E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ngushëllon të prekurit: Përgjegjësit, nën hetim

Kryeministri Sali Berisha ka shkuar dje menjëherë në qytetin e Gjirokastrës pas ngjarjes së rëndë në lagjen “11 Janari” ku një pallat u rrëzua, duke shkaktuar një tragjedi dhe traumë tek banorët. Kryeministri fillimisht u njoh me situatën dhe gjendjen e saj dhe më pas u takua me banorët e mbijetuar nga kjo ngjarje ku u interesua për gjendjen e tyre. Pasi shprehu ngushëllimet e tij, Berisha siguroi banorët e prekur si dhe të gjithë qytetarët e Gjirokastrës se strukturat e specializuara shtetërore kanë marrë situatën në dorë dhe siguroi se do të bëhet çdo gjë që të jetë e mundur. Ai siguroi banorët se përgjegjësit e kësaj ngjarjeje do të vihen përpara drejtësisë. “Po priten edhe disa mendime ekspertësh, ose për të shembur pjesën e mbetur të pallatit, i cili në fakt është postuar disa metra nga shkarja e bazamentit, ose për të vazhduar kërkimet në ato rrënoja, të cilat, nga momenti në moment, ashtu siç ju i keni parë dhe filmuar edhe vetë, mund të pësojnë rrokullisje të mëtejshme”, - tha Berisha. Në takimin e zhvilluar me shtabin e emergjencës të ngritur për përballimin e situatës, Kryeministri Berisha kërkoi nga të gjitha strukturat që, së pari, puna të përqendrohet në përballimin e situatës, nxjerrjen nga rrënojat e personave që mund të kenë mbetur nën to, si dhe ndihmën për të lënduarit nga kjo ngjarje, të cilët ndodhen në spitalin e qytetit. Kryeministri më pas vizitoi edhe të plagosurit nga kjo ngjarje në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku u interesua për gjendjen e tyre shëndetësore. “Spitali i Gjirokastrës është në gatishmëri të plotë të situatës. Nga Tirana ka ardhur edhe një ekip mjekësor për të ndihmuar. Në tërësi, situata e të plagosurve nuk paraqet rrezik. Problemi më madhor në këtë ngjarje shumë të rëndë është fati i atyre që kanë mbetur nën rrënoja, për të cilët ndërhyrja, në të gjitha aspektet, është e rrezikshme”, - tha Berisha, i cili shtoi se “po ndihmohen të plagosurit, po ndërmerren masa për sistemimin e familjarëve që kanë humbur strehimin dhe po vazhdohet me insistim për të gjetur rrugën më shpëtuese të mundshme, për të ndihmuar ata të cilët janë nën rrënoja”. Kryeministri siguroi se po merren të gjitha masat e mundshme, si dhe është kërkuar ndihmë edhe nga shtetet fqinje për përballimin e kësaj situate. “Po pritet të vijnë me helikopter një ekip i gjeologëve nga Tirana dhe një ekip nga Janina, që do të ndihmojnë në kërkimet në rrënoja. Këto dy ndihma janë shumë të nevojshme. Gjeologët do të japin disa vlerësime më objektive mbi mundësinë e shkarjes ose jo të mëtejshme të tokës, ndërkohë që nëpërmjet diktimit të personave se ku ndodhen, do të mund të përcaktohet më qartë se çfarë operacioni shpëtimi do të ndërmerret. Qeveria do të bëjë çdo përpjekje që të mund të zgjidhë problemet më të mprehta të situatës së krijuar”, - shtoi Berisha. Kryeministri shtoi në deklaratën e tij përpara mediave se përgjegjësit e kësaj tragjedie do të vihen përpara drejtësisë. Ai tha se hetimi ka nisur nga strukturat e posaçme të policisë. “Gjithashtu, duhet të bëhet dhe do të bëhet një hetim i plotë, i gjithanshëm i të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje tragjike, e cila ka tronditur gjithë Gjirokastrën. Hetimi ka filluar dhe policia kriminale, prokuroria, policia gjyqësore e të tjera struktura po merren me çështjen e hetimit të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë”, - përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›