Gruaja e biznesmenit të vrarë siguron pasurinë
TIRANE - Lena Vila, bashkëshortja e ish-bosit të hekurit Florian Vila, i ekzekutuar në një ngjarje që ka mbetur ende pa u zbardhur në vitin 2003, ka kërkuar në Gjykatën e Tiranës lëshim autorizimi për hipotekimin e pjesës së dy prej pasurive, që djemtë e saj kanë trashëguar nga i ati. Burime nga gjykata pohojnë se bëhet fjalë për një pikë skrapi në Korçë dhe një sipërfaqe toke në këtë rreth, prona të kompanisë “Flevi”, ortakë të së cilës janë bashkëshortja e Florian Vilës, Leni Vila dhe dy djemtë e tyre të mitur E. Vila dhe O.Vila. Padia e depozituar rreth një muaj më parë në gjykatë, pas hedhjes së shortit i është dorëzuar gjykatëses Rezarta Balliu (Vigani), për ta shqyrtuar atë, e cila seancën e djeshme dëgjoi pretendimet e paditëses Vila, si dhe administroi provat e paraqitura nga ajo në proces. Tashmë seanca e ardhshme në të cilën pritet të shpallet vendimi, është caktuar të jetë pas disa ditësh. Burime nga procesi pohojnë se pala paditëse ka pretenduar se objekti i padisë është: “Lëshimi i autorizimit për lënie në Hipotekë ose rëndimin me barrë të pasurisë së të miturve E. Vila dhe O. Vila”, çka do të thotë se pjesa e pasurisë së të miturve, e trashëguar nga i ati, e hipotekuar në emër të tyre mund të lihet si garanci për të kryer veprime të ndryshme të firmës. Lena Vila dhe dy djemtë e saj trashëguan nga kryefamiljari, Florian Vila, secili një të tretën e aksioneve të firmës së skrapit “Flevi”. Ndërsa për shkak të moshës së mitur të dy djemve, të cilët nuk kanë zotësinë për të vepruar shpeshherë veprime të ndryshme për ta, i ka kryer e ëma me autorizim nga gjykata. Bosi i skrapit, Florian Vila, u vra në një atentat mbrëmjen e 9 prillit 2003, para portës së hyrjes në rezidencën familjare në hyrje të kryeqytetit. Persona të maskuar qëlluan mjetin me të cilin ai kthehej në shtëpi duke e lënë të vdekur, ndërsa ky krim ka mbetur ende pa autor megjithëse dosja e kësaj ngjarjeje ka “udhëtuar” disa herë nga policia në prokuroria në polici. fa.ma.