E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, PS bojkoton Kuvendin

 

BLEDAR HOTI

Kryeministri Sali Berisha akuzoi ashpër opozitën për bojko-timin e seancës, duke i cilësuar se janë të kapur nga e kaluara dhe janë me dosje. Ndërsa socialistët akuzuan Berishën se është ndër të vetmit, që nuk ka kërkuar falje për krimet e komunizmit. Pavarësisht se godina e sallës së seancave ka qenë e mbuluar me drita të shumta për të kujtuar atmosferën e festave të fundvitit, seanca për ligjin e Dosjeve ka nisur e tensionuar. Kjo atmosferë u vu re gjatë diskutimit të socialistit Braçe, ku Topalli i ndërpreu fjalën dhe më pas dhe seancën e Kuvendit për më shumë se 10 minuta. Përpos thirrjeve të ndërkombëtarëve për të mos votuar një projektligj të tillë, kreu i maxhorancës, Sali Berisha është shprehur i vendosur për kalimin e projektligjit në seancën e djeshme.
Akuzat
Erjon Braçe ishte i vetmi socialist, që kanë prezent në seancë, duke bërë prezent qëndrimin e PS-së për këtë projektligj. “Dua të them që në fillim se deputetët socialistë nuk gjenden në sallën e Kuvendit, duke adoptuar një qëndrim të drejtë, të ndershëm dhe njëherësh të fortë politik në raport me institucionin e marrë peng nga Sali Berisha, me Kuvendin, i cili prej ditësh po refuzon të bëjë detyrën e tij kushtetuese, funksionale, të shqyrtimit dhe miratimit të dekretit të Presidentit të Republikës mbi Kodin Zgjedhor”, theksoi Braçe. Nënkryetari i Grupit të PS-së, Erjon Braçe ka akuzuar Berishën, se ka qenë përfaqësues i sistemit të mëparshëm, duke i nxjerrë një medalje të marrë në kohën e regjimit komunist, si dhe duke i bërë prezent një foto, ku ai kishte dalë me një prej ministrave të Brendshëm. “Partia ime, Partia Socialiste, që në vitin 1991 është distancuar qartë, ka dënuar prerë, e ka kërkuar falje e përulur për krimet e regjimit komunist dhe viktimat e pafajshme të tij. Sali Berisha nuk e ka bërë këtë kurrë. Këtu në Parlament ka folur qartë për krimet e udhëheqësve komunistë, i përshkroi madje me një realizëm sikur të qe pjesëmarrës në to, por asnjëherë nuk tha se ku kishte qenë, ç’status kishte në Partinë e Punës, ç’kishte thënë në atë kohë, si kishte reaguar, kë kishte denoncuar, si ishe nënshtruar kur diktatura këpuste njëra pas tjetrës jetët e dhjetëra intelektualëve, profesorë apo bashkëkohës të tutë? Ti ke qenë në krahun e diktatorëve, të diktaturës, jo të viktimave”, tha Braçe. Sipas tij, “ky ligj nuk hap dosjet. Ky ligj i mbyll ato. Ky ligj nuk dënon diktaturën e komunizmit, por mbron diktaturën e korrupsionit. Ndërsa Kryeministri Berisha në reagimin e tij hodhi poshtë qëndrimin e Braçes, se nuk është distancuar nga e kaluara. “Zotërinj mos harroni se partia e tyre nuk ka kërkuar ndjesë kurrë, në asnjë mënyrë. Ku janë? I ikët në këtë mënyrë historisë, burracakë dhe frikacakë, harroni ju se historia është e pamëshirshme, nuk ka ndjenja, ke vetëm një alternativë të përballesh me të. Shikoni si sillen, njëlloj si dosjet, që mbartin shpirtra të vdekurish”, deklaroi Berisha. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se disa shtete të Evropës nuk kanë pasur të njëjtën situatë, që ka pasur Shqipëria. “Çfarë qëndrimesh janë mbajtur ndaj këtyre ligjeve. Këto ligje, nuk ekziston asnjë raport mbi tokë, i një shteti që t’i mbështesë në një shtet tjetër. Jo zotëri janë konsideruar probleme të atyre që kanë pasur fatkeqësinë”, deklaroi Kryeministri.

subjektet qe verifikohen nga ligji

Neni 3
Subjektet e verifikimit
Subjekt i verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:
a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë;
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë;
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjera shtetërore qendrore ose të pavarura;
d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të së gjitha niveleve;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, të administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në shkronjën “c”;
f) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
i) Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku;
j) Në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe çdo shërbim tjetër inteligjent;
k) Në Gardën e Republikës;
l) Funksione drejtuese në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati;
m) Drejtuesit e përfaqësive diplomatike;
n) Anëtarët e Akademisë së Shkencave, rektorët, zëvendës/rektorët dhe dekanët në universitetet publike, si dhe drejtorët e gjimnazeve dhe shkollave të mesme tekniko-profesionale;
o) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës apo i zgjedhur nga Kuvendi.

Neni 4
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale të funksionarit publik, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, të një prej detyrave/cilësive të mëposhtme:
a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtarë i Komitetit Qendror të PPSH-së, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;
b) Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme;
c) Ministër, Zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i organeve të Sigurimit të Shtetit;
d) I dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit ose për veprat penale të shpifjes, të kallëzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në procese politike;
e) Bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit me veprimtari të karakterit politik, që lidhen me veprat penale politike të parashikuara nga ligji nr. 7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë” (të ndryshuar), apo bashkëpunëtorë vullnetarë për vepra të tilla;
f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;
g) Hetues, prokuror ose ndihmës prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtarë në procese politike;
h) Denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset gjyqësore politike.

Amendamentet

Në seancë u ndryshua neni 22, që ka të bëjë me të drejtën që personi, që penalizohet nga ana e Autoritetit do të ketë mundësi të ankimojë vendimin në të tria shkallët e Gjykatave.

Në nenin 4 të papajtueshmërisë është shtuar, se pjesë e kontrollit janë edhe anëtarët e presidiumit të Kuvendit Popullor dhe kryetarët e degëve të punëve të brendshme.

Në nenin 3 shtohet si pjesë e verifikimit
Drejtori e Përgjithshëm, nëndrejtorët, drejtorët e departamenteve të ATSH-së dhe të RTVSH-së.

Nuk u pranua kërkesa për verifikim të së gjithë drejtuesve dhe pronarëve në median private të shkruar dhe audiovizive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›