Intriga e operas “Norma”, një priftëreshë që shkel principet
“Norma”, opera në dy akte e kompozitorit Vincenzo Bellini, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar çdo mbrëmje, në orën 19.00 në datat 7, 8 dhe 13 shkurt. Mbështetur mbi libretin e Felice Romani-t, i cili ka shkruar libretet e gjithë melodramave të tij, opera “Norma” ofron sprovën për interpretimin e një subjekti dramatik që lejon të shfrytëzohen në maksimum të dhënat vokale dhe recitimi solemn i këngëtares.
“Opera “Norma” ka qenë një domosdoshmëri në kalendarin tonë operistik, sepse është një linjë interpertimi ndryshe nga premierat e mëparshme, është një tjetër lloj kërkimi operistik, një tjetër eksperiencë për artistët shqiptarë e sidomos të rinjtë e sapodalë nga Akademia”, pohojnë drejtuesit në TKOB. Sipas tyre, ajo çfarë pritet të bën kurioz, sepse do të ketë një alternim përvojash duke nisur që nga regjizori Nikola Zorzi, për të cilin nuk është hera e parë që bashkëpunon me artistët shqiptarë. Bashkëpunimi i skenografit Genc Shkodrani me kostumografinë e Anila Zajmit do t’i jap më tepër origjinalitet premierës shqiptare. Të tjerë artistë të huaj si mjeshtër koncertues, Eddi de Nadai dhe tenori Branko Robisak do t’i bashkohen zërit të solistëve Eva Golemi, Shpresa Beka, Armando Likaj, Aleksandër Rrapi, Lindita Kola, etj. Protagonistët e “Norma”-s shqiptare e konsiderojnë si një zgjedhje të veçantë këtë premierë. Të gjithë e dinë pothuaj përmendësh historinë e saj: “Norma”, opera në dy akte e kompozitorit Vincenzo Bellini, është kompozuar në më pak se tre muaj. Kjo ishte e destinuar të shndërrohej në operan më popullore ndër 10 operat e krijuara prej tij. Që në muajt e parë të vitit 1831, Bellini e dinte që do të kompozonte operan e destinuar për të çelur në 26 dhjetor sezonin në Teatrin La Scala të Milanos. Si zakonisht iu drejtua Felice Romani-t, i cili prej 1827-ës, nga koha e operas Pirata , kish shkruar libretet e gjithë melodramave të tij dhe iu fut punës me libretistin për të gjetur subjektin që mund të muzikohej në format melodramatike të kohës dhe e përshtatshme për shoqërimin e kantos së shkruar. Libretisti dhe kompozitori u vunë në kërkim të një subjekti dramatik që lejonte të shfrytëzoheshin në maksimum të dhënat vokale dhe recitimi priftëror (solemn) plot patos dhe madhështi i këngëtares. Zgjedhja ra mbi një subjekt teatral të kohëve të fundit. Në prill 1831 një tragjedi e Alexandre Soumet, Norma ose L’infanticide, ish vënë në skenë me sukses të madh në Teatrin Mbretëror të Odeonit të Parisit. Dramaturgu francez e kish përqendruar punën e tij mbi tre tema. Në fillim motivi i priftëreshës që shkel principet fetare; tema- e njohur botërisht ishte në modë në fillimin e viteve 800-të dhe që zotëronte padyshim një efikasitet teatral, aq sa lejonte vendosjen e një konflikti të brendshëm dhe privat në sfondin e skenave të përmasave të mëdha. Nga tradita e vjetër klasike zbriste tema foshnjëvrasëse si hakmarrje për një një tradhëti dashurie. Dhe në fund motivi i keltico-barbarëve, me ritet e lashta në pyllin e shenjtë druidik (drui – prift i keltëve të lashtë), element i imagjinatës së romanticizmit. Pra, drama e Soumet, nuk bënte gjë tjetër veçse aktualizonte në çelës romantik, tema të rrënjosura mirë në traditën klasike, që i përkiste tragjedisë antike greke. Romani, që punoi në bashkëpunim të ngushtë me Belinin, nuk u kufizua në përpunimin e intrigës së dramës franceze: mori