E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama-Berisha nuk do të mund të vjedhin votën

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ashpërsoi akuzat në adresë të dy krerëve politikë, Sali Beriha dhe Edi Rama. Gjatë një takimi me gratë dhe vajzat e LGI-së, dega Tiranë, Meta i konsideroi Ramën dhe Berishën dy ish-pinjollë të së kaluarës të cilët nuk do të mundin dot që të vjedhin zgjedhjet, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i mbrojë ato me çdo kusht. Qëndrimi i unifikuar i kësaj partie u mbështet gjerësisht edhe nga gratë e LSI-së gjatë punimeve të konventës kombëtare. Kreu i kësaj partie, ndërsa vlerësoi lart forcën dhe kurajon e grave shqiptare u bëri thirrje atyre që këtë forcë dhe inteligjencë ta përdorin për të mos lejuar vjedhjen e votës nga dy super të korruptuarit Rama- Berisha. “Nuk vishen dot ata, as me “Armani” dhe as me “Barberry”, të veshin çfarë të duan. Ata kanë dalë lakuriq sot para gjithë shqiptarëve dhe do të dalin çdo ditë e më shumë përpara të gjithë ndërkombëtarëve, si çifti “babëzia”, që nuk diskutoi asnjëherë në një vit se si duhet të zgjidhin problemin e ujit të pijshëm në “Komunën e Parisit”, që nuk diskutoi asnjëherë se si do të zgjidhë problemin e ujit të pijshëm në zonën e njësisë 4 e në shumë zona të tjera të Tiranës”, - tha Meta gjatë këtij takimi. Përveç të tjerave ai vlerësoi se në Kodin e ri Zgjedhor e vetmja gjë e vërtetë dhe pozitive, është përfaqësimi i grave në listat për deputetë. Nisur nga kjo, ai shprehu besimin tek aftësitë dhe talenti i gruas shqiptare, referuar këtu edhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. “Monika, pavarësisht nga të gjitha angazhimet dhe preokupimet që ajo ka edhe në familje, doli vullnetare dhe tha: “Do të shkoj unë në Dibër, sepse jam dibrane dhe nuk do të shkoj që të rri vetëm deputete në Tiranë, por do të sjell edhe ca burra deputetë për LSI-në në Tiranë”, - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›