E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci, rasti më flagrant i kapjes së Qeverisë”

Lideri i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSIs-ë në zonën e Petrelës. 

Në këtë takim të veçantë u diskutua në lidhje me problemet që po has bujqësia shqiptare në përballimin e kostove të prodhimit të produkteve bujqësore pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të naftës dhe kimikateve. Në këtë takim kreu i LSI-së shoqërohej nga sekretari i LSI-së për Bujqësinë dhe Mjedisin, prof. Edmond Panariti, si dhe nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së së Tiranës, Elez Gjoza. Meta u shpreh se, aktualisht vendi po kalon një gjendje mjaft të vështirë. "Eshtë vërtet shumë shqetësuese dhe kritike kjo gjendje sociale dhe ekonomike sot në vend, sepse  ne e shohim se si rriten përditë çmimet e të gjitha produkteve dhe sidomos të lëndëve të para dhe kjo nuk është një rritje që siç justifikohet Qeveria ka ardhur për shkak të rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar", deklaroi Meta. Përkundrazi sipas Metës, kjo ka ardhur për shkak të politikave të gabuara të Qeverisë aktuale për shkak të korrupsionit në rritje të kësaj Qeverie që erdhi në pushtet me flamurin e luftës kundër korrupsionit, sepse po të shikosh çmimet e shumë produkteve të lëndëve të para në Kosovë apo Maqedoni janë 40-60% më të lira. "Ne kemi të bëjmë me një Qeveri pa vizion, kemi të bëjmë me një Qeveri ta mashtrimeve të papara dhe me një qeveri të kapur në flagrancë nga korrupsioni. Tragjedia e Gërdecit është momenti flagrant i kapjes së kësaj Qeverie nga korrupsioni", deklaroi kreu i LSI-së. Duke folur për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet bujqësia dhe fshati sot, Meta u shpreh se, "ne besojmë që bujqësia, agroturizmi duhet të jenë përparësi kryesore të Shqipërisë dhe buxheti aktual është një katastrofë e vërtetë. Bujqësia jep më shumë se 1/5 e prodhimit të përgjithshëm në vend dhe merr gati 50 herë më pak sesa jep, çka është një diskriminim i pamerituar që e pengon bujqësinë dhe fermerin që të kenë mundësi të prodhojnë, të investojnë më shumë". Kjo gjë, sipas tij, do të ndikonte edhe në uljen e çmimeve në treg, sepse po të ketë më shumë prodhim vendas, situata do të jetë më shumë e normalizuar.
Ndërkaq sekretari i LSI-së për Bujqësinë dhe Mjedisin, Panariti theksoi se, LSI-ja ka një program të qartë dhe të detajuar për zhvillimin e bujqësisë dhe të fshatit, sikurse u shpreh se në këtë program një vend i veçantë i kushtohet nxitjes së prodhimeve bio.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›