edhe nga burime të tjera, në veçanti nga dy libretet e tij të mëparshëm, Medea in Corinto dhe La sacerdotessa d’Irminsul. Veç të tjerash eleminoi, çdo element fantastik nga drama e Soumet; futi momente të rinj të ritualit; theksoi më shumë rolin e Adalgisës, nga njëra anë për për t’i dhënë rëndësi më të madhe partit të Grisi-t (interpretja e parë e Adalgizës), nga ana tjetër sepse personazhi ishte i nevojshëm, për zhvillimin e konflikteve ndërpersonalë. Por ndryshimi më i dukshëm është në konkluzionin e intrigës: në aktin e pestë të tragjedisë së Soumet, Norma kryen vrasjen e fëmijëve, çmendet nga brejtja e ndërgjegjes dhe hidhet nga lartësia e një shkëmbi; në libretin e Romani-t personazhi është më njerëzor. Finalja është plotësisht e përqendruar në bashkimin e përjetshëm në vdekje të të dashuruarëve, të cilit i bashkohet zemërgjerësia e shpirtit të Normës, që akuzon publikisht vetveten madje edhe Adalgizën dhe përballet kështu me sakrificën supreme. Nga ana e Belinit dhe Romanit u vendos që opera të mos mbyllej me arien e çmendurisë: një vit më parë e njëjta këngëtare kish mbyllur operan Anna Bolena të Donizetti-t, të dhënë në Teatrin Carcano të Milanos me arien e çmendurisë dhe kujtimi ishte akoma i gjallë në mendjen e spektatorit. Intriga e operas “Norma”, si e kemi parë, luhet e gjitha mbi alternimin dhe depërtimin e dy planeve: atë “publik”, që manifestohet në momentet rituale dhe kolektive, dhe atë privat, në të cilin veprojnë ndjesitë personale dhe shpërthen konflikti i pasioneve që përfshin Normën, Adalgizën dhe Polionen.
Opera “Norma”, akti i parë: Dueli
Pylli i shenjtë i priftërinjve në Gali. Priftërinjtë dhe luftëtarët galezë mblidhen: Oroveso i fton të presin mbi kodrinë daljen e hënës së re, kur Norma do të vijë të kremtojë ceremoninë e shenjtë të mbledhjes së veshtullut. Largohen drejt pyllit. Polione, konsulli romak, mbërrin me komandantin e centurioneve Flavio, të cilit i rrëfen se tashmë është mërzitur nga Norma, e dashura e tij prej shumë vitesh, me të cilën ka dy fëmijë. Tani dashuron Adalxhizen, një priftëreshë e dlirë e tempullit. I tregon Flavios një ëndërr në të cilën hija e Normës ka zënë vend mes tij dhe Adalxhizës përpara altarit të Venusit në Romë ku mendonte që do të martohej me të. Flavio e fton Polionën të dëgjojë tringëllimën e mburojës së bronxtë të tempullit e cila mbledh priftërinjtë në tempull dhe i kujton se sa rrezikojnë ata të dy po t’i gjejnë në pyllin e shenjtë. Polione largohet me Flavion, duke pohuar që dashuria e tij për Adalxhizën do ta mbrojë. Priftërinjtë përshëndesin me ovacione mbërritjen e Normës dhe urojnë që ajo të mbledhë luftëtarët për të sulmuar Romakët. Norma i qorton sepse ata dëshirojnë luftën pa miratimin e perëndive dhe parashikon rëniën e Romës si pasojë e vetë dobësive të saj. Pret veshtullën dhe ua ofron atë Hyjnive. Duke iu drejtuar përsëri priftërinjve, u premton se do t’i thërrasë për luftë sapo perënditë do ta lejojnë. Priftërinjtë rifillojnë thirrjet e luftës, ndërsa “Norma” mendon për Polionen, me shpresën se do ta fitojë përsëri dashurinë e tij.
Të gjithë largohen, përveç Adalxhizës, e cila nuk mund të mos mendojë për Polionen, edhe pse është e vetëdijshme se me dashurinë e saj tradhëton përbetimin fetar. Kur Polione i afrohet, ajo përpiqet ta largojë: Polione e qorton për mizorinë që po tregon, përpiqet t’i mbushë mendjen që ajo ta shoqërojë në Romë, i lutet me aq pasion sa më në fund ajo pranon.
