E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktima e parë në Shëngjin, mbytet 15-vjeçarja kosovare

LAÇ - Shënohet viktima e parë për këtë vit në plazhin e Shëngjinit. 

Viktima e radhës është Arta Selimi nga Ferizaj e Kosovës. Burime të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se 15-vjeçarja prej dy ditësh kishte mbërritur me pushime në plazhin e Shëngjinit së bashku me prindërit e saj. Rreth orës 15:00 adoleshentja ka hyrë në ujë, duke u futur në një thellësi rreth 50 metra në këmbë. Por kalimi i saj i papritur në një zonë të thellë ujore i ka kushtuar jetën. Megjithë përpjekjet për të dalë nga uji dhe klithmat për ndihmë, ka qenë i pamundur shpëtimi i saj nga vdekja. Sipas burimeve të policisë së Lezhës, kanë qenë familjarët e saj dhe pushuesit që kanë kërkuar ndihmën e policisë për të nxjerrë nga deti vajzën. Të parët që i shkuan në ndihmë ishin punonjësit e policisë që po patrullonin në bregdet. Ata mësohet se e kanë nxjerrë vajzën në gjendje kome nga uji. Me shpejtësi kanë gjetur një makinë, duke e transportuar drejt spitalit të Lezhës, por brenda pak minutash ajo ndërroi jetë. Pas ekspertizës në morgun e spitalit, mjekët konkluduan në vdekjen e saj si pasojë e asfiksisë nga uji. Aktualisht, plazhi i Shëngjinit nuk ruhet me roje siç ka ndodhur vitet e kaluara, kur vrojtues të pajisur me radio ndërlidhjeje dhe mjete shpëtimi angazhoheshin për raste urgjence. Mungesa e tyre solli dhe viktimën e parë në Shëngjin, e cila mund të kishte shpëtuar nga vdekja, nëse ndihma do ishte urgjente.                     r.n

Vdes në sauna 73-vjeçari

Një turist turk ka mbërritur i vdekur në portin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në bordin e anijes së kroçierës "Dalmacija", në të cilin 73-vjeçari Ozgen Huseyin Erol kishte prenotuar një lundrim turistik nëpër Mesdhe. Burime policore nga Durrësi saktësuan se në kohën kur anija "Dalmacija" kishte mbërritur në kanalin e Korinthit në Greqi, i moshuari po bënte sauna, kur papritur u rrëzua pa ndjenja. Sipas itinerarit të lëvizjes, rezulton se anija ndalesën e parë e ka pasur në Portin e Durrësit, nga i cili kanë nisur edhe procedurat e kthimit të kufomës në Turqi. I moshuari nga Nesvehiri i Turqisë kishte hipur në bordin e "Dalmacija"-s në Izmir të Turqisë për një udhëtim turistik prej 7 ditësh nga Azia e Vogël deri në veri të Adriatikut.                         o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›