Berisha nga Sllovenia: Nëse parlamenti dështon, shqiptarët vendosin për imunitetin
Slloveni- Kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës së tij në Slloveni ka zhvilluar edhe një takim me Forumin Strategjik të Bled-it, një takim i përvitshëm që organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme sllovene dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.
Kreu i qeverisë në fjalën e tij në këtë takim foli për antarsimin e vendit në Bashkimin Europian dhe shprehu angazhimin e qeverisë në këtë proces duke theksuar se 96 % e shqiptarëve e mbështesin antarësimin.
Qeveria shqiptare e konsideron anëtarësimin e Shqipërisë në BE si një proces të bazuar tërësisht në meritë. Megjithatë disa probleme të brendshme, plotësisht të bazuara në kalkulime politike të gabuara dhe të dështuara, e kanë ngadalësuar pak procesin. Së fundmi, një frymë bashkëpunimi bipartizan bëri të mundur miratimin me konsensus të reformës zgjedhore dhe të disa ligjeve të tjera të rëndësishme për procesin e integrimit, – tha Berisha.
Në lidhje me debatin për çështjen e imunitetit, kryeministri theksoi se mazhoranca po punon për ta hequr atë në Parlament, por nëse kjo nuk do të jetë e mundur, atëherë do jenë qytetarët ata që do të vendosin për këtë çështje.
“Jam thellësisht i bindur se vendi im duhet ta heqë imunitetin dhe kjo duhet të ndodhë. Ne po punojmë që ta heqim atë në Parlament. Por, në rast se kjo nuk do të jetë e mundur, shqiptarët do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre mbi këtë çështje themelore. Përsëris vullnetin e qeverisë shqiptare për miratimin e çdo mase, çdo reforme, ligji apo vendimi tjetër të nevojshëm, që vendi ynë të ecë përpara drejt rrugës së tij të pandalshme drejt BE-së. Ne po punojmë ngushtë me komisionin e BE-së dhe vendet mike për të plotësuar sa më shpejtë që të jetë e mundur të gjitha detyrimet tona për statusin e vendit kandidat- u shpreh Kryeministri.
Të pranishëm në punimet e Forumit ishin personalitete të larta ndërkombëtare nga Kroacia, Mali i Zi, Sllovakia, Jordania, Palestina, etj, drejtues të lartë të OECD-së, të OSBE-së, si dhe përfaqësues të fushave ekonomike, industriale, akademike, nga më shumë se 50 vende. I pranishëm në këtë forum ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
/IDEA/