E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama-Berisha, ish-pinjollë të komunizmit

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ashpërsoi akuzat në adresë të dy krerëve politikë, Sali Beriha dhe Edi Rama. Gjatë një takimi me gratë dhe vajzat e LGI-së dega Tiranë, Meta i konsideroi Ramën dhe Berishën dy ish-pinjollë të komunizmit të cilët nuk do të mundin dot që të vjedhin zgjedhjet, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i mbrojë ato në çdo kusht. Qëndrimi i unifikuar i kësaj partie u mbështet gjerësisht edhe nga gratë e LSI-së gjatë punimeve të konventës kombëtare. Kreu i kësaj partie, ndërsa vlerësoi lart forcën dhe kurajon e grave shqiptare, u bëri thirrje atyre që këtë forcë dhe inteligjencë ta përdorin për të mos lejuar vjedhjen e votës nga dy super të korruptuarit Rama-Berisha.

“Nuk vishen dot ata, as me “Armani” dhe as me “Barberry”, të veshin çfarë të duan. Ata kanë dalë lakuriq sot para të gjithë shqiptarëve dhe do të dalin çdo ditë e më shumë përpara të gjithë ndërkombëtarëve, si çifti “babëzia”, që nuk diskutoi asnjëherë në një vit se si duhet të zgjidhin problemin e ujit të pijshëm në “Komunën e Parisit”, që nuk diskutoi asnjëherë se si do të zgjidhë problemin e ujit të pijshëm në zonën e njësisë 4 e në shumë zona të tjera të Tiranës”, - tha Meta gjatë këtij takimi. Përveç të tjerave ai vlerësoi se në Kodin e ri Zgjedhor e vetmja gjë e vërtetë dhe pozitive është përfaqësimi i grave në listat për deputetë. Nisur nga kjo, ai shprehu besimin tek aftësitë dhe talenti i gruas shqiptare, referuar këtu edhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. “Monika, pavarësisht nga të gjitha angazhimet dhe preokupimet që ajo ka edhe në familje, doli vullnetare dhe tha: “Do të shkoj unë në Dibër, sepse jam dibrane dhe nuk do të shkoj që të rri vetëm deputete në Tiranë, por do të sjell edhe ca burra deputetë për LSI-në në Tiranë”, - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›