E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Armiqtë” tanë në Bankën Botërore

Nga Mero Baze

Ka disa kohë që zoti Berisha po artikulon publikisht disa mëri të tij me disa zyrtarë të Bankës Botërore. Po ta dëgjoni me vëmendje, ai ka nisur të tregojë dhe ritregojë shpesh një histori që i referohet Orsalia Kalantzopoulos, Drejtoreshë e Bankës Botërore për rajonin. Atë ka nisur ta quajë “armike të egër të rrugës Rrëshen- Kalimash” dhe citon gjithmonë vetveten që i ka thënë se është gati të shkrijë florinjtë dhe bizhutë e vajzave dhe grave shqiptare për të bërë rrugën. Në të vërtetë, kjo zyrtare e lartë e Bankës Botërore duhet të jetë tronditur shumë kur e ka dëgjuar këtë betim të kryeministrit të Shqipërisë. Ajo thjesht i preu atij shpresat që Banka Botërore të përfshihej në një projekt të padobishëm për nevojat e Shqipërisë, siç ishte ndërtimi super i shtrenjtë i gjashtë kilometrave nga 130 gjithsej që ka rruga Durrës-Kukës. Ajo i sugjeroi pjesëmarrje të Bankës Botërore në një projekt rruge me dy korsi për të justifikuar zhvillimin rural të vendit. Betimi i tij i papritur patriotik natyrisht që e ka tronditur, por janë ndarë miqësisht. Tashmë, dy vjet më pas, Berisha po e etiketon atë si një armike të egër të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, ku 60 km po shkojnë mbi një miliard euro. Nuk jam i sigurt kush është armik i rrugës në këtë rast, por zonja Orsalia më duket më shumë mike me Shqipërinë dhe shqiptarët, po të kemi parasysh se ka qenë duke shmangur një shumë tmerrësisht të pajustifikuar për një segment të shkurtër rrugor.

Dje, zoti Berisha foli sërish në Kuvend. I pafuqishëm për të mbuluar batakçillëqet e dhëndrit të tij, urdhrat e tij për policinë ndërtimore për prishje shtëpish, përdorimin e postit të tij për punë private e të tjera si këto, gjeti sërish armiq në Bankën Botërore. “Aty, - tha, - ka dy rryma dhe luftojnë njëra- tjetrën”, dhe me këtë arsyetoi hetimin ndaj dhëndrit të tij dhe pezullimin e financimit të projektit. Nëse i lidhim me njëra-tjetrën këto grupe të identifikuara brenda Bankës Botërore, na rezulton që kemi një betejë mes së mirës dhe së keqes, që përfaqësohet nga Berisha dhe familja e tij në një anë dhe armiqtë tanë në Bankën Botërore në anën tjetër.

Po ç’na ofrojnë miqtë dhe ç’na ofrojnë armiqtë?

Miqtë tanë që po luftojnë me kuçedrën e Bankës Botërore, d.m.th., Sali Berisha dhe dhëndri i vet, na ofrojnë një rrugë 60 km për mbi 1 miliard euro, kurse armiqtë tanë në Bankën Botërore na ofronin një rrugë të mirë, modeste dhe të mjaftueshme për rreth 100 milionë euro. D.m.th., armiqtë tanë donin që mbi një miliard euro ne t’i përdorim për punë të tjera.

Miqtë tanë, d.m.th., Sali Berisha me dhëndrin e vet, na ofrojnë një projekt klientelist për zhvillimin e turizmit, ku mund të rrafshohet çdo shtëpi dhe 300-vjeçare, po qe se tokës ia vë syrin dhëndri, kurse Banka Botërore, kjo armikja jonë, na këshillon që t’u japim paratë atyre fshatarëve që iu kemi prishur shtëpitë, t’iu kërkojmë falje dhe të ecim përpara.

Pra, siç shihet, miqtë dhe armiqtë tanë kanë dimensione të ndryshme. Miqtë tanë, d.m.th., Sali Berisha me dhëndrin, na ofrojnë gjëra të shtrenjta e luksoze, të paarritshme, kurse armiqtë tanë, d.m.th., Banka Botërore, na ofron arsye, racionalitet dhe qeverisje me këmbë në tokë.

Pikërisht këtë diferencë Berisha e ka shpallur si kufi mes të mirës dhe të keqes. Me idenë e tij provokuese, se në Bankë Botërore ka armiq të egër të Shqipërisë, ka armiq të egër të segmentit të tij të artë rrugor Rrëshen- Kalimash, ai do të mbulojë skandalet që praktikisht po shoqërojnë qeverisjen e papërgjegjshme dhe babëzinë e familjes së tij në pushtet.

Banka Botërore është një institucion shumë i madh për t’u ndarë dhe përçarë prej Sali Berishës. Institucionet e saj nuk i përngjajnë as gjyqeve të Apelit, ku përmes procedurës haptazi të gabuar kërkohet të bllokohet hetimi për 200 milionë euro, nuk janë as mbledhje grupi parlamentar i PD, ku shpallen armike institucionet e vendit, si presidenti, prokuroria apo gjykatat.

Banka Botërore është një institucion që qëndron në këmbë mbi rregulla dhe procedura. Për shkak të dhëndrit të tij, ajo ka pezulluar dje financimin e projektit prej gati 40 milionë dollarësh. Prej papërgjegjësisë së tij si kryeministër, ajo u tërhoq nga financimi ekstremisht i shtrenjtë dhe i pabazuar i segmentit të florinjtë Rrëshen- Kalimash. Kurse prej papërgjegjësisë së deklaratave të tij publike, për armiq të rrugës apo armiq të Shqipërisë, ata nuk mërziten. Thjesht vazhdojnë punën e tyre të përgjegjshme, e cila bie ndesh me punën e papërgjegjshme të Sali Berishës dhe familjes së tij në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›