Shtëpia e fshehtë e Normës në pyll
Norma, e shoqëruar nga mikesha e besuar, mbërrin me të dy fëmijët e saj. I lutet Klotildës t’i largojë fëmijët e t’i fshehë. Lajmi i nisjes së Poliones për në Romë e shqetëson sepse ka frikë se ai do ta braktisë. Shqetësohet më shumë kur dëgjon dikë që afrohet. Është Adalxhiza e cila do t’i rrëfejë dashurinë e saj. Duke dëgjuar rrëfimin e vajzës së re, Norma përjeton historinë e saj dhe i këshillon të harrojë betimin e saj e të martohet me atë që dashuron. Adalxhiza është e lumtur nga falja e Normës dhe për mirëkuptimin e saj. Kush është burri që dashuron? – e pyet Norma. Është një romak, përgjigjet Adalxhiza duke treguar Polionen që në atë çast hyn në skenë.
Norma shndërron në tërbim ngrohtësinë e saj për Adalxhizën, kallëzon pabesinë e Poliones dhe i deklaron Adalxhizës që do të kishte qenë më mirë sikur as njëra as tjetra të mos ta kishin njohur kurrë Polionen. Ky i fundit i kërkon ta kursejë Adalxhizën, që është e pafajshme, por kështu shton inatin e Normës, e cila vazhdon ta qortojë. Adalxhiza pohon se nuk do të vendoset kurrë mes të dyve. Zënka mes të treve vazhdon derisa dëgjohet tringëllima e mburojës së bronxtë të tempullit e cila e thërret Normën për të drejtuar një tjetër ceremoni.
Në shtëpinë e Normës, akti i dytë
E shpërfytyruar nga dhimbja, Norma me thikë në dorë, ulet pranë shtratit të fëmijëve që flinin. Nga frika se sapo t’i çonin në Romë do t’i trajtonin si skllevër, është e bindur se duhet t’i vrasë. Bëhet gati t’i qëllojë por nuk gjen kurajon. I kërkon Klotildës të shkojë të kërkojë Adalxhizën. Me të mbërritur Norma i thotë se ka vendosur që t’i japë fund jetës, por më përpara dëshiron që Adalxhisa të shoqërojë fëmijët shëndoshë e mirë në kampin romak tek babai i tyre. Në fillim Adalxhisa e refuzon kërkesën, por me pas bindet dhe i thotë se do të shkojë të takojë Polionen vetëm e vetëm për ta bindur të kthehet tek Norma dhe tek bijtë e tij. Norma i përgjigjet se nuk do t’i lutej kurrë Poliones, por bindet më në fund kur Adalgisa i kujton detyrimet e tij kundrejt Normës dhe fëmijëve. Pasi dy gratë i betohen njëra tjetrës për miqësi të përjetshme, Adalgisa del për të kërkuar Polionen.
Një rrafshnaltë në pyll
Disa luftëtarë galezë informojnë priftërinjtë mbi lëvizjet e romakëve. Mbërrin Oroveso i cili deklaron se Polione do të zëvendësohet nga një parakonsull edhe më i dhunshëm dhe këshillon që të luajnë rolin e të nënshtruarve derisa të arrijë momenti i duhur për kryengritje.
Tempulli i priftërinjve
Norma, në këmbë përpara altarit, pret kthimin e Adalxhisës. Klotilda i thotë se lutjet e Adalxhisës, Poliones i janë dukur të kota. E reja i drejtohet tempullit për të dhënë dorëheqjen nga betimi i saj, ndërsa parakonsulli ka për qëllim ta rrëmbejë. Norma betohet për hakmarrje e godet mburojën. Oroveso dhe priftërinjtë e tjerë i përgjigjen apelit të saj, ndërsa ajo u deklaron se ka ardhur momenti të ngrihen kundër romakëve. Luftëtarë dhe priftërinj ia marrin këngës për luftë. Oroveso i kërkon Normës të kurorëzojë ritin e shenjtë dhe t’i komunikojë emrin e viktimës. Ajo e siguron se viktima ndodhet fare pranë, pikërisht në momentin që Polionen e sjellin përpara tyre, pasi e kanë kapur ndërsa po tentonte të grabiste Adalxhisën. Norma ia rrëmben nga duart thikën Orovesos e përgatitet të godasë, por heziton në momentin e fundit. Deklaron se më përpara dëshiron të marrë në pyetje Polionen dhe kërkon ta lënë vetëm për vetëm me të.
