Berisha paraqet në Japoni Shqipërinë, vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë
Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur dje në Tokio një konferencë shtypi për median japoneze, në Qendrën e Shtypit, gjatë së cilës iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me zhvillimet në Shqipëri dhe situatën në rajon. Duke shprehur mirënjohjen për rastin që i’u dha për të prezantuar Shqipërinë në këtë audiencë kaq të rëndësishme me përfaqësuesit e medias japoneze, kreu i qeverisë bëri një prezantim të situatës ekonomike në Shqipëri, reformave në përgjithësi si dhe arritjeve të qeverisë. Kryeministri Berisha tha se reformat ekonomike janë të bazuara mbi një revolucion të vërtetë fiskal, duke shndërruar Shqipërinë në vendim me barrën fiskale më të ulët në Europë. Në Shqipëri, vijoi Berisha, po funksionojnë më së miri projektet për taksat elektronike, prokurimet elektronike dhe One Stop Shop, vendosja e taksës së sheshtë 10 përqind, nisma “Shqipëria 1 euro”, etj. Gjithashtu kryeministri i njohu përfaqësuesit e medias dhe me potencialet që Shqipëria ofron sidomos në minerale dhe turizëm. Nga përfaqësuesit e medias japoneze pati një interes të veçantë lidhur me reformat dhe arritjet e qeverisë Shqiptare. Në përgjigje të këtij interesimi, Kryeministri Berisha i njohu ata me angazhimin qeverisë shqiptare për vazhdimin e mëtejshëm të reformave të nevojshme që mundësojnë integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian. Çështja e Kosovës ishte një tjetër temë me shumë interes për mediat japoneze. Në përgjigje të tyre Kryeministri Berisha tha se pavarësia e Kosovës i shërben jo vetëm paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe vetë Serbisë duke e orientuar atë drejt së ardhmes evropiane. Kryeministri u shpreh gjithashtu se pavarësia e Kosovës do t’i japë fund insinuatave për “Shqipërinë e Madhe”. Në përgjigje të interesit të medieve rreth qëndrimit të Shqipërisë në rast të një embargoje të Serbisë ndaj Kosovës, Kryeministri u shpreh se Shqipëria do të bëjë ç`është e mundur nëpërmjet porteve dhe aeroporteve të saj për ta ndihmuar Kosovën. Konferenca e kryeministrit shqiptar është ndjekur nga një numër shumë i madh gazetarësh, të cilët kanë përcjellë me interes të veçantë edhe takimet e Kryeministrit në Japoni.
Mediat japoneze: Vizita e Berishës në Japoni, historike për marrëdhëniet mes dy vendeve/Vizita e kryeministrit Berisha është përcjellë me interes të veçantë nga shtypi japonez. Media elektronike japoneze ka pasqyruar në edicionet e saj të ditës vizitën e Kryeministrit Berisha dhe takimin e tij me Kryeministrin Fukuda. Dje gazetat më të mëdha japoneze, në titujt e tyre, shprehen se vizita e Kryeministrit Berisha, e para e një kryeministri shqiptar në Japoni, ishte një vizitë historike që i shërben zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Gazetat ndalen në veçanti në mbështetjen e qeverisë japoneze dhe premtimin për dhënien e kredisë për 12 miliard jen për sistemin e kanalizimeve dhe përpunimit të ujërave të zeza në Tiranë. Në intervistat që zhvilloi me disa nga të përditshmet japoneze, kryeministri u ndal në potencialet që ofron Shqipëria për tërheqjen e investimeve, reformat e qeverisë shqiptare për shndërrimin e vendit në një nga vendet më atraktive për investimet e huaja, mbështetjen e madhe të Kryeministrit Fukuda dhe qeverisë japonezë për Shqipërinë, si dhe në çështjen e Kosovës.