Gërdeci, një ministër i “penduar”
Vetëm një muaj pas mosmiratimit të tentativës së parë të Ministrisë së Mbrojtjes për miratimin e prokurimit të drejtpërdrejtë me SAC të demontimit të municioneve të vjetra, qeveria më 14 mars 2007 miraton vendimin 138, që konsiderohet si hapi i parë ligjor që çoi në tragjedinë e Gërdecit. Bode rishtas kundër, njëlloj si në rastin e miratimit të kontratës për rrugën Durrës-Kukës. Një ministër tregon se çfarë ndodhi në atë mbledhje, përplasjen Bode-Mediu dhe reagimin e kryeministrit Berisha. “MAPO” boton shkresat e Ministrisë së Drejtësisë, të Ekonomisë dhe të Financave. Ku ishte thyer urdhri i kryeministrit për të ngritur një grup pune që të gjente zgjidhje për ngërçin ligjor?
Pothuaj një muaj pas dështimit të tentativës së parë për të miratuar vendimin e qeverisë për demontimin e municioneve të vjetra në bashkëpunim me kompaninë amerikane SAC, Ministria e Mbrojtjes propozon sërish të njëjtën gjë: të bëhet demontimi i këtyre municioneve. Ajo dërgon në Këshillin e Ministrave një variant të ripunuar të propozimit të parë, për të cilin ka marrë paraprakisht miratimin e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Ekonomisë dhe ka pasur sërish një sërë vërejtjesh nga Ministria e Financave. Ka një diferencë mes dy projekteve që bie menjëherë në sy, kësaj radhe, nuk përmendet më kompania amerikane SAC. Dëshmia konfidenciale e një anëtari të qeverisë, pjesëmarrës në këtë mbledhje, përmend se në mbledhjen e datës 14 mars 2007, e cila dhe prodhoi vendimin e famshëm me numër 138, që i hapi rrugë tragjedisë së Gërdecit, ka pasur vetëm tre aktorë kryesorë, kryeministrin, ministrin e Financave dhe ish-ministrin e Mbrojtjes. Gjithë të tjerët kanë heshtur. Tonet kanë qenë më të qeta dhe pothuaj të gjitha propozimet e Bodes janë marrë parasysh. Është e vështirë të hidhet dritë për atë çfarë ka ndodhur në harkun e një muaji, kur në fillim u hodh poshtë dhe më pas u miratua propozimi i Ministrisë së Mbrojtjes. Është me interes të veçohet megjithatë një detaj: sipas burimit tonë qeveritar, deri më tani aspak i përgënjeshtruar nga askush, në mbledhjen e 17 shkurtit, me propozim të kryeministrit është ngritur një grup pune me specialistë nga tri ministritë e linjës, ajo e Mbrojtjes, e Drejtësisë dhe e Financave, drejtuar nga zëvendëskryeministri Rusmali.
Grupi i punës, thyhet urdhri i Berishës
Ky grup duhet të gjente zgjidhjen ligjore për ngërçin po ligjor të shkaktuar. Por dhe më me interes është të nënvizohet fakti tjetër se, sipas dëshmive tashmë të dhëna në media, por dhe të pranuara publikisht, të paktën nga ministri aktual i Drejtësisë, Alibeaj, specialistë të Këshillit të Ministrave (dhe vetë Alibeaj në atë kohë), kishin nisur të punonin në këtë drejtim që kohë më parë. Vetë Alibeaj ka pranuar se në pozicionin e tij të dikurshëm si drejtor i departamentit Antikorrupsion, ka “konsultuar e dirigjuar” juristët e Ministrisë së Mbrojtjes. Është e dokumentuar që të paktën, në dimrin e viteve ‘06-‘07, dhjetor-shkurt, në zyrën e tij në Këshillin e Ministrave, janë zhvilluar një numër ende i pacaktuar takimesh që kanë pasur si synim pikërisht zgjidhjen e këtij ngërçi ligjor, të kontestuar aq fort nga Bode. Për momentin është e pamundur të thuhet se çfarë ka ndodhur pas datës 17 shkurt 2007, por një gjë është e qartë: urdhri i kryeministrit për ngritjen e grupit të punës që do të “asistonte” Ministrinë e Mbrojtjes është thyer dhe është “parazbatuar”. Ka pasur apo jo kryeministri dijeni për këtë fakt, kjo është diçka tjetër që ka të bëjë me vetë kryeministrin. Nuk dihet gjithashtu se cilët kanë qenë personat pjesëmarrës në këtë grup; e vetmja siguri që ofron burimi ynë, është që një muaj pas urdhrit të kryeministrit, divergjencat me Ministrinë e Mbrojtjes në dukje ishin të shuara. Ishte shuar edhe emri i kompanisë amerikane që pretendonte të bënte demontimin e municioneve të vjetra.
