E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbritën nga Dukagjini, pas 15 vjetësh jetojnë akoma më keq

• Kanë rreth 15 vite që jetojnë në qytet, por realisht nuk ndihen pjesë e tij.SHKODER/ RITVAN DIBRAKonsiderohen si qytetarë të Shkodrës, janë në regjistrat e gjendjes civile të këtij qyteti, u kërkohet vota për çdo fushatë elektorale, por nuk kanë as shkollë, as qendër shëndetësore, pa folur për rrugë dhe investime të tjera. Ky është realiteti i rreth 600 familjeve në zonën tek ish-Fermentimi, në periferi të qytetit të Shkodrës. Banorët që jetojnë këtu janë të ardhur nga zonat e thella të rrethit të Shkodrës, kryesisht nga Dukagjini. Ata kanë ndërtuar shtëpitë e tyre përgjatë urës së Bardhajve, ndërsa jetojnë krejtësisht të shkëputur nga pjesa e qytetit. Madje, edhe shërbimi urban që duhej të kishte stacionin e fundit tek ish-Fermentimi, në të shumtën e rasteve i bie “për shkurt”, duke mos mbërritur deri te stacioni. Sipas shkresave zyrtare, banorët e kësaj zone informale janë pjesë e Rajonit Nr.3 të qytetit verior. Por, ndryshe nga çfarë shkruhet në shkresat zyrtare, banorët e kësaj zone ndihen të diskriminuar, ndaj edhe kërkojnë që drejtuesit lokalë, deputetët e zgjedhur prej tyre të ndërhyjnë për marrjen e masave për zgjidhjen e problemeve më emergjente të tyre. Shqetësimi kryesor për 600 familjet që jetojnë në zonën e ish-Fermentimit është mungesa e shkollës dhe qendrës shëndetësore. Mark Llukaj, njëri nga banorët e kësaj zone, tregon sesi fëmijët duhet të bëjnë 45 minuta rrugë në këmbë, për të shkuar tek shkolla më e afërt, që është shkolla 9-vjeçare “Pashko Vasa”. Kjo shkollë ndodhet te kryqëzimi i spitaleve dhe është rreth 3 km larg ish-Fermentimit. “Për çdo ditë, fëmijët tanë, edhe të klasave të para duhet ta bëjnë rrugën në këmbë, pasi shërbimi urban më shumë nuk funksionon në këtë zonë. Madje, ka raste kur në këtë shkollë nuk pranohen fëmijët, për arsye të plotësimit të numrit të nxënësve. Në këto raste ne detyrohemi t’i regjistrojmë në shkolla të tjera, të cilat ndodhen më larg”, shprehen disa banorë të kësaj zone në periferi të qytetit të Shkodrës. Të indinjuar, banorët pohojnë se që në vitin 2004 është vendosur ndërtimi i një shkolle të re, por që ende dhe sot e kësaj dite nuk është bërë asgjë për zbatimin e këtij vendimi. Problem më vete është dhe mungesa e qendrës shëndetësore. Banorët i luten Zotit që të mos sëmuren, pasi për të shkuar deri te qendra shëndetësore më e afërt, duhet patjetër që të kenë makinë. Të lodhur, por edhe të zhgënjyer nga premtimet e shumta e që nuk mbahen asnjëherë, banorët e zonës tek ish-Fermentimi kërkojnë që të bëhen investime për hapjen e një shkolle të re dhe të një qendre shëndetësore. “Jemi lodhur duke kërkuar të drejtat tona. Askush nuk merr përsipër realizimin e detyrave të tyre. Premtojnë çdo fushatë elektorale dhe nuk bëjnë asgjë”, thotë Lulashi, banor i kësaj zone të lënë në harresë. Disa të tjerë deklarojnë se kanë hequr dorë dhe nga peticionet, pasi kërkesat e tyre bien në vesh të shurdhër. Por kërkojnë ndihmën e medias për të bërë publik shqetësimet e tyre, duke shpresuar se të paktën në këtë mënyrë dikush do të ndërhyjë për ta.600 familjejetojnë në zonën e dikurshme të njohur si ish-Fermentimi në qytetin e Shkodrës, të cilat jetojnë në kushte të vështira sociale, sikur të mos ishin pjesë e zonës urbane15 familjemë parë është krijuar lagjja e re, me një numër të konsiderueshëm familjesh, pjesa më e madhe e të cilëve të ardhur nga zona të thella të rrethit të Shkodrës, kryesisht nga Dukagjini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›