënvizuar se forcimi i faktorit shqiptar është garanci për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›