E Diel, 1 Nëntor 2026

Pack: Aplikimin për në BE mos e përdorni për fushatë elektorale

Nga Vizion Plus

Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore flet në një intervistë në lidhje me takimet e këtij delegacioni në Tiranë. Pack thotë se është e nevojshme që të bëhet thirrje për aplikimin me karta identiteti, ndërsa e quan të gabuar idenë e dhënies së kartave falas. Pack tha se Shqipëria është në rrugën e duhur, ndërsa një aplikim për marrjen e statusit të kandidatit për në BE duhet bërë tani dhe jo para zgjedhjeve për të mos u quajtur si një veprim elektoral. Sipas saj, kërkesa nuk do refuzohet, por ajo mund të marrë kohë. Pack deklaroi gjithashtu se liberalizimi i vizave mund të realizohet brenda një viti, pasi duket se shanset janë të mira

Zonja Pack, si e konsideroni situatën politike në Shqipëri? Ju keni pasur takime me zëvendëskryeministrin Pollo, disa ministra, presidentin Topi dhe kreun e opozitës?

Siç e dini, unë jam këtu që në vitin 1992 dhe për aq sa mund të shoh, në vitet e fundit ka pasur mjaft arritje, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita. Këtu kam parasysh konsensusin e arritur ndërmjet partive të opozitës, siç është Kodi Elektoral, i cili është një gjë e një rëndësie mjaft të madhe. Ju e dini që kam qenë këtu pothuajse për të gjitha zgjedhjet dhe gjithmonë kam pyetur veten time sa kohë do t’i duhet Shqipërisë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo mund të bëhet tani. Ka një ligj, është OK, shumë OK dhe është i aprovuar nga të dy partitë kryesore.

Pra, ju po thoni se përgatitjet e deritanishme për zgjedhjet flasin për një mundësi të mirë për të pasur zgjedhje të lira?

Po, po, ju e shikoni që është regjistri. Për herë të parë është një regjistër elektronik i gjendjes civile. Çdokush mund të regjistrohet, çdokush mund të kontrollojë, nëse ai ose ajo është i regjistruar. Pra, mendoj se është një arritje e madhe. Unë shpresoj… shumë gjëra janë arritur dhe Shqipëria mund të jetë krenare për to dhe tani duhet ecur përpara. Njerëzit duhet të kërkojnë kartën e identitetit. Ajo do të thotë që secili duhet të ekzistojë. Gjithë këto vite njerëzit duhej gjithë kohës të merrnin certifikata lindjeje, për nuk e di sa vjet, 15 vjet….

Kurse tani ti ke një kartë identiteti, një kartë identiteti për të gjithë jetën tënde, me numrin tënd, me shenjat e gishtërinjve të tu. Ju keni këtë gjë dhe unë mendoj se është fantastike.

Dhe unë i kërkoj çdonjërit që të shkojë dhe të kërkojë kartën e identitetit, sepse nuk është vetëm për votim. Shpresoj shumë që të gjitha partitë t’u bëjnë thirrje njerëzve të shkojnë dhe të aplikojnë për këto karta identiteti. Nuk është shumë e shtrenjtë.

Por opozita është vërtet e shqetësuar, veçanërisht për shpërndarjen e kartave të identitetit…

Po, opozita është shqetësuar, se jo çdokush po shkon ta kërkojë këtë kartën e identitetit. Por, nëse opozita është duke treguar hapur: prisni dhe shikoni, se mbase ju mund ta merreni atë falas, atëherë askush nuk do të shkojë. As unë nuk do të shkoja.

Partitë politike në Shqipëri janë përfshirë në një debat, nëse duhet të paraqesim tani aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE. Në fakt, a është Shqipëria gati ta hedhë këtë hap? A është Bashkimi Evropian gati për ta pritur këtë kërkesë?

Ju e dini që jam pyetur muaj më parë dhe unë gjithashtu ju kam treguar se unë nuk do ta bëja… nëse do të isha një politikane shqiptare.

Por mendoj se, nëse Shqipëria do të aplikojë, nuk duhet ta bëjë dy ditë para zgjedhjeve, duhet ta bëjë në prill ose kur ajo ka ndërmend ta bëjë dhe duhet ta bëjë me opozitën, sepse dhe opozita ka kërkuar vitin e kaluar nga qeveria që të shkojë të kërkojë statusin e kandidatit.

Dhe mendoj se, nëse duan ta bëjnë, duhet ta bëjnë, por jo në ditën para zgjedhjeve. Do keqpërdorej për fushatë elektorale dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Ajo është pjesë e gjithë shqiptarëve, e gjithë forcave politike dhe kjo nuk do të thotë se është për ata që i përkasin PD apo PS. Është në interesin e së ardhmes së Shqipërisë.

A ekziston një rrezik që kërkesa e qeverisë shqiptare të refuzohet nga BE?

Jo, jo, vërtet nuk ka asgjë të tillë.

Ju e dini. Të mos marrësh një përgjigje, nuk do të thotë se po refuzohesh. Do të thotë që ti po bën një aplikim.

Zonja Pack, cili është imazhi i Shqipërisë në Evropë, në vendet e Bashkimit Evropian?

Imazhi i Shqipërisë në Evropë fatkeqësisht nuk është shumë i mirë, ju e dini, për shkak të së shkuarës. Por që të ndryshojë imazhi, ju duhet të vazhdoni me reformat, ashtu siç keni bërë në vitet e fundit.

Po në tërësi, si i vlerësoni reformat, të cilat tani duket sikur kanë ngecur?

Mendoj, ashtu siç mund ta keni dëgjuar nga Komuniteti Evropian, se korrupsioni është luftuar, kriminelët janë futur në burg apo janë gjykuar. Shumë është bërë, por ju keni edhe shumë për të bërë, pasi duhet të tejkaloni të shkuarën. Në fund ne mund të themi që vërtet ka arritje vitet e fundit dhe ju duhet të vazhdoni kështu.

ǒmund të na thoni për procesin e liberalizimit të vizave? Qeveria jonë fillimisht tha se qytetarët do të lëviznin lirisht në vitin 2009, ndërsa tani thotë se procesi do të realizohet në vitin 2010...

Që të arrini liberalizimin e vizave ju duhet të përmbushni kushtet e udhërrëfyesit dhe me sa kam parë ju po e bëni këtë. Po bëni kartat e identitetit, pasaportat biometrike. Mendoj se ju po bëni çfarë duhet bërë. Kështu që mendoj se jeni në rrugën e duhur dhe po shpresoj shumë që liberalizimi i vizave në fund të fundit të arrihet në një periudhë kohore prej një viti, mendoj unë, sepse është i nevojshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›