Meta në Bruksel: E meritojmë statusin

Ilir Meta
Në kuadër të një vizite në Bruksel, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është takuar me Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Jug-Lindore, Eduard Kukan dhe Hannes Swoboda, Kryetar i Grupit Europarlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve.
Gjatë takimit me Kukan, kreu i LSI-së e ka njohur atë me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri gjatë javëve të fundit, të cilat ai i cilësoi si pozitive për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ata kanë ndarë bindjen se energjitë e të gjithë aktorëve politikë, duhen përqendruar në realizimin e reformave në shërbim të përmbushjes së 12 prioriteteve për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Meta u shpreh se Shqipëria duhet ta marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti, duke nënvizuar në këtë drejtim domosdoshmërinë e përfundimit të reformës zgjedhore në mënyrë urgjente.
Gjatë takimit me Swobodën, u vlerësua progresi në drejtim të integrimit në BE duke nënvizuar se forcimi i dialogut politik në vend, do të krijonte klimën e nevojshme për përmbushjen sa më të shpejtë e të plotë të të gjitha rekomandimeve të Bashkimit Evropian. /F.S/