E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ngre Këshill për të sulmuar biznesin

Kryeministri urdhëron ngritjen e një Këshilli. Ngatërron dekretet me aktet normative


TIRANË - Një ditë pas sulmit të ashpër që kryeministri Sali Berisha i bëri sipërmarrësve, dhe medieve opozitare, që nuk janë të rreshtuar krah tij, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është propozuar ngritja e Këshillit Ligjor, që sipas kryeministrit të vendit do të shërbejë për luftën ndaj mafies.


Gjatë fjalës së mbajtur në kryeministri, Berisha theksoi se pas goditjes së disa grupeve kriminale, tani e kanë radhën grupet mafioze me pushtet apo, nehatët e kollarisur, siç e quajti ai.


Preteksti i nxjerrë nga kryeministri i vendit ishte se lufta ndaj mafies, do të jetë ligjore, pa u ndikuar nga ngjyrimet politike. "Gjatë këtyre ditëve e kam theksuar se në rast në mandatin e parë ne çmontuam një nga një bandat, që bënin ligjin në qytete, rrethet dhe portet e këtij vendi, Nehat Kullat, Aldo Baret, Lul Berishat etj., tani kanë ngelur nehatët e kollarisur, kanë ngelur bosët e mafias.


Në këtë luftë dhe në këtë përpjekje, në mënyrë kategorike nuk do të ketë ngjyra, se ngjyra e krimit ekonomik është ngjyra më e shëmtuar, do ketë qëndrim rigoroz ligjor", - tha dje Berisha. Kryeministri sulmoi edhe Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se asnjë investitor i huaj nuk ka mundësi që të investojë në Tiranë, për shkak se, sipas Berishës, investitorët e huaj nuk i lejon mafia të afrohen.


Duke e cilësuar këtë një gjendje emergjente Berisha theksoi se qeveria do të përdorë edhe dekretin për të luftuar mafian, një nismë kjo që mund të ndërmerret në fakt vetëm nga ana e Presidentit, pasi Këshilli i Ministrave nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.


Në bazë të nenit 101 të Kushtetutës, qeveria, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative, që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur.


"Brenda bashkisë së Tiranës nuk ka ndonjë investim të huaj. Ndërkohë që kemi zona të tëra në Farkë, në Kashar, në Dajt, për të huajt kjo është e ndaluar në Tiranë dhe kjo sepse të huajt nuk do të pranojnë të krijojnë kartelin e çmimeve të ndërtimit. Nuk i lënë, pasi vetë marrin nga 150 mijë metra katror sipërfaqe ndërtimi. Situata është emergjente.


E theksoj, më gjeni një investitor të huaj që të ketë guxuar të ndërtojë në Tiranë dhe kjo, jo se investimet në Tiranë nuk janë të leverdishme, pasi, absolutisht, çmimet në periferi të Tiranës janë të barabarta me çmimet në periferi të Berlinit, por nuk të lë mafia që të afrohen.


Kjo situatë është e patolerueshme dhe duhet të marrë përgjigjen më të fuqishme. Qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit. Ajo nuk do të ngurojë të përdorë dekretin. Lufta kundër mafias është emergjente", - tha Berisha.


Kutitë e votimit


Ndërkohë, mbrëmë Kryeministri Sali Berisha deklaroi se mazhoranca nuk do t'i hapë kutitë e votimit, çfarëdo çmimi që mund të sjellë ky qëndrim, për vendin. Sipas Berishës, lideri i opozitës, Edi Rama, ka zgjedhur një kërkesë që është kategorikisht e papranueshme.


Në një intervistë për emisionin "Opinion", Kryeministri i vendit, theksoi qartë qëndrimin e mazhorancës, që ai drejton se, nuk do të pranojë në asnjë mënyrë kërkesën e opozitës për të hapur kutitë e votimit edhe pse opozita ka vendosur që të përshkallëzojë protestat.


Sipas tij, Rama e ka ndërmarrë këtë nismë jo në emër të votuesve, por në emër të klaneve siç i quajti ai. "Kutitë nuk hapen në mënyrë absolute. Kjo është e vlefshme për çdo çmim. Rama me kupolën që drejton ka përzgjedhur një kërkesë, që është kategorikisht e papranueshme. Rama ka bërë zgjidhje jo në interes të votuesve, por në interes të klaneve mafioze", - tha dje Berisha.


