E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrje për borxhet e drogës në Itali, 18 vite burg shqiptarit

 

ITALI – Gjykata e Milanos dënoi dje me 18 vite burgim një emigrant shqiptar të akuzuar për pengmarrje me qëllime përfitimi. Lajmi është bërë i ditur nga mediat e vendit fqinj, sipas të cilave shqiptari Saimir Tuda akuzohet se ka marrë peng një bashkëkombës të tij, siç dyshohet për shkak se i dëmtuari nuk kishte shlyer borxhin e marrë kohë më parë. Sipas gjykatës, ngjarja ka ndodhur në janar 2008, kur i dënuari ka marrë peng një shqiptar tjetër. Mes dy protagonistëve të ngjarjes kishte një mosmarrëveshje financiare për shuma që lidheshin me veprimtarinë e trafikut të drogës. Sipas hetimeve, dy shqiptarët kanë bërë disa takime e tratativa për shlyerjen e borxhit dhe shtyrjen e tij, por si duket nuk kanë gjetur marrëveshje. Pas kësaj, Saimir Tuda ka vendosur të zgjidhë çështjen duke marrë peng borxhliun e tij me shpresën se kështu do të merrte paratë që kishte dhënë. Gjykatësi italian Xhuzepe Xhenari dha dënimin me 18 vjet heqje lirie për emigrantin shqiptar, Saimir Tuda. Gjykata vendosi gjithashtu dhe tetë vjet burg për të fejuarën italiane të emigrantit shqiptar, e cila është konsideruar bashkëpunëtore në veprën kriminale objekt gjykimi. Pas ngjarjes së ndodhur me marrjen dhe mbajtjen peng të shqiptarit, policia italiane filloi një operacion antidrogë të kryer bashkë me strukturat e Guardia Di Finanza të Firences në muajin janar të këtij viti. Nga aksioni dhe hetimet e policisë u zbulua se Saimir Tuda së bashku me tre persona të tjerë kishin rrëmbyer një tjetër emigrant shqiptar. Pengu mësohet se është mbajtur i izoluar në një apartament në Arcore të Milanos. Nga hetimet e policisë mësohet se shuma që emigranti i marrë peng kishte marrë borxh te rrëmbyesi i tij ishte 15 mijë euro. Një shumë e tillë mësohet se bënte fjalë për një sasi droge të shkëmbyer mes palëve, vlera financiare e të cilës është përkthyer në shumën e borxhit me të cilin i rrëmbyeri i detyrohej emigrantit shqiptar Saimir Tuda. Pas një viti hetimesh prokuroria çoi në gjykatë dosjen penale, ku brenda pak seancave u vendos dënimi i shqiptarit bashkë me të fejuarën e tij, që akuzohet se ka ndihmuar në pengmarrje.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›