Berisha nis diskutimet për ndryshimet në qeveri
Ndryshimet në qeveri kanë bërë me dhimbje koke jo vetëm anëtarët aktualë të kabinetit, por dhe drejtuesin e vetëm aktual të PD, Flamurin, të cilin doktori e ka ngarkuar të bëjë negociata me aleatët për ndryshimet e mundshme dhe t’i ofrojë emrat e rinj që do të përtërijnë qeverinë brenda muajit korrik. Pas disa takimeve të sikletshme, Flamuri ka arritur të formulojë propozimet e para për doktorin. Propozimi i tij i parë është të largohet Gazmend Oketa. Sipas Flamurit, ky duhet të largohet, se që kur është bërë ministër, nuk ka firmosur asnjë shkresë dhe kjo ka bllokuar punën e Ministrisë së Mbrojtjes. Nga ana tjetër, ai nuk ka mbajtur qëndrim korrekt në procesin e hetimeve provokuese të prokurorisë mbi skandalin e Gërdecit dhe i ka dorëzuar prokurorisë të gjitha letrat që kanë qenë mbi tavolina përfshi dhe një faks me një shënim me zarar sipër tij. I inatosur për këtë Flamuri ka shënuar të parin me rreth të kuq Gazmend Oketën dhe ia ka nisur doktorit. I ka dhënë dhe arsyetimet e tij. Doktori, pasi është përtypur disa herë, i ka thënë të mos nxitohet, se nuk ka ndërmend të thellojë luftën me Topin.
- Do na e marrë për ters Flamur, - i ka thënë. - Shiko dikë tjetër.
I mërzitur për rezistencën e doktorit, Flamuri nisi të ankohej: “ǒt’i bëj atij burrit që i toleron këta by...e Bamirit, se ua tregonte qejfin ai”.
Propozimi bashkëngjitur i Flamurit ishte që Pollo të shkonte te Ministria e Mbrojtjes, se me këtë rast mund të kishin dorë mbi emërimet e reja në arsim në fillim të këtij viti, pasi, siç thotë ai, gjendja atje ka dalë jashtë kontrollit. Gjithë mësuesit janë kundër PD, pasi Pollo e ka kthyer emërimin e tyre në fushatë politike kundër PD. Nga ana tjetër, duke e vënë në Ministri të Mbrojtjes, e vë atë në pozitë të vështirë, pasi e detyron të mbajë qëndrim për Gërdecin pro ose kundër dhe vetëm në bazë të këtij qëndrimi ai mund të futet sërish në listat e PD. Ky propozim i dytë e ngrohu pak doktorin, por hezitimi për të hequr Oketën mbeti. Të tretin në shënjestër Flamuri ka Nard Ndokën. Propozimi i tij është që ai dikaster t’i jepet Partisë Republikane, duke aluduar te vajza e kryerepublikanit Godo, një mjeke vërtet e zonja dhe shumë e përgjegjshme. “Me këtë rast, - tha Flamuri, - rregullohet dhe imazhi i republikanëve për të mos thënë që të gjithë janë të papërgjegjshëm”. Kjo gjë e mërziti doktorin, pasi dihet distanca reale që ai ka me zotin Godo, me të cilin nuk i janë pjekur kurrë pipëzat. I zënë në hall, Flamuri u përpoq t’i mbushë mendjen dhe si mjek.
- Të flasim hapur doktor, - i tha Flamuri, - se ne jemi të dy mjekë. Mjekësia nuk lihet në dorë të Nard Ndokës. Unë them se duhet doemos një mjek dhe një njeri afër politikës.
I bezdisur nga arsyetimi i Flamurit, Berisha e la me pikëpyetje dhe këtë dikaster. U soll një herë rrotull listës së ministrave të PD dhe s’i vinte dot gishtin njeriu. Gjana duhet, Nishani i duhet, Olldashi duhet, Basha i duhet, Bregu duhet, Oketa i duhet.... s’di ç’të bëjë.
- Do ta shikojmë Flamur. Këto do jenë ndryshimet më të forta në qeveri që kemi bërë ndonjëherë. Ndryshimet dhe reformat janë perpetum mobile e qeverisë sonë. Të përshëndes. Mirupafshim.
Doli Flamuri i shkretë pa asgjë të qartë në kokë se kush do të ndryshonte.
Te PD e prisnin disa nga deputetët dhe ministrat që janë në ankth.
- He Flamur, si shkoi biseda?
- I thashë atij burrit: Mo t’i shoh më nja tre-katër nga këta ministrat, por më tha: “S’ka problem. Mos shiko lajme, se s’ke ku t’i shikosh tjetër.”