E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha nuk ndalet, miratohen “Dosjet”

 

BLEDAR HOTI

Maxhoranca voton me 74 vota pro projektligjin për hapjen e “Dosjeve”. Ligji i shumë debatuar është votuar vetëm nga PD dhe PR, si dhe nga një pjesë e deputetëve të grupit të “Qendrës”, të cilët janë pa parti. Dy votat kundër kanë qenë të deputetëve të grupit të Qendrës, Durim Hushi dhe të Bukurosh Stafa votuan kundër. Ndërsa vota abstenuese erdhi nga deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Maxhoranca qeverisëse nuk ka qenë unike gjatë votimit këtij projektligji. Demokristianët kanë bojkotuar votimin për këtë projektligj, duke treguar kështu qëndrimin e kundërt me PD-në. Gjithashtu në këtë votim nuk morën pjesë as dy deputetët Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli. Ndërsa ka rënë në sy mungesa e ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli. Të gjithë deputetët e opozitës nuk morën pjesë në këtë votim, duke treguar një qëndrim në union për këtë çështje. Deputetët e djathtë janë njoftuar me telefon për të marrë të gjitha masat që të mos mungonin në seancën e pasdites së djeshme, për shkak se ky ligji për hapjen e dosjeve do të votohej në Parlament. Nga qeveria ka munguar vetëm ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, i cili gëzon edhe të drejtën e votës. Ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe ministrat që s’kanë të drejtën e votës, duke përjashtuar ministrin e Punës, Anastas Duro. PBDNJ dhe PDK dy parti që janë pjesë e së koalicionit të djathtë, të paktën zyrtarisht nuk kanë marrë pjesë në votim. Kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, si dhe deputeti Spiro Peçi nuk kanë marrë pjesë fare në këtë votim, edhe pse në fillim të seancës kanë qenë prezentë. Gjithashtu, kanë munguar kreu i PDK-së, Nard Ndoka. Të gjithë deputetët e grupit parlamentar demokristian kanë bojkotuar votimin. Ndërsa deputeti Hamit Kosta, që dikur aderonte te PDK-ja, votoi pro këtij drafti. Ai i është bashkangjitur grupit parlamentar “Qendra”. Edhe deputetët e këtij grupi Paulin Stërkaj, Pashko Ujkaj, Durim Lamaj, Flori Bajramaj dhe Alfred Gega votuan pro. Ndërsa kundër ishin Durim Hushi dhe Bukurosh Stafa. Pothuajse gjatë gjithë kohës së votimit, Kryeministri Sali Berisha ka folur në telefon, duke treguar se në të njëjtën kohë nuk mund të nënvlerësonte njerëzit që po e merrnin. Kryeministri ka ndërprerë telefonatat vetëm në momentin kur kryeparlamentarja Topalli ka bërë prezent faktin, se Senati italian kishte miratuar protokollin e Shqipërisë për aderimin në NATO. Seanca e Kuvendit ka nisur më me vonesë nga sa parashikohej. Kjo për shkak se është pritur që të vinin të gjithë deputetët e maxhorancës. Ndërsa projektligji është miratuar, maxhoranca është në pritje të vendimit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Kthimi për rishqyrtim të Kodit Zgjedhor, duke se mund të trembë maxhorancën, se mos dhe ky ligj të mos dekretohet nga kreu i shtetit.

Votimi

Votat pro         74 deputetë

Votat kundër  
Durim Hushi    G. Qendrës
Bukurosh Stafa     G. Qendrës

Vota pro nga     G. Qendrës
Durim Lamaj
Hamit Kosta
Paulin Stërkaj
Pashko Ujka

Vota abstenuese    
Leonard Solis         PBDNJ

Deputetët që munguan
Spartak Ngjela        PD
Gilman Bakalli        PD
Nard Ndoka        PDK
Jak Ndokaj        PDK
Ndue Shpani        PDK
Ymer Tola        PDK
Frrok Gjini        PDK
Vangjel Dule        PBDNJ
Spiro Peçi        PBDNJ
Lufter Xhuveli          PAA

Lesi: Të zbardhen spiunët nëmedia, “Lapsi blu” e “Labinoti”

Deputeti i PDK-së, Nikollë Lesi, ka insistuar në votimin e amendamentit, i cili kërkonte të fuste në sitën e verifikimit edhe gazetarët, drejtuesit dhe botuesit e mediave private. Nikollë Lesi u shpreh se duhet të hapen dhe dosjet patjetër të punonjësve të mediave private, pasi duhet të kryhet një pastrim dhe në botën e medias private të shkruar dhe audiovizive. “Ne duhet të pastrojmë, pasi këtu Astrit Patozi e di se kush është personi që ka pseudonimin ‘lapsi blu’, apo ‘Labinoti’. Prandaj duhet të ketë një pastrim për këtë çështje, nuk duhet të përjashtohen”, deklaroi Lesi. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si të pamundurën një gjë të tillë, pasi ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese. “Unë kam qenë vetë që i kam hartuar një nen të tillë në vitin 1995, por nuk e realizova. Kjo tregon se dështova. Tani ka një vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që e përjashton një gjë të tillë. Prandaj unë kërkoj që të mos bësh armiq median e lirë dhe private”, deklaroi Berisha. Votimi i një amendamenti të tillë do sillte pasoja, pasi opozita mund ta akuzonte atë për kërcënime dhe presione ndaj medias së lirë dhe private. “Pastaj nuk mund të ketë dy standarde në lidhje me zbatimin e këtij projektligji, ku vetëm drejtuesit e medias publike verifikohen dhe të gjithë të tjerët në median private kontrollohen. Kërkoj që të mirëkuptosh në lidhje me këtë amendament që ke propozuar”, deklaroi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›