E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nis fushatën me simbolin e Gërdecit

Nga Armand Maho

Kryeministri, Sali Berisha, nënshkroi me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, marrëveshjen elektorale që i lidh të dy në një koalicion parazgjedhor.

Njeriu kryesor nën akuzë për tragjedinë e Gërdecit tashmë do jetë në listat e përbashkëta elektorale.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyrë në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, ndërkohë që po vazhdon sërish hetimi dhe për një tjetër skandal të tij, atë të trafikut të armëve drejt Afganistanit.

Media ka publikuar fakte që implikojnë të birin e kryeministrit në këto afera, ndërsa kjo duket të jetë dhe arsyeja kryesore që ka shtyrë Berishën të lidhë koalicionin me Mediun.

Ky i fundit disa herë në mënyrë të tërthortë ka bërë presion në lidhje me këtë çështje, duke e vendosur veten në pozitat e një shantazhuesi.

Berisha i ka quajtur dje të suksesshme vitet e qeverisjes me PR, ndërsa ka hedhur një lumë akuzash ndaj prokurorisë në lidhje me hetimin e shpërthimit të Gërdecit.

Nga ana e tij, Mediu ka deklaruar se koalicioni mes PD dhe PS do të vijojë punën e nisur prej tyre, ndërsa ka shtuar se në mandatin e dytë do iu kushtohet më shumë vëmendje dy kategorive që kanë përkrahur këtë koalicion, pronarëve dhe të persekutuarve.

Berisha tha se koalicioni me Mediun ka arritur të zhdukë kleptokracinë dhe krimin nga Shqipëria.

“Në katër vite, ky koalicion shndërroi Shqipërinë që vërtitej në labirintet e krimit të organizuar dhe sistemit të kleptokracisë, Shqipërinë për të cilën një fjalë të mirë kurrkush nuk e thoshte, Shqipërinë e kronikave më të zeza të medieve të Evropës dhe botës, e shndërroi në vendin serioz, në vendin që e votuan në parlamentet e tyre për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe për Protokollin e Anëtarësimit në NATO, 27 vende anëtare të BE dhe 26 vende anëtare të NATO-s, Shqipërinë që më datën 4 prill ulet në Strasburg si anëtare e Atlantikut të Veriut dhe ngre flamurin e saj në Bruksel, si flamur i një vendi anëtar”, - tha Berisha.

Më poshtë vijojnë pyetje-përgjigjet bërë kryeministrit pas nënshkrimit të marrëveshjes.

A do të ketë ndikim negativ fakti që ju nënshkruat sot marrëveshje me një parti, kryetari i të cilës është nën akuzë nga prokuroria për çështjen e tragjedisë së Gërdecit?

Atyre që shtrojnë këtë pyetje unë u jap këtë përgjigje: Shkoni në Kashar dhe pyesni pak. Të përvetësosh opinionin e qytetarëve, të shpallësh veten padron të opinionit të tyre, pa e vlerësuar dhe njohur atë, nuk bën gjë tjetër veçse përsërit klishetë e vjetra staliniste në këtë vend. A patët një test elektoral në Kashar? Ju mendoni se nuk janë qenie shoqërore qytetarët e Kasharit? Ju mendoni se ata nuk kanë dhembshuri? Ata kanë dhembshuri shumë herë më të madhe se të gjithë të tjerët, sepse jetojnë ngjitur me qytetarët e Vorës dhe ata, me votën e tyre vërtetuan manipulimin me shpirtrat e viktimave të Gërdecit. Dhe cili ishte qëndrimi i tyre? Qëndrimi ishte ndëshkimi.

Ju jeni të rinj, por do ju them një gjë: ju nuk duhet kurrë të harroni se ky komb, me gjithë vështirësitë, me gjithë varfërinë ekstreme që ka njohur, mjerimin më të tmerrshëm që ju fatmirësisht nuk e njihni, mjerimin që ka pasur në sistemet kolektiviste, me gjithë të shkuarën, pushtimet e gjata etj., e ka ruajtur Kodin e Vdekjes të paprekur. Nëna nuk do që ti të manipulosh me vdekjen e djalit. Babai nuk do që ti të manipulosh me vdekjen e vajzës, familja nuk do që t'i cenosh respektin e paprekur ndaj të vdekurve të saj, për qëllime politike.