Lideri i së djathtës ka përsëritur justifikimin se kutitë nuk mund të hapen pasi një veprim i tillë prek vendimet e gjykatave. "Absolutisht, kurrë nuk i hap kutitë. Nuk mund të shkel mbi vendimet e gjykatave. Kupola do të thyejë gjykatën. Ta provojë nëse na rrëzon me protesta. Po të protestojë e qetë ka respektin më të madh.


Nëse bëhet e dhunshme, ka vetëm një njeri përgjegjës në Shqipëri dhe asnjë njeri tjetër. Kush mendon se një qeveri e vullnetit të lirë të shqiptarëve mund ta rrëzojë me mjete revolucionare, atëherë forca e ligjit do të bjerë mbi të dhe përgjegjësi do të jetë vetëm Rama", - u shpreh më tej Berisha.

Berisha: Nuk i hap kutitë me çfarëdo çmimi

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se mazhoranca nuk do t'i hapë kutitë e votimit, çfarëdo çmimi që mund të sjellë ky qëndrim, për vendin.


Sipas Berishës, lideri i opozitës, Edi Rama, ka zgjedhur një kërkesë që është kategorikisht e papranueshme. Në një intervistë për emisionin "Opinion", Kryeministri i vendit, theksoi qartë qëndrimin e mazhorancës, që ai drejton se, nuk do të pranojë në asnjë mënyrë kërkesën e opozitës për të hapur kutitë e votimit edhe pse opozita ka vendosur që të përshkallëzojë protestat.


Sipas tij, Rama e ka ndërmarrë këtë nismë jo në emër të votuesve, por në emër të klaneve siç i quajti ai. "Kutitë nuk hapen në mënyrë absolute. Kjo është e vlefshme për çdo çmim.


Rama me kupolën që drejton ka përzgjedhur një kërkesë, që është kategorikisht e papranueshme. Rama ka bërë zgjidhje jo në interes të votuesve, por në interes të klaneve mafioze", - tha dje Berisha. Lideri i së djathtës ka përsëritur justifikimin se kutitë nuk mund të hapen pasi një veprim i tillë prek vendimet e gjykatave.


"Absolutisht, kurrë nuk i hap kutitë. Nuk mund të shkel mbi vendimet e gjykatave. Kupola do të thyejë gjykatën. Ta provojë nëse na rrëzon me protesta. Po të protestojë e qetë ka respektin më të madh. Nëse bëhet e dhunshme, ka vetëm një njeri përgjegjës në Shqipëri dhe asnjë njeri tjetër.


Kush mendon se një qeveri e vullnetit të lirë të shqiptarëve mund ta rrëzojë me mjete revolucionare, atëherë forca e ligjit do të bjerë mbi të dhe përgjegjësi do të jetë vetëm Rama", - u shpreh më tej Berisha.


Ambasadori i OSBE: Politika të përdorë një gjuhë më të butë

TIRANË - Edhe pse mazhoranca dhe opozita nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre, ndërkombëtarët vazhdojnë të bëjnë thirrje për dialog të qëndrueshëm politik.
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh, deklaroi dje se përpos dialogut,
partitë politike duhet të përdorin një gjuhë më të butë ndërmjet tyre, si mundësi e afrimit në arritjen e një kompromisi.


"Ka ardhur koha që të shohim një dialog politik të qëndrueshëm, normalisht në parlament dhe po ashtu ka ardhur koha që të dyja palët të afrohen me njëra-tjetrën, duke përdorur një gjuhë më të butë", - tha Ambasadori Bosch për mediat, pas një takimi rajonal mes Sekretarëve të Përgjithshëm të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, lidhur me teknologjinë e informacionit. Faktori ndërkombëtar ka reaguar shpesh mbi klimën politike në vend, duke u kërkuar forcave politike që të gjejnë dialogun mes tyre dhe ky dialog të kryhet në Parlament.


Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar që operon në vendin tonë, që palët politike të gjejnë gjuhën e kompromisit mes tyre, situata vazhdon të jetë e polarizuar.


Nga njëra anë, opozita proteston dhe nuk pranon të hyjë në Kuvend pa u kryer transparenca e zgjedhjeve të Qershorit, e cila, sipas eksponentëve të së majtës, mund të bëhet vetëm nëpërmjet hapjes së kutive të votimit. Ndërsa nga ana tjetër mazhoranca ngulmon në argumentin e saj, se nuk mund të hapë kutitë e votimit, pasi ky veprim bie ndesh me vendimet e gjykatave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›