Haxhi Enkelejd Alibeaj, ankesë te Flamuri për Haxhi Selim Muçën
Kryetari i Bashkësisë Islame, Selim Muça, fitoi dje me dy të tretat postin e kryetarit. Debati për rregullsitë dhe parregullsitë e këtij procesi ka një javë që ka nisur dhe ka përfunduar në gjykatë. Kundërshtarët e Selim Muçës kanë patur të drejtë formale në disa pika, dhe kanë vendosur ta çojnë çështjen në gjykatë. Enkelejd Alibeaj, i cili po ashtu është Haxhi, pasi ka shkuar në Mekë, sapo mori vesh për konfliktin, u vu në lëvizje. U interesua për shortin në gjykatë dhe po e ndiqte situatën në terren. Por Haxhi Selimi ishte më i shkathët dhe i mori votat në Kavajë, edhe pse shumë besimtarë e kundërshtuan rizgjedhjen e tij.
Pas kësaj, Haxhi Alibeaj shkoi të ankohej te Flamuri.
- Duhet ta marrim situatën në dorë, - tha. - Komunitetin Mysliman na e kanë marrë ateistët. Selim Muça është ateist, - tha. - E kemi verifikuar. Dhe kur kemi qenë në Mekë, ai s’ka ardhur në pelegrinazhin për të qëlluar me gurë shejtanin. Duhet të bëjmë diçka që të anulohen zgjedhjet.
- Po si t’ia bëjmë, - tha Flamuri, - se mos më njoftove më parë ti dhe s’e ndreqa unë? Kishim bërë një mbledhje tjetër në Tiranë, u kishim thënë këtyre të “Klan”-it dhe e jepnin këta që nuk fitoi ky Haxhiu, si e ka emrin?
- Jo, Haxhiu nuk është mbiemër, - i tha Enkelejdi, - është titull. Dhe unë jam Haxhi, se kam qenë në Mekë, po s’e përdor. Ti e di që dhe ditëlindjen e kam më 11 shtator.
- Po ti paske qenë tamam për kryetar komuniteti, ç’na u bëre kot ministër Drejtësie, sa na zure ne një vend, - i tha Flamuri. - Unë mendoj, - tha, - të verifikojmë dosjen e këtij Haxhiut, si e ka emrin, dhe pastaj ta heqim dhe të vëmë atë Haxhiun tjetër, si e ka emrin…
- Jo, jo, s’e bëjmë dot, se i hoqëm këta krerët e feve nga verifikimi, se na e kërkoi ai burri.
- Po atëherë ç’të bëj tjetër unë? - tha Flamuri. Më thuaj ti dhe unë veproj.
- Po ja, sikur të akuzojmë Edi Ramën që po zapton Komunitetin Mysliman dhe do ta përdorë politikisht.
- E bëjmë, - tha Flamuri, - por për këto akuza nuk jam unë kompetent. Me këto merret Gert Bogdani. Më jep mua, si e ka emrin nëna e këtij Haxhiut, si e ka emrin babai i tij, vajzat, djali dhe fillon Bogdani me libër shtëpie. Këta të vjetrit i nxjerr spiunë, këta të rinjtë qejfli orgjish. E ka merak vetë ai. Ti vetëm emrat më jep ose inicialet, se ia ka marrë dorën me iniciale tani ai.
- Ja të përpiqem t’i gjej, - tha Haxhi Enkelejdi i shqetësuar. - Po ti Flamur nuk je pak besimtar? - e pyeti pastaj.
- Unë?! - tha Flamuri i çuditur. - Po mo, besoj te Sali Berisha, ku të besoj tjetër? Pse budalla jam të besoj te Selim Muça?
- Atje besoj dhe unë, - tha Enkelejdi, - po të pyeta për fenë, je bektashi apo mysliman?
- Vallai s’e di, kemi një sheh atje në fshat, në Kukës, po ai pi raki gjithë ditën. S’di a është bektashi a mysliman.
- Qenka bektashi, - i tha Enkelejdi, - nga ata që kanë festën sot, më 22 mars.
- Epo, bektashi qenkam, - i tha Flamuri. - Ah tamam, se dhe këtë kryegjyshin e kemi nga Kukësi. Është i vetmi që s’kam lëviz nga puna, që kur kemi ardh në pushtet.
- Po, po, jeni rehat ju, se s’keni sherre, - tha Enkelejdi. -Vetëm për ato tokat në Ksamil keni problem, se po vriteni me njëri-tjetrin. Kurse ne myslimanët e kemi shumë problem këtë Selim Muçën, se është edhe ateist, edhe socialist, edhe na u rizgjidh pa lejen tonë. Fola dhe me Zenin, se dhe ai beson shumë në fe, dhe ishte i mërzitur.
- Epo ç’të të them unë o Enkelejd. Më mirë lërë këtë punë që bën, se këtu sa për sherre të kemi, na ke fut në sherr me gjithë Evropën dhe merru me këtë punën e Haxhiut, si e ka emrin… se ia harroj.
- Jo mo jo, s’kam pse e bëj atë unë. Unë e kam thënë që në fillim, kur kam dhënë intervistën e parë, e kam thënë hapur: Jam Haxhi, kam qenë në Mekë, kam lindur më 11 shtator dhe besoj te Sali Berisha. Nuk ndërroj Zot as unë, se s’kam ndërmend të mbetem rrugëve, po thashë ta konsultoja njëherë si t’ia bëjmë, se më ka rënë autoriteti shumë mes besimtarëve. Më thonë: “Të rroftë pushteti, na mundi dhe ky ateisti.”
- Po kemi ndonjë leverdi nga kjo punë ne, - tha Flamuri, - që ta përdorim në fushatë?
- Kemi, si s’kemi, - tha Enkelejdi. - Se po të jetë mysliman tamam, nuk vjedh dhe e përdorim për fushatë elektorale.
- Le, mos na e hap këtë punë, se thonë që dhe Zeni është besimtar, po ç’deshi që u përzje në Gërdec pastaj.