Do të ishte mirë që në valët tuaja të bënit avokatinë e këtij kombi, sepse ky komb, sado që ka të bëjë me më të padëshirueshmen, ka të bëjë me vdekjen. Por prapë se prapë e kemi atë prore, jemi të gjithë vdekatarë dhe nuk kemi alternativë tjetër veçse respekt të plotë ndaj vdekjes, si një trashëgimi e shkëlqyer e këtij populli, si trashëgimi në të cilën ky popull e ndan zinë në copëza dhe e lehtëson atë. Pra, jo t’ua rëndojmë atë, siç ndodhi me qytetarët e Gërdecit. Unë dua t’i përshëndes një herë dhe njëmijë herë ata qytetarë që refuzuan në mënyrë fisnike që t’u ndërhyhej në Kodin e tyre të Vdekjes. Ai manipulim i shëmtuar politik më la pa shkuar te këta qytetarë, sepse mendoja se edhe vizita ime tek ata do të merrej si një kundërpërgjigje. Ndaj u detyrova të nxjerr një deklaratë përmes zëdhënëses dhe të shpreh qëndrimin tim. Nuk mund të bëhet ajo që iu bë familjes Trebicka. Këto gjëra nuk kanë ndodhur kurrë. Unë ju ftoj që vlerat t’i mbrojmë. Pra, përgjigjen më të mirë e dhanë qytetarët e Kasharit. Pyetja juaj ishte shumë e drejtë, por unë këtë ligjëratë nuk e bëra për asnjë arsye tjetër, por vetëm për një gjë, me të cilën nuk mund të pajtohem, nuk mund të pajtohem, kur shoh që nuk ngurohet të shkelmohet edhe Kodi i Vdekjes, kodi më i lashtë dhe më sublim i këtij kombi, por besoj i çdo kombi të qytetëruar. Të gjithë jemi vdekatarë, ndaj mundësisht respekto dhe lexo zgjedhësit e Kasharit.

Zoti Berisha, ju nuk e ndani opozitën nga prokuroria, pasi unë fola për akuzë të ngritur nga prokuroria për zotin Mediu?

Meqenëse sërish më shtron këtë çështje, sërish do marrësh një përgjigje. Prokuroria, me akuzat false që ka formuluar në fillim, ka përdhosur të vdekurit. Mos harroni se ata janë vëllezërit e mi, vëllezërit e tu, nënat tona, motrat tona, njerëzit tanë. Në mënyrën se si nisi prokuroria, me urdhrat politikë, për të formuluar pseudo-akuza, ka qenë ky kryeministër që ju ka thënë ju se duhet të zbardhet e vërteta dhe duhet të jeni të bindur se e kam bërë, jo për të mbrojtur ndokënd mbi tokë, por vetëm për të mbrojtur hetimin që duhet të bëhej, pasi, nëse e akuzon tjetrin për atë që nuk qëndron, siç iu tha zotit Mediu se ai ka shmangur dhe anashkaluar ushtarakët, kjo është si t'i thuash këtij populli se “ti ha bar”. Me formulat e vjetra dhe unë mund të të them ty ç'të duash dhe ti më beson, por aty ishin 32 dokumente, secili me nga 3 deri në 7 firma dhe nuk kishte asnjë shmangie. Por, ku ishte problemi? Problemi ishte se duhej devijuar një linjë e tërë, në mënyrë që dikush, diku, të dilte krejtësisht i larë.

Duhet të keni të qartë si gazetarë se këto mesazhe që ju drejtoj, i kam dhimbje dhe keqardhje, por për ato mesazhe që ju merrni nga ata persona që nuk duhet t’i merrni, unë do të luftoj deri në fund që t’ju çliroj prej tyre, pra nga këto mesazhe, t’ju bëj të pavarur ashtu siç duhet të jeni.

A e keni parë sot dosjen të publikuar në media? Kush e nxori dosjen? E nxori opozita? Jo, nuk e ka nxjerrë opozita. Unë do doja të thosha se e ka nxjerrë opozita. E ka nxjerrë ai që do të shndërrojë prokurorinë në parti politike. Ata e kanë nxjerrë, sepse po të kishte argumente dhe po të ishin të fortë, botonin gazeta. Por nuk ka nevojë për gazeta. Kemi një sistem gjyqësor të konsoliduar në 3 shkallë. Duhet të kemi besim të plotë. Por, kur nuk ke besim te gjykata dhe shkon u bën presion, siç ka ndodhur, atë e përdor, por keqpërdor dhe opozitën dhe medien.

Kjo është një çështje që ne i kemi dhënë dhe do i japim vëmendje çdo ditë. Kemi besim të plotë te sistemi gjyqësor i këtij vendi, por nuk mund të pranojmë përdorimin e shpirtrave të të vdekurve për politikë. Kjo nuk mund të ndodhë dhe këtë nuk duhet ta pranoni as ju, si gazetar, asnjë shqiptar, pasi jemi të gjithë vdekatarë. Kjo është përgjigjja ime. Po të ishte për opozitën, mund ta atakoja unë, por nuk mund t'i bie në qafë. Dosja sot del nga të dobëtit, të keqpërdorur politikisht, që kanë frikë nga ligji dhe marrin e bëjnë mediatizim. Ky nuk është shteti ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›