Disa milimetër larg vdekjes

Foto nga aksidenti / Daily Mail
Një 32-vjeçare në Britani i ka shpëtuar mrekullisht vdekjes, kur makina me të cilën udhëtonte ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar buzë një gremine.
Pasi ka shkatërruar mbrojtëset anësore të rrugës, automjeti ka përshkuar disa metra dhe ka ndaluar në buzë të greminës shkëmbore rreth 16 metër të lartë, me dy gomat e para në ajër.
Pavarësisht se i ka shpëtuar për një fije vdekjes së sigurt, drejtuesja e BMW-së është larguar nga vendi i aksidentit me dëmtime në shpinë, kockat e legenit dhe këmbë.
Punonjësit e skuadrës së shpëtimit janë shprehur të mrekulluar për faktin se si ishte e mundur që makina nuk ka rënë nga shkëmbi, pasi terreni ku ka ndaluar ishte i paqëndrueshëm.
Një tjetër aksident i ngjashëm ndodhi vitin e kaluar në të njëjtën zonë të Yorkshire-it lindor. Një grua 35-vjeçare shpëtoi mrekullisht nga vdekja, pasi makina e sai tip Fiat Punto ndaloi 30 cm nga buza e greminës. / Përgatiti: Gazmira Ndoja