Shqipëria iu jep leksion ekonomik SHBA?
Suksesi i taksës së sheshtë në vende të vështira në dukje, si Bullgaria dhe Shqipëria – 10 për qind mbi të ardhurat personale dhe të kompanive - mund të rezultojë si shtysë për ndryshime në Uashington.
Forbes, një nga referuesit në konferencën me orientim libertarian, FreedomFest, javën e shkuar i tha WND se shikon një lloj mesazhi në zbatimin e një takse të vetme nga vendet dikur të dominuara ose sunduara nga sovjetikët, si Letonia, Estonia dhe Rumania.
“Kjo tregon se ata që kanë vuajtur nga komunizmi duan të heqin të gjitha barrierat për të ecur para e kështu nuk bien pre e ideologjive të vjetëruara apo keqkuptimeve”, - tha Forbes, president i CEO i Forbes-it dhe kryeredaktor i revistës “Forbes”. “Ata duan të dinë se çfarë funksionon. Taksa e sheshtë funksionon dhe kjo është arsyeja pse 25 vende e kanë zbatuar dhe të tjera vende po i ndjekin.”
Forbes, i cili këshillon kandidatin republikan për president, senatorin John McCain, pohoi se “më në fund SHBA do t’i bashkëngjitet pjesës tjetër të botës”, duke parashikuar zbatimin brenda pesë viteve.
“Amerikanët duan taksë të sheshtë, - tha ai, - vetëm se nuk besojnë që do të ndodhë.”
“Duhet të heqim dorë nga rruga, nga e cila kemi dalë të mundur përgjatë viteve”, - tha ai. “Sa më shumë vende ta zbatojnë taksën e sheshtë, aq më shumë njerëz e kuptojnë se “Për zotin qenka e realizueshme! Pse nuk e zbatojmë këtu? Në qoftë se funksionon në Shqipëri, përse të mos funksionojë në Amerikë?”
Forbes tha që ai beson se, pasi ta zbatojnë taksën e sheshtë vendet e Evropës Qendrore, më në fund do ta zbatojë një vend i Evropës Perëndimore dhe pastaj Amerika do ta ndjekë.
Svetla Kostadinova, drejtuese e Institutit të Ekonomisë së Tregut në Bullgari, shpjegoi në një sesion të FreedomFest se si ajo ndihmoi në nisjen e një fushate për taksën e sheshtë në vendin e saj në vitin 2004, kur taksa më e lartë për ardhurat personale ishte 29 për qind, përveç taksës për pension dhe kujdes shëndetësor 42 për qind.
Kostandinova tha se pas rrëzimit të komunizmit në 1989, bullgarët menduan se do të ecnin në rrugën e prosperitetit së bashku me botën kapitaliste, por, në vend të kësaj, u goditën nga hiperinflacioni deri në 2000 për qind.
Grupi i saj përgatiti një buxhet alternativ duke përdorur taksën e sheshtë për t’iu treguar ligjbërësve se kjo mund të realizohej, nëse shoqërohej me uljen e shpenzimeve dhe disa reforma të caktuara.
Ligjbërësit bullgarë u ndërgjegjësuan për faktin që Bullgaria ishte më mbrapa në tërheqjen e turistëve, ndërsa vendet fqinje, Serbia, Rumania dhe Shqipëria futën taksën e sheshtë.
Tani Bullgaria përjeton rritje ekonomike vjetore 6 për qind, njëlloj me vendet e rajonit me taksë të sheshtë, dhe 6 për qind papunësi – nga 12 për qind tre vite më parë. Kostandinova vuri në pah gjithashtu numrin rekord të bullgarëve që nisin biznesin e tyre.
“Sigurisht që ka shumë probleme, por kjo është një ide e vërtetuar dhe një iniciativë e qartë, për të cilën njerëzit mund të rrezikojnë, të investojnë dhe të bëhen sipërmarrës”, - tha Kostandinova.