Berisha-opozitës: Nuk do ta heqim TVSH-në
Kryeministri Berisha është shprehur kundër heqjes së TVSH-së së ushqimeve bazë, kërkesë kjo e bërë nga opozita ditë më parë. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se heqja e TVSH-së do të dëmtonte prodhuesit shqiptarë.
"TVSH-ja nuk do të preket ndërsa revolucioni fiscal vazhdon. Nuk mund të pranohet nga kjo qeveri ky propozim që prek 50 përqind të qytetarëve” ka theksuar Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu i bëri thirrje autoriteteve vendore që në axhendën e politikave të tyre të vendosin çështjen e mjedisit.
“I bëj thirrje qeverisë vendore që në axhenden e saj të vendosë çështjen e parë mjedisin, si një kusht themelor për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Studimet e universiteteve më të njohura të botës kanë faktuar se sot 40 përqind e vdekjeve janë të shkaktuara nga ndotjet e ajrit, ujit dhe tokës” ka theksuar Berisha.
Sipas tij problem i ndotjes së mjedisit duhet të konsiderohen si detyrim madhor për shëndetin e qytetarëve ndërsa shtoi se për ndotësit do të merren masa dhe ndaj të zgjedhurve vendorë që nuk marrin masat e duhura.
“Do t`u presim rrogën personale qeveritarëve vendorë, inspektorëve po e po. Ç`kusur kanë panorët se kryetari nuk kujdeset për shëndetin e tyre, cështja është te jeta, parandalimi kundër sëmundjes më të rrezikshme”- tha Berisha.
Duke përgëzuar largimin e varrezave të makinave, kreu i qeverisë theksoi se deri më tani janë larguar 317 të tilla ndërsa janë në proces largimi 77 të tjera.
Ndërsa i është referuar sërish decentralizimit të pushtetit vendor, kryeministri Berisha theksoi se të gjitha pronat që janë në territorin e komunave dhe bashkive do të administrohen nga vetë ato. Sipas tij do të ketë një statut të përbashkët edhe për parqet kombëtare ndërsa kërkoi të bëhet decentralizimi fiskal që sipas tij do të krijojë mjedis të ri për biznesin.