E Shtunë, 31 Tetor 2026

Srebrenica ime

Kur jam zgjuar herët në mëngjesin e 27 prillit 1999 e kam parë foton e Srebrenicës para këmbëve të mia. Paramilitarë të ngjyrosur me pamje si në tregimet fantastike po kalonin në anën e kundërt të fshatit tim për të shkuar disa kilometra më larg, në Meje.

Sipas tregimeve të mëvonshme këta nuk ishin vrasësit e drejtpërdrejtë, por pararoja e sulmit dhe mbrojtja e krimineleve që kishin shkuar herët për të përzënë dhunshëm banorët dhe ekzekutuar të gjithë meshkujt e rajonit.

Në këtë kohë Ratko dhe Radovani kishte katër vjet që kishin mërguar shpellave të Ballkanit për t’i ikur drejtësisë dhe natyrisht për të shkruar libra, ndërsa njësitet e tyre ishin të përfshira sipas dëshmitarëve drejtpërdrejt në masakrën e Mejes.

Atë ditë, si për të mos u kënaqur kurrë me rezultatet e krimit, forcat serbe ekzekutuan meshkujt e 15 fshatrave të rrethit të Gjakovës nga mosha 15-vjeçare. Pas kaq vjetësh Srebrenica dhe Meja janë në pritje dhe trishtim me veten dhe drejtësinë.

Zërin e fundit

Para disa vjetësh kam parë një foto ferri të një djaloshi boshnjak që kishte mbijetuar nën grumbullin e kufomave në Potoqare afër Srebrenicës, nëpër nëntë rrathët e ferrit kishte ikur në male.

Kur i dërguan meshkujt për t’i ekzekutuar në Korenicë, më 27 prill 1999, Daniel Berisha u rrëzua nën grumbullin e kufomave i plagosur.

Të nesërmin vrasësit u kthyen përsëri në vendin e krimit dhe ekzekutuan zërin e fundit. Përse vrasësit u kthyen është e qartë, që dëshmia të mos vinte kurrë. Të mbijetuarit që kaluan nëpër rrathët e ferrit dëshmuan se ishin të trishtuar me automatikë te koka për të mos i parë pamjet e fundit dhe ja lidhja logjike pse duhej eliminuar doemos zëri i fundit i mbijetuar, që dëshmia e dorës së parë të mos vinte kurrë dhe në të njëjtën kohë, sipas dëshmive tashmë të konfirmuara, shumica e kufomave nga masakra në Mejë u gjetën në Batajnica 2.

U fshehën, që vrasësit të ishin të qetë (nëse mund të gjenin qetësi) dhe natyrisht të shkruajnë libra “heroikë'” nga lufta e Kroacisë, Bosnjës apo Kosovës.


Vrasësit dhe librat


Një ditë historia do të shkruajë libra mbi vrasësit dhe do të dëshmojë mbi kohën dhe pandëshkueshmërinë e krimeve mizore në Srebrenicë dhe Meje, si simbolikë e masakrës më të madhe në luftën e Kosovës.

Nga dëshmia në Tribunalin e Hagës në gjykimin kundër Millosheviçit u plotësua mozaiku në mënyrë shumë të qartë se kush urdhëroi që të ekzekutohen 500 meshkuj shqiptarë në Meje dhe të digjen të gjitha shtëpitë në rajon, se kush inicioi, projektoi, dërgoi trupat, ekzekutoi dhe dëboi, fshehu kufomat dhe tentoj po ashtu t’i digjte trupat në Batajnicë.

Ky njeri me një ekip të tërë ideatorësh dhe vrasësish mizorë gjendet në Serbi, mbase duke shkruar libra për “merita historike”, ndërsa si për ironi të historisë zëdhënësi i tij politik i asaj kohe Ivica Daçiç, i cili deklaronte se të dëbuarit që lëshuan Mejen dhe rajonin janë duke ikur nga bombat e NATO-s, ndërsa në Meje nuk ka kurrfarë vrasjesh masive, por improvizim masakre nga “terroristët” shqiptarë.

E pabesueshme, por e vërtetë zëdhënësi i Millosheviçit në kohë lufte tanimë është zëvendëskryeministër “demokrat” dhe ministër Policie, ku do të ketë rolin e mbrojtësit të disa figurave që shkaktuan Mejen dhe Srebrenicën.

Çka iu duhet Ministria e Policisë pinjollëve të Millosheviçit, përveçse të pastrojnë dosjet e tyre dhe të kolegëve...? Hej more Zot, çka do të shkruajnë librat për këtë njeri, përveçse që ka thyer rekordin e Guinness-it në transformimin e tij të maskuar nga zëdhënës i regjimit kriminal në zëvendëskryeministër demokrat dhe ministër.

Po thonë se ka pësuar katarsis. Por askush nuk ka kërkuar as falje, e lëre më të arrestojë kriminelët që po shkruajnë libra nacionalistë dhe memoare shpellave të harruara të Ballkanit, sipas shpjegimeve zyrtare.

Një ditë Ivica i “ ri” mund të thotë se “ne nuk mund të hyjmë në çdo shpellë për të penguar apo zënë vrasësit që po shkruajnë memoare në formë klasike”. Ky është përfundim ironik i drejtësisë që është shndërruar në hajgare pa pará.

Prilli dhe korriku

Ka 5 vjet që në prill rivarrosen martirë në Meje dhe në çdo korrik rivarrosen po ashtu martirë në Srebrenicë.

Drejtësia ka rënë në fund të pusit. Sikur të kishin tërë lirinë e të shprehurit në memoare, si do t’i portretizonin viktimat e tyre Ratko, Radovani me ekipin e tyre përcjellës, përveçse do të ndjeheshin të gëzuar se kanë eliminuar “ustash”, “balije” dhe “shiptari”?

Mos e thëntë Zoti që të bëhet çka thotë vullneti tyre i krisur, por unë ka vite që kundroj në Srebrenicën time dhe nuk shoh asgjë të re, sepse për fat të keq askush në Beograd, sidomos pas vrasjes së Xhinxhiçit, nuk po e lexon as kopertinën e romanit “Krimi dhe ndëshkimi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›