Berisha ngushëllon familjen e Klosit: Ishte personalitet i shquar. Ngushëllime dhe nga PS dhe Topalli
Kryeministri Sali Berisha, përmes një mesazhi, i shprehu sot ngushëllimet familjes së publicistit të njohur Ardian Klosi, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme.
Ndarja tragjike nga jeta e njeriut tuaj më të dashur më ka pikëlluar thellë dhe duke ndarë me ju këtë dhimbje, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ndarja nga jeta e Ardianit, njeriut tuaj më të dashur, është një humbje e pakompensueshme për ju, por dhe një humbje e madhe për letrat, publicistikën dhe shoqërinë civile shqiptare, të cilat humbasin një personalitet të shquar të tyre. Në këto ditë zie për ju, unë i lutem Zotit që shpirti i bashkëshortit, babait dhe njeriut tuaj më të afërt, të gjejë paqen e merituar, thuhet në mesazhin e Berishës.
Pak më herët ishte Partia Socialiste, që dërgoi një mesazh ngushëllimi.
Duke ngushëlluar ngrohtësisht gruan, vajzat, motrat, të afërmit dhe miqtë e Ardian Klosit, Partia Socialiste ndjen dhimbje të thellë për humbjen tragjike të këtij njeriu mendjendritur e shqiptari të mirë. Kjo është një humbje e madhe për botën shqiptare të fjalës së lirë, për shoqërinë civile dhe për kulturën bashkëkohore të kombit tonë.
Ardian Klosi krijoi një vlerë të çmuar me shembullin e vet të intelektualit të angazhuar në përpjekjet për demokraci e drejtësi shoqërore dhe për një Shqipëri të mbrojtur në bukuritë e në pasuritë e saj. Ai do të mbahet mend nga bashkëkohësit si një qytetar i paepur në betejat civile kundër rrënimeve mjedisore, si edhe në angazhimet në vijë të parë për të bërë të dëgjohet zëri i pavarur i qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.
Publicistika e mprehtë, përkthimet mjeshtërore, botimet e vyera e bëjnë Ardian Klosin një protagonist të dorës së parë në letrat e shkruara shqipe. I paharruar gjithmonë kujtimi i tij për të gjithë ata që e njohën dhe e lexuan dhe për brezat që vijnë, thuhet në mesazhin e PS.
Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shprehu ngushëllimet e thella për ndarjen e parakohshme nga jeta të publicistit të njohur Ardian Klosi.
Njoftimi i hidhur për ndarjen nga jeta e Ardian Klosit, është një lajm tejet i trishtë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Familja humbi njeriun e dashur dhe bota akademike dhe e letrave shqipe ka humbur një nga publicistët më të njohur të saj. Të gjithë do ta kujtojnë atë si një përkthyes dhe shqipërues i talentuar. Do ta kujtojnë, si autorin që bëri të flasin shqip në mënyrën më të bukur Heinrich Mann, Franz Kafka, Bertol Brecht si dhe shumë autorë të tjerë të huaj, thuhet në mesazhin e saj.
