Çfarë paqeje
• Skënder MinxhoziIshim mësuar me faktin se paqen dhe luftën në Shqipëri e kanë bërë dhe mund ta bëjnë vetëm Fatos Nano me Sali Berishën. Ishim mësuar madje që këtë teatër politik mjaft hipokrit në thelb, ta shihnim të konsumohej përmes stinësh dashurie ekstreme dhe befasuese ndërmjet dy burrave që kishin vendosur ndër vite, rekorde të papërsëritshme urrejtjeje kundër njëri-tjetrit. Mesa duket duhet të mësohemi që me rënien (mesa duket përfundimtare) të yllit të Nanos, paqja politike në vend të mund të vijë edhe nga një dyshe akoma më e papritur dhe befasuese se e para. Rama dhe Berisha i kanë shtrënguar duart në publik për herë të fundit në verën e vitit 2007, kur edhe kanë negociuar pa sukses emrin e presidentit të ri që nga ajo kohë, e cila vinte pas një fushate elektorale tejet agresive, kanë kaluar muaj, pa asnjë sinjal të drejtpërdrejtë shtensionimi mes tyre. Ata nuk shihen, nuk flasin, komunikojnë me anë të të tretëve dhe vijojnë të goditen. Shumë më pak se më parë, shumë më butë se më parë. E kjo është ana e veçantë e kësaj paqeje të çuditshme, të bekuar nga premtimi për aderim në një aleancë ushtarake! Në mesin e kësaj stine të ngrohtë, qëndrojnë megjithatë varur disa pikëpyetje, të cilat vazhdojnë të mos marrin asnjë përgjigje, duke e mjegulluar jo pak paktin e mossulmimit që kanë vendosur mes tyre PD dhe PS. Para se reforma në drejtësi, si pretekst i një paqeje të instaluar në emër të ftesës atlantike, të niste rrugën e saj, pikërisht drejtësia duket se e vuajti më së shumti prishjen e urave të komunikimit mes palëve. Shqipëria kishte negociuar që nga viti 2001 shumë prej zyrtarëve të lartë të shtetit, përfshirë jo vetëm presidentin, por edhe hierarkitë e sistemit të drejtësisë. Ishin vendosur me konsensus kreu i Prokurorisë, anëtarët e KLD, ata të Gjykatës Kushtetuese e të disa organeve të tjera të pavarura. E gjithë kjo klimë reale konsensusi nuk është më, u zhbë me një të rënë të lapsit gjatë vitit të shkuar. A ka mundësi që kjo histori e freskët dështimesh në fushën e drejtësisë dhe më gjerë, të mos ketë lënë asnjë gjurmë në tryezën aktuale për vetë reformën në drejtësi? Në fjalë të tjera, sa reale mund të jetë një reformë si kjo, ku po hyjmë në kushte të tilla? Mjafton të shihet materiali që boton sot revista MAPO, për të kuptuar sesi palët po kopjojnë hapur njëra-tjetrën në teza dhe ide konkrete, pasi u mungon jo vetëm ekspertiza për ta bërë reformën në fjalë, por mbi të gjitha, vullneti politik për të vënë një gur në murin e rrënuar të sistemit tonë të drejtësisë.Armëpushimi më i dukshëm politik që nga zgjedhjet e vitit 2005 vazhdon të mbahet në këmbë, me gjithë çmimet stratosferike, qeverisjen çalamane dhe mungesën e dukshme të ideve të reja në tregun politik të maxhorancës. Berisha ka kohë për vizita të zgjatura në Azi, Rama e ka lënë praktikisht të hapur sheshin e betejës në kryeqytet, për ta zhvendosur debatin në periferi. Luftën, ose më mirë gjoja-luftën në Tiranë po e bëjnë prej javësh më shumë “shqytarët” sesa “paria”. Kjo klimë surreale duket e prerë enkas për t’i përmbushur një dëshirë bashkësisë ndërkombëtare. Ose e thënë më konkretisht, për të marrë një ftesë për në NATO. Shumëkush në bulevardin qendror të Tiranës mendon se sot kjo është një punë e kryer. Çështje egocentrizmi ballkanik, por edhe mungesë informacioni. Sepse nëse për një tekë të minutës së fundit, ftesa për në NATO nuk do të vijë nga tryeza e Bukureshtit, për paqen politike të momentit nuk ka më asnjë garanci të qëndrueshme. Larg qoftë të shohim nesër një kacafytje globale për të gjetur se cilit i takon përgjegjësia për dështimin e ftesës!Nga ana tjetër, duhet vënë fort në dukje edhe një element në dukje i veçuar nga ajo që po ndodh. Reforma aktuale e premtuar po fillon të marrë formë, ndërkohë që është lënë mënjanë në mënyrë të hapur një tjetër reformë po aq e rëndësishme, ajo elektorale. Shtyrja e reformës zgjedhore deri në afate kohore të rrezikshme për ndershmërinë e zgjedhjeve të vitit 2009, zhvlerëson hapur atë që po përpiqen të ndërtojnë sot në drejtësi arkitektët e bashkëpunimit politik.E thënë kjo, nuk ka sesi të mos vihet re në fund të fundit një fakt i thjeshtë, që është para syve të të gjithëve – dëshira e PD-PS për të bashkëpunuar (mbi të gjitha e PD, pasi ai që ka pushtetin ofron konsensus), i ngjan sot një muri që i ka themelet në rërë. Është shumë e vështirë që zoti Berisha të shkëputet sadopak nga kultura e konfliktit, shpikësi i të cilës është ai vetë në 17 vitet e fundit. Nuk ka provë më të thjeshtë, por edhe më të prekshme sesa shpërthimet nervore që ai shfaq para shqiptarëve nëpër seancat parlamentare, sapo dikush i shkel aty ku s’mban. Në atë moment mund të kuptohet më mirë se kurrë, se e quajtura paqe politike në vend, ka trashësinë e cipës së qepës dhe qëndrueshmërinë e vesës së mëngjesit. Megjithatë, mesa duket do të duhet ta konsumojmë edhe këtë teatër politik. Urdhër nga lart!... Pardon, nga jashtë!