“Berisha po na rrezikon me SHBA”
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama u shpreh dje se me ligjin e "Dosjeve", Berisha kërkon të mbrojë veten dhe oborrin e tij nga drejtësia. Partia Socialiste përsëriti dje qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në asnjë votim, pa shkuar Kodi Zgjedhor në Parlament. "Sali Berisha është kapur pas viktimave të komunizmit për të shpëtuar anijen e qeverisë së tij që po mbytet në kënetën e korrupsionit, dhe as nuk do t'ia dijë për kërcënimin që i vjen procesit zgjedhor për shkak të papërgjegjshmërisë së tij", tha Rama. Kryetari socialist tha dje se PS-ja është e gatshme për hapjen e të gjitha dosjeve. "Qëndrimi ynë është i qartë: Jemi gati të hapim dosjet, të gjitha dosjet, dhe jemi gati të votojmë një ligj të standardeve evropiane që ka pëlqimin e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm ndërkombëtarë, duke filluar nga qeveria amerikane, të cilës i kërkoj ndjesë në emër të qytetarëve e qytetareve të Shqipërisë për sjelljen joserioze të kryeministrit shqiptar ndaj shqetësimeve të shprehura prej përfaqësuesve të saj të nderuar", tha Rama. Kreu socialist tha se PS-ja nuk do miratojë asnjë ligj tjetër përveç Kodit Zgjedhor. "Ne duam mbylljen e menjëhershme të punës së Parlamentit për Kodin e ri Zgjedhor me futjen për votim të dekretit të Presidentit pa humbur asnjë ditë. Pa u mbyllur kjo punë, të cilën jo vetëm ne, por edhe partnerët tanë euroatlantikë e quajnë urgjente, Partia Socialiste nuk merr pjesë në asnjë votim tjetër të Parlamentit", tha Rama. Duke shprehur shqetësim për deklaratat e Kryeministrit lidhur me argumentet e ndërkombëtarëve për antikushtetueshmërinë e ligjit të "Dosjeve", Rama tha se në këtë mënyrë Berisha po vë në vështirësi dhe raportet me aleatët tanë, si SHBA-në. "Madje, ai shkon aq larg sa të mohojë publikisht, jo vetëm deklaratën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për antikushtetueshmërinë e projektligjit famëkeq, por edhe telefonatën me një zyrtar të lartë amerikan e mik të shquar të shqiptarëve, i cili i ka shprehur drejtpërdrejt Kryeministrit shqiptar shqetësimin serioz të partnerit tonë të madh për këtë hap aspak të dëshiruar në kundërshtim me Kushtetutën e me shtetin ligjor", tha Rama. Kryetari socialist tha se debati për dosjet po shmang miratimin e Kodit Zgjedhor. "Po rrezikojmë krejt procesin zgjedhor, sepse Sali Berisha e ka mendjen sesi të ndalë drejtësinë dhe të shpëtojë nga gjykimi i saj ministrat e tij të pandehur së bashku me oborrin kryeministror e me sekserin serb që ka futur në thes gjithë klanin Berisha", tha Rama. Kryeministri Berisha e ka cilësuar qëndrimin e kreut socialist si të prekur direkt nga ligji për pastërtinë e figurave, pasi, sipas tij, Rama është nip i Byrosë Politike të regjimit komunist.
“Falje SHBA për gënjeshtrat e Berishës”
Kryetari socialist i kërkoi falje zyrtarëve të lartë amerikanë ndaj qëndrimit që Kryeministri Berisha mbajti ndaj deklaratave të tyre në lidhje me ligjin e "Dosjeve". "Që kryeministri ynë është gënjeshtar i pashoq këtë e dimë të gjithë, po që të na bëjë qesharakë të gjithëve në sy të miqve e partnerëve tanë të mëdhenj me gënjeshtrat e tij sy për sy, këtë nuk ia kemi borxh, ashtu siç nuk i kemi borxh as gjithë atë mal akuzash e shpifjesh për një projektligj që nuk e kundërshtojmë vetëm ne, as vetëm njerëzit e drejtësisë apo përfaqësuesit e shoqërisë civile shqiptare, por edhe qeveria amerikane e ajo britanike", tha Rama. Kreu socialist tha se ndjesë duhet të kishte kërkuar vetë Kryeministri Berisha, pasi ai është përfaqësues i një populli që ushqen simpati për SHBA-në. "Do të doja që këtë ndjesë ta kërkonte sot vetë kryeministri, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë së një populli që ushqen ndjenjat më të ngrohta të miqësisë e të respektit për SHBA", tha Rama.