E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha nga Shkupi: PS e do pushtetin me çdo kusht

SHKUP - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një vizitë të ngjeshur takimesh në Maqedoni ku gjatë takimeve me krerët e lartë të shtetit dhe liderët e partive politike shqiptare, diskutoi situatën në rajon.

Gjatë takimit me homologun maqedonas Nikola Gruevski, Berisha theksoi se është një absurditet ideja që qarkullon për ndarjen e Kosovës duke e quajtur ndarjen e Kosovës si ‘zëra nga guzhina e Millosheviçit’. Më pas Berisha vuri në dukje se ajo që qarkullonte në vitet `90, mesazhe të ndryshme me hartat e Kosovës në xhep për një ndarje të Kosovës, ishte një absurd. Respektimi i kufijve aktualë të Kosovës s’është jetik; është jetike dhe në interes të të gjitha vendeve të rajonit, se nuk duhet të përdoren më syzet e kasapit të Ballkanit për rajonin tonë dhe të ardhmen e tij.

Më pas kryeministri theksoi se shumë shpejt do të firmoset një marrëveshje dypalëshe që shqiptarët dhe maqedonasit midis tyre të lëvizin pa pasaporta por vetëm me kartat e identitetit, ato biometrike. Berisha bëri prezent edhe situatën politike në vend duke thënë se në Shqipëri ka një realitet fatkeq sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

“Opozita shqiptare nuk voton ligjet me tre të pestat në parlament”, - tha kryeministri shqiptar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun maqedonas, Nikola Gruevski.

Në të njëjtën linjë, Berisha shpjegoi se opozita shqiptare nuk e bën këtë se është antieuropiane, sepse ajo në programin e vet ka integrimin në Bashkimin Europian, por e bën këtë se mendon se në këtë mënyrë i afrohet më lehtë pushtetit. “Këshilltar i saj nuk mund të bëhem. E vërteta është se i largohetmë shumë pushtetit”,- tha Berisha.

(er.nu/GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›