Mbledhja e 14 marsit, miratohet vendimi 138
Dëshmia e ministrit konfirmon për revistën “MAPO” se në këtë mbledhje kanë munguar rishtas tre ministra; Olldashi, atëherë ministër i Brendshëm, Cikuli dhe Leskaj, ish-ministra të Shëndetësisë dhe të Kulturës.
Të gjithë pjesëmarrësve iu është vënë në dispozicion nga një shkresë e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë, ajo e Ekonomisë dhe e Financave. Dy të parat janë të shkruara thjesht: Parimisht shprehemi dakord. Shkresa e firmosur nga Bumçi mban datën 9 mars 2007 dhe numrin e protokollit 1594/1. Është shkresa e famshme, e cila pretendohet se i është dërguar me faks në të njëjtën ditë dhe të birit të kryeministrit. Po kështu, edhe shkresa e Ministrisë së Ekonomisë e datës 13 mars 2007, me numër protokolli 1843, afron të njëjtën gjë: miratimin në parim të propozimit të Mediut. Ndryshe ka vepruar sërish Ministria e Financave: “grindaveci” Bode ka numëruar një sërë pikash të projektvendimit, me të cilat ai nuk është dakord. Vërejtjet e financave kishin të bënin sërish me bazueshmërinë ligjore të vendimet dhe me aspekte financiare të tij, ajo është dërguar në Këshillin e Ministrave në datën 12 mars 2007.
Burimi ynë, anëtar i qeverisë Berisha, dëshmon sërish për atë çfarë ndodhi në mbledhjen e 14 marsit 2007, fiks një vit më pas, në Gërdec do të ndodhte shpërthimi i frikshëm që vrau 26 vetë, plagosi qindra të tjerë dhe shkatërroi pronën në vlerë dhjetëra milionë euro. Sipas tij, Bode pretendon që në fillim të mbledhjes se nuk janë reflektuar vërejtjet e bëra prej tij në draft. Ndërsa Mediu pretendon të kundërtën, që vërejtjet e bëra janë reflektuar. Ai afron dhe një detaj interesant: mbi projektin është punuar deri në ditën e fundit. Bode insiston në vërejtjet e tij, sipas tij, Këshilli i Ministrave nuk mund të miratojë çmimet për demontimin e municionit. Mediu e pranon një gjë të tillë dhe pretendon se bëhet fjalë për një gabim teknik: “Është hequr ky detaj. Këtu është shënuar gabimisht”. Konflikti me fjalë vazhdon edhe për masën e përfitimit që do të merrte nga ky operacion ndërmarrja MEICO. Bode rishtas insiston për ndryshim në draft dhe në këtë pikë përkrahet edhe nga kryeministri. “Refero vendimin, nëse nuk ka një vendim të tillë, atëherë këtë masë përfitimi nuk mund ta përcaktojë ministri i Mbrojtjes”, - citohet të jetë shprehur Bode dhe Mediu tërhiqet. Debatet për një gjë të tillë vazhdojnë gjatë dhe Bode këmbëngul në një pikë: Masa e përfitimit duhet të bëhet sipas akteve në fuqi ose me një udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe asaj të Mbrojtjes. Por kësaj radhe është radha e Mediut të kundërshtojë. Ai kërkon ta përjashtojë Ministrinë e Mbrojtjes nga kjo procedurë, por në këtë pikë e kundërshton vetë kryeministri: “Masa e përfitimit të përcaktohet sipas udhëzimit të përpiluar nga dy ministritë”, - citohet të ketë thënë kryeministri dhe mbas këtij momenti, nuk ka më histori në mbledhjen e qeverisë. Të gjithë votojnë pro vendimit 138. Dhe nga ky moment, shtrati ligjor për kinse demontimin e municioneve të vjetra të ushtrisë shqiptare, ishte shtruar. SAC ishte i lirë të vinte në Shqipëri, ku gjeti si partner lokal “AlbaDemil”-in e Delijorgjit. Dhe vetëm një vit më pas, “festa” u kthye në mort dhe në historinë e Shqipërisë u shtua dhe një kapitull i zymtë që do të nisë kurdoherë me fjalët: Në mesditën e 15 marsit, në Gërdec u hodhën në erë 26 jetë njerëzore. Pjesë të kësaj historie do të shkruajë dhe procesi penal i saponisur në Gjykatën e Lartë, me dy duzina qytetarësh, civilë e ushtarakë të marrë si të pandehur, mes të cilëve dhe vetë Mediu dhe gjithë hierarkia më e lartë ushtarake e Forcave të Armatosura.
