Dyshimet e arsyeshme për votimin e emigrantëve
Debati për votimin ose jo të emigrantëve, i nisur nga grupime minore politike në Shqipëri, po reflektohet me indiferentizëm nga dy blloqet politike që kanë të drejtën e vendimmarrjes në Kodin e ri Elektoral. Në të vërtetë, ky debat ka vlerën dhe kohën e vet pikërisht tani. Është një vendim që ne duhet ta marrim, jo aq si një detyrim ndaj atyre që e kanë lënë Shqipërinë dhe për faj të politikës, por mbi të gjitha për ta hequr nga axhenda dhe shterpësinë, dhe spekulimin e madh që mbart ky debat. Nuk dua të hyj në debate se për kë voton emigracioni dhe nga se ndikohet ai kur voton, por parimisht jam kundër që fatet e mia t’i vendosë, qoftë dhe me një diferencë të vogël, një pakicë që emocionohet nga diferenca që bën mes Shqipërisë dhe vendit ku jeton dhe jo nga përpjekja e saj për ta ndryshuar këtë realitet. Por kjo nuk na jep të drejtë as mua dhe askujt tjetër t’u heqë atyre të drejtën të jenë të përfshirë në jetën publike dhe politike të Shqipërisë. Për këtë arsye debati për votimin e tyre duhet të jetë realist, praktik dhe të prekë atë pjesë që realisht dëshiron ta mbajë të lidhur fatin e saj me fatin e Shqipërisë. Ne kemi sot rreth 1 milion shqiptarë të rinj, që kanë ikur pas vitit ‘90 jashtë Shqipërisë, por jo shumë prej tyre, për të mos thënë shumica, nuk duan të kenë më lidhje me vendin e tyre. Tradita mediokre e diasporës shqiptare, mungesa e vlerave të saj në favor të Shqipërisë, sidomos në gjysmën e dytë të këtij shekulli dhe distanca reale që ata kanë me problemet e Shqipërisë, ka bërë ndarjen e vet. Për këtë arsye duhen gjetur modalitete që të përfshijnë në të drejtën për të votuar ata shtetas shqiptarë që janë aktivë dhe që dëshmojnë një përgjegjësi personale për t’u regjistruar si votues dhe për të qenë kontribuues të ndryshimeve politike në Shqipëri. Në këtë mes hartimi i regjistrit kombëtar të shtesave shqiptarë është një lehtësi e madhe për të verifikuar gjithë shtetasit shqiptarë, por nga ana tjetër në duhet të regjistrojmë gjithë diasporën shqiptare ose ta identifikojmë në regjistrin elektronik vendndodhjen e dytë të secilit shtetas. Kushdo prej emigrantëve që do të votojë, duhet të kontribuojë duke depozituar vetë adresën e tij të dytë në gjendjen civile të Shqipërisë dhe kjo adresë të jetë e vlefshme që atij t’i dërgohet me postë fleta e votimit. Ne nuk kemi luksin të krijojmë një armatë votuesish, të cilëve nuk iu dimë as adresë, as emër real dhe as lidhjet me Shqipërinë. Ata që duan të votojnë, së paku duhet të dëshmojnë të regjistrohen si votues dhe të depozitojnë të dhënat e tyre pranë shtetit shqiptar. Pastaj forma e votimit mund të zgjidhet në mënyrat klasike, siç votojnë qytetarët amerikanë jashtë Amerikës apo dhe diaspora të vendeve të tjera. Dhe jam i sigurt se ata që sot flasin në emër të qindra-mijërave, do të flasin pas zgjedhjeve në emër të disa mijërave, pasi shkalla e përkushtimit politik të emigrantëve është më shumë verbale sesa reale. Përveç disa tifozëve që rrinë gjithë ditën në internet dhe bëjnë gjyq për hesap të tyre për çdo gjë që dëgjojnë nga Shqipëria duke krijuar një realitet virtual jo fort të përputhshëm me atë realin, pjesa tjetër e emigracionit është dëshmuar inaktive dhe shpesh me një distancë reale nga Shqipëria. Niveli i tyre kulturor sidomos i emigracionit në Greqi është i ulët dhe shumë fëmijë të tyre po rriten indiferentë ndaj të qenit shqiptarë. Ne nuk duhet t’ia mohojmë askujt shansin të votojë, por jo atyre që duan të kujtohen për këtë akt ditën kur votohet. Emigracioni i përgjegjshëm ka të drejtë të votojë duke dëshmuar përgjegjësi për vendin e tyre, duke u regjistruar dhe duke deklaruar qartë identitetin e tyre. Ne nuk mund të rrezikojmë të votojë një njeri që ka tre emra, katër pasaporta dhe pesë adresa banimi. Është mirë që ky debat të jetë racional dhe jo populist. Është mirë që hartuesit e Kodit t’i japin zgjidhje gjakftohta, pragmatike, por dhe edukuese për të rritur përgjegjshmërinë e atyre që do të vendosin dhe për fatin tonë që jetojmë këtu. Jemi të lodhur nga ankesat e emigrantëve për çdo diferencë që ka vendi jonë problematik me vendin ku ata jetojnë. Nuk ia vlen të lodhemi dhe duke i gjurmuar ata ku janë strehuar, duke iu lutur të votojnë për ne. Duhet të votojnë ata që e meritojnë.