E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare - “komunisti i fundit”

Blerina Rogova - Gaxha

-Në pamje modest e i zakonshëm, në qasje origjinal e i thellë, Ismail Kadare që për shumicën e atyre që flasin e lexojnë shqip është shkrimtari më i madh që sot e ka bota shqiptare, në Prishtinë e çoi një hap tutje konceptin e tij evropian për shqiptarët si komb. Ai tha se dilema nëse shqiptarët duhet të jenë pjesë e Evropës ose jo, as që duhet të ekzistojë, sepse ata gjithmonë kanë qenë pjesë e saj. Por, edhe kjo ishte boll që të çarteshin disa, që Kadarenë akoma e cilësojnë komunist.

Një ditë pasi çifti Kadare e trandi skenën e politizuar kosovare me “pak” kulturë e art, pati edhe (këlyshë) kosovarë që nuk lanë pa zhbiruar ku gjetën e ku nuk gjetën një fakt dhe një dëshmi ku Kadareja i shqiptarëve i zbritur në tokën e kosovarëve, të kish thënë njëherë e dikur se vërtet ishte komunist. Ani pse këtë ‘de fakto’ e kish gjetur në një poezi dashurie, ku autori në një listë numërimi poetik fuste edhe faktin e të qenit komunist. Zbuluesi i saj ‘anonim’ dukej se kish harruar që në mos për kurrgjë tjetër, e gjithë letërsia dhe poezia si e tillë, funksionon mbi “ligjin” fiksional. Nuk besoj që autori të jetë kaq i padijshëm sa të mos e dijë këtë, e aq më pak nëse këtë e ka thënë me dijeni.

Sidoqoftë, ky mund të jetë një personazh më shumë nga ata të cilët me “qykë” e me zor duan të bindin se “Kadare është një shkrimtar i madh, por një njeri i poshtër”. Kështu qarkulloi në rrjetin e shpirtit të kosovarëve të dijshëm e të padijshëm të FB-së.

Sipas çdo gjase, puna e përkatësisë së autorit ndaj një kohe dhe ndaj një ideologjie, ka mbetur në duart e taborreve të ndara të lexuesve, të cilëve zor se mund t’u besojë kush. Edhe ata që e çmojnë dhe e nënçmojmë njëkohësisht veprën dhe angazhimin e tij intelektual. Larg qoftë që ta presin me thikë e t’u lënë vragë rivalët e tij “të pabesë”.

Kadare do ta ketë thënë diku se ëndrra e Serbisë për Kosovën djep të saj është “përrallë për të përkundur budallenjtë”, siç do ta ketë thënë po ashtu se çmendia është karakteristikë e Ballkanit, edhe pse pa klishe e ndarje bardhezi, por të çmendurit ballkanikë janë kudo, edhe në Kosovë.

Kosovarët “dyshues” mbi gjithçka e “triumfues” ndaj vetvetes, mund të kenë harruar gjëra që i kanë mësuar përgjatë kësaj rruge. Në këtë linjë mbase, ai dhe njëkohësisht ne, e ndjejmë një “lehje në grup”, të disa njerëzve që ujin në vend se për ta pirë, ka kohë që janë duke e lëpirë! Ky do të ketë qenë “rreziku nga vetvetja”, por që kombi shqiptar do ta ketë kapërcyer, duke ngadhënjyer edhe mbi zhdukjen krejtësisht të mundshme nëpër kohë. I pamë dhe i lamë gjithë këta njerëz duke e bërë zanatin e tyre, dhe duke mos pasur as kohë të merreshim me ta, sepse na kish marrë malli për Kadarenë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›