Berisha nxjerr kartën e parë, por sërish nuk ka nisur shpërndarja
Edhe pse ishte paralajmëruar se kartat e identitetit do të ishin gati për t’u shpërndarë që para më shumë se një jave, kryeministri Sali Berisha është shfaqur dje me kartën e parë në dorë.
Por, edhe kjo nuk ka qenë një garanci se tashmë do nisë shpërndarja masive e tyre. Berisha shfaqet prej shumë muajsh me kartën e parë të identitetit në dorë, por sërish situata mbetet kaotike dhe informacioni i paktë. “Është një ditë vërtet shumë e veçantë për shumë arsye, sepse është një ditë që shqiptarët e presin prej 10 vitesh. Një ditë e shumëpritur. Është një ditë shumë e rëndësishme dhe e veçantë, pasi për qeverinë time ky projekt ka përbërë prioritetin absolut.
Ky tender u fitua në transparencë të plotë nga kompania lider në botë në fushën e këtyre dokumenteve, “Sagem”, e cila ofroi pa diskutim ofertën më të mirë dhe në kushtet më të mira dhe të favorshme”, - tha dje Berisha duke prodhuar kartën e parë të identitetit.
Pas kësaj shfaqjeje të kryeministrit, ka reaguar e shqetësuar opozita.
“Çështja e kartave të identitetit mbetet proces kaotik, ku sot asnjë qytetar, asnjë banor i Republikës së Shqipërisë nuk ka marrë asnjë kartë identiteti. Sot, me gjithë deklaratat, nuk kemi një plan të qartë për sa i përket shpërndarjes së kartave të identitetit dhe kjo rrezikon procesin.
Qeveria duhet të reflektojë në mënyrë të menjëhershme për sa i takon listave zgjedhore dhe kartave të identitetit”, - tha kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj.
Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ka ngritur të tjera shqetësime.
“Procesi i marrjes së të dhënave bëhet, siç është konstatuar, në kushte tepër të vështira, në ambiente krejtësisht të papërshtatshme dhe me aparatura, të cilat që tani kanë treguar defekte dhe limitet e tyre, siç janë aparaturat për marrjen e shenjave të gishtave.
Bashkë me kartat e identitetit, ajo që mbetet një e panjohur e madhe për qytetarët shqiptarë është dhe vetë kompania e huaj “Sagem”, e cila ka marrë në koncesion realizimin e këtij procesi. Realisht kjo kompani është e panjohur, nuk ka asnjë kontakt me publikun, siç detyrohej ta kishte edhe nga termat e kontratës.
Një konfuzion dhe një pasiguri ekziston për të gjithë shqiptarët edhe për çështjen e çmimit. Dihet që kompania “Sagem” ofroi çmimin prej rreth 1100 lekësh të reja. Çmimi tani ka shkuar në 1200 lekë për sa i përket kartave të identitetit, kurse çmimi i pasaportave biometrike nga 5 mijë ka shkuar në 6 mijë, dhe askush nuk e di se kujt do t’i shkojnë këto shtesa”, - tha nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi.