Berisha, pension special Godos
Fabiola Çela
Qeveria vendos t’i japë shtesë pensioni të posaçëm shtetëror kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo. Në mbledhjen e djeshme të ekzekutivit, ndër të tjera, u miratua edhe një vendim i propozuar nga kryeministri Sali Berisha lidhur me akordimin e këtij pensioni për politikanin e njohur të republikanëve. Por sipas këtij vendimi, pensioni shtesë plus pensioni sipas ligjit të vitit 1993 që përfiton Godo, nuk duhet t’i kalojë dy pensione maksimale, afërsisht rreth 40 mijë lekë të reja në muaj. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien shtesë pensioni të posaçëm shtetëror z.Sabri Godo, në masën e pensionit maksimal, por shuma e pensionit, që i takon sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, plus këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Burime nga mbledhja e djeshme e qeverisë bëjnë të ditur se, motivacioni për dhënien e këtij pensioni është për kontributin e tij të vyer si politikan dhe si shkrimtar. Sabri Godo ka qenë themelues i Partisë Republikane dhe i pari kryetar partie që ndonëse nuk ka qenë i detyruar nga statuti i partisë, ka hequr dorë nga kryesimi i saj për t’i lënë vendin pasardhësit. Një gjë të tillë e bëri edhe Nano në vitin 2005, por i detyruar nga statuti i Partisë Socialiste, pasi humbi zgjedhjet. Godo ka qenë disa herë deputet i Kuvendit, ndërkohë që në vitin 1998 ka qenë njëri prej bashkëhartuesve të Kushtetutës. Kreu i Asamblesë së PR-së ka qenë i përfolur disa herë si kandidat i mundshëm si president. Gjithashtu figura më e rëndësishme e Partisë Republikane ka ndërhyrë në zgjidhjen e disa krizave në vend. Kreu i Asamblesë së PR-së ishte i politikani që u zgjodh nga kryeministri Berisha për ta prezantuar atë si kandidat për deputet në një nga zonat e Kavajës në zgjedhjet e 3 korrikut. Godo është gjithashtu edhe shkrimtar i njohur. Një nga librat e tij më të vlerësuar është “Ali Pashë Tepelena”, i cili zë një vend të rëndësishëm në fondin e letërsisë shqipe.
40 mijë lekë
Sipas vendimit të qeverisë, të miratuar në mbledhjen e djeshme, është shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror, që do të përfitojë Sabri Godo së bashku me pensionin që ai përfiton falë ligjit të vitit 2003, nuk duhet të kalojë dy pensione maksimale që kapin shifrën e 40 mijë lekëve të reja.