Burimi ynë specifikon se vetëm Bode ka qenë ministri që e ka kundërshtuar miratimin e këtij vendimi. Ai shton se në të njëjtën pozitë, ministri i Financave ka qenë dhe në mbledhjen tjetër të Këshillit të Ministrave që miratoi kontratën për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Por ky është një argument tjetër; nuk dihen ende motivet që e kanë shtyrë zotin Bode të kundërshtojë dhe të bëjë zakonisht “macen e zezë” të kabinetit apo siç shprehej me ironi ish-kolegu i tij Mediu: “...njeriu që bënte në të njëjtën kohë edhe juristin, edhe financierin”.
Kur dështonte tentativa për SAC
Një numër më parë, revista “MAPO” publikoi shënimet e një anëtari të kabinetit Berisha që hidhte dritë mbi mënyrën se si qeveria kishte tentuar të miratonte, por nuk kishte mundur ta firmoste, vendimin për procedurën e çmontimit, demilitarizimit të municioneve në pronësi të ushtrisë shqiptare me shoqërinë amerikane SAC. Një dëshmi tronditëse që afronte për herë të parë për publikun sherrin e madh mes ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pikërisht, për shkak të reagimit të ashpër të Bodes, që kishte gjetur në projektin e paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes një sërë parregullsish dhe shkeljesh ligjore, projekti nuk u firmos në datën 17 shkurt të vitit 2007. Por ajo dëshmi ofroi dhe një të vërtetë tjetër, shumë më të madhe; faktin që i gjithë kabineti qeveritar ishte në dijeni të transaksionit që po përgatitej të bëhej me SAC, ndërkohë që menjëherë mbas shpërthimit të Gërdecit dhe deri më tani, të gjithë, përfshi në radhë të parë kryeministrin Berisha, kanë pohuar se nuk kishin dëgjuar kurrë për firmën amerikane, e cila, së bashku me “AlbaDemil”-in e Delijorgjit, demontoi fishekë dhe predha në Gërdec.
Në dëshminë e ministrit përmendet se debati mes Bodes dhe Mediut ka qenë i vazhdueshëm dhe se në mbledhjen e qeverisë ka ndërhyrë në pak raste edhe kryeministri, i cili, siç citohet, ka pohuar se nuk ishte i qartë për atë që po përgatitej. Ka folur dhe ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, por nuk ka thënë ndonjë gjë të madhe aty, përveçse i është bashkuar idesë së Mediut për demontimin e municioneve, sipas të njëjtës mënyrë që ai do të bënte me prodhime të skaduara ushqimore. Kurse ish-zëvendëskryeministri, Rusmali, atëherë ka ngulmuar në zbatimin e legjislacionit, i cili e pengonte Këshillin e Ministrave të bënte prokurim të drejtpërdrejtë.
Dëshmia citon se replikat mes dy ish-kolegëve, Bode dhe Mediu, kanë qenë ironike, të drejtpërdrejta dhe reflektonin një sherr, ndoshta edhe më të hershëm mes tyre. “Ridvani bën dhe juristin, dhe financierin. Të kthejë përgjigje me shkrim, të bëhet ballafaqim”, - shpërthen Mediu më 17 shkurt të 2007, në ditën kur propozimi i tij kthehet mbrapsht nga Këshilli i Ministrave si i papërputhur në ligj. I zemëruar me kundërshtimet e Bodes, madje ish-ministri i Mbrojtjes shkon dhe shumë më tej: “Ore e shtyni, doni ta lini. Lëreni fare se nuk më intereson”. Kurse Bode përgjigjet thjesht: “Zbato ligjet dhe rregullat”.