Para së gjithash i ofron Poliones shpëtimin nëse heq dorë nga Adalxhisa. Duke qenë se ai e refuzon, ajo e kërcënon me vrasjen e bijve të tyre. Ai i përgjërohet që të hakmerret vetëm kundër tij, por Norma e inatosur i thotë se do të vdesë dhe Adalxhisa. Polione i përgjërohet sërish që të hakmerret vetëm kundër tij, pasi Adalxhisa ashtu si dhe fëmijët është e pafajshme. Norma ngazëllehet nga pushteti që ushtron mbi Polionen, ndërsa ky vazhdon t’i përgjërohet. Norma thërret përsëri priftërinjtë dhe u komunikon atyre se do të ketë një tjetër viktimë. Urdhëron të përgatitet një tjetër turrë. Viktima e re, deklaron, është një priftëreshë e cila hoqi dorë nga detyrat e saj. Polione, duke menduar se ajo ishte gati të denonconte Adalgisën, i lutet të heshtë, por kur priftërinjtë insistojnë të dinë emrin e viktimës, Norma thotë emrin e saj. I drejtohet Polionës dhe i deklaron se dashuria e saj për të do t’i mbajë përgjithmonë të bashkuar, vetëm atëherë ai kupton fisnikërinë e gruas që kishte tradhëtuar. Oroveso dhe të tjerët nuk i besojnë veshëve, por Norma i bind shpejt, trishtimi i Orovesos shndërrohet në tërbim kur ajo i rrëfen se ka dy fëmijë. Norma i përgjërohet që t’i shpëtojë. Oroveso i jep premtimin e tij dhe vështron me tmerr, ndërsa Norma, së bashku me Polionen, ngjitet mbi turrën e druve në flakë.
Dy fjalë për kompozitorin Vincenzo Bellini
Vincenzo Bellini në fillim studion në Katania, në vendlindjen e tij dhe pastaj transferohet në Napoli për të ndjekur studimet në konservator, falë një burse studimi të ofruar nga bashkia e Katanias. Ndër pedagogët e tij ka qenë Nicola Antonio Zingarelli, që e drejtoi drejt studimit të klasikes dhe shijes për muzikën mbështetëse dhe shprehëse, pa artifice dhe zbukurime, sipas normave të shkollës muzikore napoletane. Në bankat e shkollës njihet me kalabrezin Francesco Florimo, miqësia besnike e të cilit do ta shoqërojë gjithë jetën dhe pas vdekjes, kur Florimo do të bëhet bibliotekar i konservatorit të Napolit dhe ndër të parët biografë të mikur të tij të larguar para kohe nga jeta.
Në këtë periudhë, Bellini kompozon muzikë të shenjtë, disa simfoni për opera dhe disa arie për vokal dhe orkestër. Në vitin 1825 prezanton në teatrin e Konservatorit operan e tij të parë, Adelson e Salvini, si punën e diplomës. Në vitin që pasoi i shquari Domenico Barbaja i kërkoi Belinit një opera për ta prezantuar në Teatrin la Scala të Milanos. Duke u nisur për në Napoli, kompozitori i ri lë pas krahëve pasionin e deshperuar për Madalena Fumaroli-n vajzën me të cilën nuk mundi të martohej për shkak të kundërshtisë së babait, i cili ishte kundër martesës së të bijës me muzikantin. Si opera Il pirata (1827) ashtu dhe La straniera (1829) sollën në La Scala një sukses të jashtëzakonshëm: shtypi milanez njohu tek Belini të vetmin kompozitor operistik italian në gjendje të vinte përballë Gioachino Rossini-t një stil individual… Shpërthimi vendimtar i karrierës së muzikantit koincidon me nisjen e tij drejt Parisit. Këtu Belini hyn në kontakt me disa nga kompozitorët më të mëdhenj të Europës, mes tyre Frédéric Chopin, dhe gjuha e tij muzikore pasurohet me ngjyra dhe zgjidhje të reja, por gjithmonë duke ruajtur frymëzimin melodik që e karakterizon stilin e tij. I pajisur me një venë melodike të mrekullueshme, Belini ia dedikoi jetën e tij të shkurtër kompozimit. Talenti i tij për të gdhendur meloditë me të ndritshme e të bukura, ruan edhe sot një fllad magjie.
Në veprat e tij mund të përmendim operat: “Adelson e Salvini”, “Bianca e Gernando”, “Il pirata”, “La straniera”, “Zaira” , “I Capuleti e I Montecchi”, “Norma” , “Beatrice di Tenda”, “I puritani”, etj, etj.